Saturday 30 July 2016

Ide dhe revoltë mes brezit të ri dhe të vjetër në mbretërinë shqiptare



Sociologu i mirënjohur Durkheim e përkufizon vetvrasjen si term të aplikuar në të gjitha rastet e vdekjes si rezultat direkt ose indirekt i një akti negativ ose pozitiv të vetë viktimës, për të cilin ai e di që do sjellë këtë rezultat.  Nisur nga kjo qasje teorike është paksa e vështirë të përkufizosh natyrën e vetvrasjeve politike në Shqipëri që në jetën politike në Shqipëri fillojnë kryesisht me vetvrasjen e Et’hem Totos në 1937.
E vetmja vetvrasje politike gjatë kohës së mbretërisë rezulton të jetë vetvrasja e Ethem Totos, ish ministrit të brendshëm të qeverisë liberale të Mehdi Frashërit në 1936,  pas kryengritjes së dështuar të Delvinës. Rrethanat që e shtynë ish ministrin për të ndërmarrë këtë vendim duhen kërkuar jo vetëm në pasqyrimin e faktit historik të revoltës së drejtë për së drejtë kundër Zogut , por edhe në konfliktin midis brezave në jetën politike të vendit, midis të rinjve dhe të vjetërve. Fermentimi ideologjik i lëvizjes së Delvinës ishin idetë e publicistit dhe filozofit Ismet Toto, i cili duke ëndërruar një Shqipëri oksidentale kërkonte ta vinte në jetë përmes konceptit të “diktaturës së ndritur”, të mishëruar në personalitetin e një njeriu të madh si rasti i Ataturkut në Turqi apo dhe Mussolinit në Itali. Ja se çfarë shkruante ai në vitin 1931 në Gazetën “Ora” të Kostë Çekrezit:
 Me fjalën njerëz të mplakur”, shkruan Ismet Toto, “na s’kemi ndërmend njerëzit e kaluar nga mosha. Njerëz të mplakur, mund të ketë dhe midis të rinjve dhe mund të ketë pleq, sadopak, që të kenë një shpirt të ri dhe një dinamizëm shembullor. Kriteri i ynë nuk është mosha e një njeriu, por shpirti i sakrificës, karakteri dhe sasia e fuqisë për të vepruar dhe prodhuar në këtë rindërtimin e vendit tonë…”
Përplasja në rrafshin social në fakt ishte një përplasje midis primitivizmit qeverisës të klientelës politike përmes funksionimit të derës së bejlerëve që të kujtonin oborret e fisnikëve në mesjetë të përfaqësuar nga klasa e vjetër e politikanëve në Shqipëri dhe personalizimit dhe individualitetit të spikatur të përfaqësuar nga politikanët e brezit të ri. Ky individualizëm idealist shkonte deri në sakrificën vetëmohuese të dhënies së jetës. Sërish në të njëjtin artikull, Ismet Toto shkruan se:
“Na helmojmë mendjen dhe shpirtin e djalërisë? Na jemi të rrezikshëm për avenirin dhe ekzistencën e kombit? Na jemi ata, për të cilët, qeveria duhet të marrë masa? Në qoftë se njerëzit e “Besës” kërkojnë polemika noteriale, që të na njohin të drejtën të flasim si djalëri, na do t’u themi atë që s’kanë mundur dhe kurrë s’do të munden të kuptojnë: Zemra dhe shpirti është gjithë ç’kemi për ndërgjegjen e kombit arbëror; na kemi vendosur të sakrifikojmë me buzëqeshje të vetmen pasuri: Jetën tonë”.
Të dy vëllëzërit ishin idealistë që kërkonin një Shqipëri ndryshe, ku elitat e formuara në perandorinë Otomane të tërhiqeshin dhe tu linin vendin elitës së brezit të ri për të rimëkëmbur Shqipërinë jo sipas modelit evropianist të administratës së xhonturqve, nëpunës të të cilës kishin qenë shumica e politikanëve shqiptarë që ishin në pushtet në mesin e viteve 30’, por sipas një vizioni evropian që përçonte brezi i ri i formuar në studime në Evropë.  E’them Toto nuk ishte vetëm një ndjekës i thjeshtë i vëllait të vet, por edhe një bashkëhartues i idealeve të tij dhe këmbëbgulës për të realizuar idetë e veta. Ja se çtha në sallën e gjyqit Ismet Toto për qëllimet e Kryengritjes së Delvinës dhe aesyen përse e organizuan:
“Dikush më bëri edhe këtë pyetje: Përse u bë kryengritja e Delvinës? Përgjigja ime ishte kjo: Në çdo ndërmarrje, njeriu mund të futet me bindje ose edhe me gjysmë bindje, por kur është çështja që t’i futesh një pune në të cilën 90% e përfundimit është vdekja, atëherë aty duhet një pasion i fortë, një shtytje idealistike e pazaptueshme. Duhet, me fjalë të tjera, të kesh arritur një gjendje të tillë shpirtërore, sa nuk të durohet më. Dhe nuk mund të bësh ndryshe, veçse t’i futesh rrezikut me gjoks të hapur dhe të sakrifikohesh i gjithi. Ata që janë me tru e mendojnë, ata që kanë zemra të ndjejnë, shpesh vijnë në të tilla gjendje shpirtërore, edhe kur rrinë aty, do ta bëjnë një send, do ta gjejnë një udhë për ta përfunduar. Im vëlla kishte arritur në atë gjendje. Ai besonte se punët e këtij vendi venin si mos më keq, për shkak se janë organizuar në mes të tyre nja 40-50 veta, dhe me intriga për shpifje, kanë mundur të shtinë në dorë një pjesë të madhe të fuqisë shtetërore dhe të bëjnë gjithë ato që kanë bërë e që dihen nga të gjithë. Ai besonte se kjo klikë e organizuar u themelua definitivisht, se shqiptarët arritën në një shkallë të atillë demoralizimi, sa kurrkush nuk guxon më të bëjë zë, dhe kështu gënjeshtra edhe korrupsioni filluan të shtinë rrënjë të thella dhe të rrezikshme… dhe im vëlla, siç dihet ishte nga ata që s’e kishte kursyer kokën e tij dhe në raste të tjera kur ishte me shërbime me rëndësi të shtetit…”.



No comments: