Sunday 1 June 2014

Homeri


Homeri rri ulur mbi një gur dhe hedh vështrimin e përhumbur nga andej që mendon dhe përfytyron se duhet të jetë deti. Ai është i verbër, ndaj thith fort me flegrat e hundës ajrin e lagur për të kuptuar se nga duhet të jetë deti.

Me sytë e mendjes ai imagjinon anijet e mëdha të mbushura plot me akej të armatosur që dynden drejt Trojës. Rreth e qark tij diku në horizont përveç detit, dallohen dhe shtatë qytetet e tjerë. Njerëz të çuditshëm këta jonianët, i ndërtojnë të gjitha qytetet në një vijë horizonti dhe aq ngjashëm me njëri-tjetrin sa nëse nuk je i përqëndruar mund t’i ngatërrosh. Qëllimisht edhe Homeri nuk e tregon vendlindjen e tij, sepse duke i njohur mirë bashkëqytetarët e vet, e di që të gjithë ata do të grinden më vonë se nga ç’qytet ishte. Homeri e ndjen, diku në thellësi të shpirtit të vetë, që do të bëhet i poet i madh, pasi nuk është pak t’u këndosh ngjarjeve të tilla, që ai përtyp vetëm me vete përditë në mendje. Mirëpo si çdo qenie njerëzore edhe ai ka dobësitë e veta, ndaj me artin që të gjithë mendojnë se e ka dhuratë nga Perënditë e Olimpit, ai vendos të tallet edhe me to. Është e dhimbshme për të, që ato për një kohë kaq të gjatë e kanë lënë në harresë dhe i provojnë durimin, ndërsa shikon rreth e përqark sharlatanë që janë rregulluar dhe jetojnë një jetë dinjitoze. Ndaj ka vendosur që në veprat e tij t’i harrojë këta të përkohshëm që lulëzojnë gjithandej rreth e përqark akropoleve dhe agorave dhe të përjetësojë miqtë e vet. Ata meritojnë vëmendje. Ja p.sh Hefestin, kovaçin topall të lagjes e bën perëndi, Hermesin, djalin e karroxhiut që e shëtit përdit rreth e përqark qytetit e bën lajmëtar hyjnor, Hadin që punon në minierat e argjendit e bën zot të nëntokës që të gjithë të paguajnë një monedhë të argjendë para se të hyjnë në mbretërinë e tij. Helenën, fqinjën e vet të bukur e lë për në fund për ta bërë mbretëreshën e bukurisë duke i dhënë privilegjin që madje edhe Afërdita të hyjë në luftë për të, me perënditë e tjera. Ajo e meriton një nder të tillë pasi sa herë që kalon në rrugë, ndërsa të gjithë vdesin që t’ë flasin pak me të, ajo s’përfill njeri dhe vjen e përshëndetet me Homerin. Njerëzit që kalojnë përbri tij e shikojnë që rri i përhumbur dhe i menduar dhe pak të xhelozuar e pyesin.

- Homer a do vish në mbledhjen e Pallatit Mbretëror? Madhëria e tij, Mbreti do të mbaj një fjalim. Homeri hesht, tund kokën dhe kur të tjerët nuk kanë më asnjë shpresë që ai të flasë ua kthen.
- Jo, nuk vij. Gjërat janë të ndara në këtë botë. - Si janë të ndara e pyesin. Çdo të thuash?
- Po ja ua kthen Homeri, ka njerëz që kërkojnë pavdeksinë dhe tërë jetën rendin pas mbretërve dhe pushtetit, kurse unë shkruaj “Iliadën” dhe “Odisenë” dhe gjithë miqtë e mi i mbledh e i bëj tok në një vend dhe i bëj... të pavdekshëm.
 - Ohuuu, po si kështu? Si mund t’i kthesh ti njeri i mjerë të pavdekshëm shokët e tu? Ku ti, ku mbretërit ia kthejnë me cinizëm dhe pak xhelozi.

- Fjala mbetet ua kthen qetë-qetë Homeri, ndërsa pushteti i mbretërve bashkë me ta kthehet në pluhur shpejt pas vdekjes së tyre si dhe ata vetë. Por ju s’keni si t’i dini këto gjëra, ndaj s’u kam personazhe në veprat e mija...

Tiranë 1.06.2014. Milosao, 09.08.2015, fq 19





No comments: