Monday 26 May 2014

Nga Dozoni te Republika e Korçës- Shqipëria në sytë e Francezëve



Frëngjtë, frëngu është emri kolektiv që ka shënuar Europën dhe europianët në kulturën shqiptare. Do të ishte e udhës që të hulumtohej gjerësisht se kur ka filluar ky perceptim, pasi të bën përshtypje fakti që territoret shqiptare dhe qytetet në bregun shqiptar , që kanë qenë nën influencën e drejtë për së drejtë të Venedikut nuk kanë trashëguar një emërtim të tillë nga “Republika e Detrave”  por nga Franca, që ishte shumë më larg.

 Nuk ka dyshim se ndoshta në këtë përcaktim kanë ndikuar dhe zhvillimet e vrullshme teknologjike që përjetoi Europa dhe Franca në shekullin e XIX, volumi në rritje i tregtisë dhe të mirave, që vinin nga kontinenti por sidomos marrëdhëniet e veçanta që kishte ndërtuar Franca e Kardinalit Rishëlje me Perandorinë Otomane që në shekullin e XVI. Gjithsesi disa historianë  romantikë këtë nominim kolektiv për Europën në kulturën shqiptare mund ta lidhin dhe me mbretërimin e shkurtër të Anzhuinëve në Shqipëri dhe me mbretërinë e Arbrit, asosacion dhe lidhje që në fakt mund të tingëllojë shumë e largët. Kjo gjë ndodh jo sepse trashëgimia leksikore dhe frazeologjike mund të jetë e vakët në Shqipëri, por për një arsye të thjeshtë se interesi i Europës Qendrore dhe Francës për Ballkanin dhe Shqipërinë fillon në fakt në fundin e shekullit  XVIII dhe fillimet e shekullit  XIX. 
Pas ndarjes klasike të pellgut të Mesdheut në dy qytetërime të ndryshme në shekullin e VII pas dyndjeve të arabëve në Afrikën Veriore e deri në Spanjë, Francë e Sicili, bota mesdhetare, zemra e qytetërimit evropian e humbi unitetin e vet kulturor dhe kjo qendër u zhvendos më në veri ku fillon e zhvillohet kultura frënge, trashëgimtare e një kulture të përzier mes botës latine dhe asaj gjermanike. Kontaktet kulturore mes  Ballkanit dhe më gjerë dhe Europës,  nuk janë krijuar përmes katedrave universitare apo dhe oborreve perandorake, por mes shërbimeve diplomatike, ku konsujt që kanë shërbyer pranë qendrave të mëdha qytetare në Ballkan, kanë qenë dhe dallëndyshet e para të afrimit dhe shkëmbimit të kulturave mes popujve. Një kontribut të konsiderueshëm në njohjen e Ballkanit të ri, Ballkanit që për shumë arsye kishte pësuar lindjen e një habitati të ri kulturor dhe me diversitet, sigurisht jo më atij antik, që vinte i gjallë përmes teksteve të historisë të trashëgimisë greko-romake, kanë konsujt francezë, që idetë e ndryshimit të vrullshëm të Europës Napoloniane i përcollën dhe në këtë ambient.
 Në këtë kontekst, libri  “Shqipëria e Agust Dozonit” të autorit të mirënjohur Luan Rama, që ka bërë ndoshta më shumë se çdo autor tjetër për të njohur trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të marrëdhënieve shqiptaro-franceze në shekuj, shpalos një Shqipëri tjetër që vjen e freskët, naive , folklorike, por dhe e vrullshme dhe gjithë diversitet sa herë që konsulli kalonte nga një krahinë në tjetrën.Sigurisht që libri “Përralla Shqiptare”, por dhe përshkrimi i iterenarit të udhëtimit nuk është shkruar vetëm për kuriozitete të Institutit Oriental, ku Dozoni më vonë dha mësim pas tërheqjes së tij nga jeta akademike, por si një guralec plotësues gjithë ngjyra e kolorit për të plotësuar më mirë ansamblin veprave që ai shkroi për kulturën dhe historinë e popujve të  Europës Qendrore dhe Ballkanit.
Në faqet e këtij libri shfaqet dhe prezantohet ajo habia e madhe kulturore e fenomeneve të ndyshme socialë, që kanë prektur strukturën e shoqërisë shqiptare dhe që do t’i bëjë shumë vite më vonë ushtarët francezë,  që do të vendose në territore në kuadër të Luftës së Parë Botërore, përkatësisht në zonat e Korçës, Pogradecit dhe Devollit  të kundrojnë me habi përpjekjet identitare të një popullsie dhe etnie që po përpiqej të kthehehj në komb, diçka që ata e ushtarë e kishin marrë si të gatshme , të paktën nga dy breza të mëparshëm, që në agimet e Revolucionit Francez. “Bonjur D’Albanie”-shkrimet nën hijen e bombave” të autorit Luan Rama, librit tjetër  që që pasqyron me një vërtetësi të frikshme realitetin patriotik të rrënjosur francez , ç ka mbetet pothuajse i njëjtë edhe nën goditjet dhe luhatjet që po shkakton Globalizmi dhe realitetin e brishtë shqiptar që po mundohej të merrte udhë në një qasje të re identitare. Në librin e dytë ka kronika, informacione , të dhëna, dokumente që ruhen në arkiva për Luftërat Botërore, frontet, betejat, shkruar nga gjeneralë, komandantë, por letrat që po publikon Luan Rama shkruar nga ushtarë të thjeshtë francezë, kur i lexon pas 100 vitesh krijojnënjë emocion të veçantë. Ato janë të sinqerta dhe sjellin trishtimin e fronteve të betejave, sjellin atmosferën gri të tyre dhe peisazhin gri shqiptar.Ato u drejtohen nënave, motrave, grave, të dashurave...Të tillë janë dhe ditarët, që autori i publikon në këtë libër.
Dy librat , që shënojnë dy kufinj të përpjekejeve identitare të shqiptarëve, njëri në mes të shekullit të XIX dhe tjetri në momentet e Luftës së Parë Botërore , janë dy libra që pasurojnë mendimin politik, kultoror dhe identitar shqiptar dhe shërbejnë në të njëjtën kohë jo vetëm si dëshmi për të parë se cili ka qenë imazhi ynë në sytë e të huajve, të frëngjëve që kanë simbolizuar Europën, por në të njëjtën kohë janë dhe dëshmi, ku reflektohen qartë rrugët e vështira për të konsiliduar kulturën dhe identitetin në një Europë që sa vinte e bëhej më refrektare dhe më nacionaliste dhe po braktiste modelet e shumë kulturializmit të Perandorive. Të arrish të përshkruash gjithë këtë panoramë të këtyre ndryshimeve radikale që ngërthyen Ballkanin  për më pak se 80 vjet , kërkon të të jesh “arbitrum elegantum” i historisë dhe kulturës, privilegj që pak studiues e kanë në ditët e sotme dhe që Luan Rama na e ka dhuruar me bollëk në librat e tij. “E shkruara mbetet thonë latinët” dhe besoj shumë fort se këto dy libra do të jenë një monument kulturor, që do t’i rezistojnë kohërave.

Suplementi "Rilindësi", 25.05.2014, fq 23 





No comments: