Monday 22 April 2013

Kauza të tradhtuara




Një nga dilemat kryesore në demokracitë në zhvillim përsa i përket funksionimit të një prej mekanizmave kryesore të saj,rolit të grupimeve dhe partive politike  është nëse çdo kauzë e qytetarëve mund të kthehet në kauzë politike dhe anasjelltas.
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje nuk është se ekziston ndonjë vështirësi e madhe pasi kjo dilemë në vendet e zhvilluara dhe me demokraci të konsiliduara prej kohësh është zgjidhur duke respektuar disa norma morali të nevojshëm politik dhe një përshkallëzim të vlerave politiko-shoqërore që udhëheqësit dhe këto grupime i kanë të nevojshme për tu ballafaquar në opinionin publik. Në Shqipëri, ndodh krejt e kundërta pasi morali politik nuk është konsideruar akoma si vlerë e qenësishme e individëve dhe partive politike  pavarësisht faktit se për ekzistencën e tij mund të dëgjosh tërë ditën dhe aq më tepër përshkallëzimi i vlerave që përbëjnë moralin politik mungojnë. Këtë e them jo sepse mendoj se kultura politike e vendit tim është e ndryshme nga ajo e vendeve fqinje apo sepse bëj pjesë në korin e atyre që si lënë kusur pa kritikuar Shqipërisë, por sepse shumë herë raste dhe ngjarje nga kultura politike e vendeve që ushtrojnë tradicionalisht demokracinë liberale nuk gjejnë zbatim aspak këtu. Fjala vjen p.sh rastet e Shirakut në Francë apo të Presidentit gjerman që për opinionet publike të atyre vendeve përbënin shkelje të rënda të ligjshmërisë , nëse bëhet ndonjë sondazh në Shqipëri për të njëjtat çështje kam frikë se rezultati do të jetë shumë zhgënjyes krahasuar me atë të opinionit publik evropian. Kjo gjë ndodh sepse në përgjithësi jemi të prirur që lojën e pistë në politikë , biznes , art , marrëdhënie njerëzore etj ti konsiderojmë si zgjuarsi dhe shkathtësi , diçka që për veshët e studiuesve të shkencave politike tingëllon si makiavelizëm por për antropologët konsiderohet thjesht si tipar i shoqërive të pazhvilluara. Ekzistenca e kësaj kulture vendase në trajtimin e ngjarjeve  dëshmon se kultura politike në Shqipëri kërkon në standardizim të mëtejshëm të të gjithave vlerave si shoqëri dhe një shtysë për të arritur disa norma morali të admirueshëm.
Në vendet e zhvilluara , që natyrisht para se të arrinin aty ku janë sot ka ndikuar shumë të paktën një faktor,  ekzistenca e një elite që me qeverisjen e tyre të moralshme kanë forcuar moralin politik në vend dhe zbatueshmërisë e ligjit njësoj për të gjithë. Në Shqipëri për fat të keq kjo gjë ka munguar dhe këtë e them me bindje duke parë skenën politike që po mundohet të rajëvizohet sot. Individë të caktuar që për një kohë të gjatë kanë qenë pjesë e elitës politike të vendit po mundohen të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat ligjore që u lejohen për tu rigrupuar apo krijuar parti të reja politike që i konsiderojnë si risi të reja në politikën shqiptare por që me një vështrim të thjeshtë mund të kuptosh se në mesazhin që dëshirojnë të përcjellin më tepër nuk janë një moral dhe një kulturë e re politike por kërkesa për zëvendësuar disa persona me veten e tyre në qeverisjen e vendit. Sigurisht që synimi i pushtetit është dhe mbetet qëllimi i çdo partie politike serioze që kërkon të kontribuojë në zhvillimin e vendit por duke parë se për t’ia arritur këtij qëllimi nuk po lihen kauza dhe ekstra kauza pa u manipuluar atëherë mendon sesa e dhimbshme është që çdo gjë të kthehet në politikë dhe për fat të keq asnjëherë të mos marrë zgjidhje. Arsyeja është e thjeshtë, ashtu si ka qenë çdo vit para elektoral, individë të caktuar kërkojnë riciklimin e tyre në hapësirat publike dhe sociale të Shqipërisë ose u bëjnë shërbime miqve të vjetër që janë aktivë në politikë, ndaj dhe gjejnë një “kalë të shpejtë” për ti çuar drejt qëllimit të tyre final, pjesëmarrjes në ndarjen e tortës së pushtetit. Mirëpo duke folur e ligjëruar vazhdimisht kundër të gjithëve dhe thurur lavde vetes harrojnë se pjesë e gjithë atij sistemi që e përshkruajnë me ngjyrat më të zeza kanë qenë dhe vetë ata si persona. Moralin që kërkojnë tashmë të shesin bie në kundërshtim me moralin e tyre politik që pasi e kanë mjelur si lopa njëherë pushtetin , tashmë kërkojnë të ndryshojnë krah për të ardhur sërish në pushtet, veçse kësaj radhe duke pretenduar se vinë ta mbarështojnë lopën e pushtetit dhe jo ta mjelin.
Por a mund të kenë më besueshmëri popullsia tek këta individë që me këtë të kaluar politike reflektojnë dhe vetë zhvillimin e demokracisë liberale në Shqipëri? Kjo mbetet një nga pyetjet më thelbësore në gjithë këto histori para elektorale dhe natyrisht një pyetje që shumë shpejt do të marrë përgjigje në kutitë e votimit tani së afërmi në qershor, por vetëm një gjë besoj se duhet të ketë vlejtur si mësim për të gjithë ata që mendojnë se aksesin mediatik dhe financimet e dyshimta mund ti nxjerrin si përfaqësues të popullit shqiptar. E kam fjalën për partitë anonime që në mos gaboj e kalojnë numrin e mbi 50 në spektrin politik shqiptar, kujtimin e së cilave nuk besoj se ruan ndonjë njeri si aspekt pozitiv pas përpjekjes së dështuar të tyre për të hyrë në politikë me emra të ndryshëm, duke akuzuar politikën aktuale dhe që pas zgjedhjeve u bënë fëmijë të bindur të asaj politike  së vjetër për të përfituar ndonjë post, sepse politikë të re për fat të keq akoma s’kemi parë në horizont.


Gazeta Shqip 22.04.2013


No comments: