Sunday 17 March 2013

Shtet i përmbytur dhe përtëritja morale



Motivi i  përmbytjes është një nga motivet që gjendet në pothuajse të gjitha kulturat botërore. Historianët e civilizimit shpjegojnë se duke qenë se shumica e civilizimeve kanë nisur pranë lumenjve dhe liqeneve, ky motiv ka përfaqësuar jo vetëm një nga elementët kryesorë të jetesës së hershme të njeriut por dhe ankthin dhe frikën e tij ndaj tërbimit të natyrës kur niveli i ujërave ngrihej dhe shkaktonte fatkeqësi.
Këto fatkeqësi natyrisht që ishin  jo vetëm në të mbjella apo dëme materiale si shkatërrim shtëpish dhe vegla pune por dhe në jetë njerëzish. Mesa duket ky ankth ka qenë një nga ankthet më të mëdhenj të njerëzimit përderisa ka gjetur një trajtim të gjerë që nga librat biblikë dhe në librat e tjerë të shenjtë të besimeve të tjera fetare gjithandej nëpër botë. Madje kur kërkohen të listohen argumentet për ekzistencën një qytetërimi të hershëm e të  përbashkët botëror, ky tipar është një nga më kryesorët që sillet në vëmendje nga studiuesit që e besojnë shumë këtë fakt pasi kërkimet shkencore tregojnë se motivi i përmbytjes nuk gjendet vetëm në memorien historike të popujve të vendeve të zhvilluara por dhe në ato të indigjenëve të pyjeve të Amazonës apo dhe tek eskimezët. Pothuajse çdo qytetërim i madh i njerëzimit e ka historinë e Noes së vet që nuk shërben vetëm si rast ilustrues i frikës njerëzore për përmbytjen dhe kataklizmin e përbotshëm, por dhe si një dënim qiellor për mëkatet e kryera. Aq thellë është ngulitur në ndërgjegjen e njerëzimit ky tipar sa dhe në ditët e sotme të teknologjisë dhe së dijes së thelluar kur “forcat e verbëta “ të natyrës mund të parashikohen dhe kontrollohen që të mos shkaktojnë fatkeqësitë e mëdha katostrofike të përshkruara në Librat e Shenjtë , ujërat dhe përmbytja mbeten sërish një burim ankthi dhe frike pasi vazhdojnë të kenë një trajtim të gjerë si motive dhe tema kryesore në romanet dhe kinematografinë e sotme.
Një ankth e frikë të tillë qytetarët shqiptarë të Shkodrës, Lezhës e Durrësit po e përjetojnë përditë në këto ditë reshjesh pa fund. Nuk ka nevojë që të përshkruhet hollësisht se ç’mund të ndjenjë këta bashkëqytetarët tanë pasi nuk besoj se mund të gjenden kollaj fjalë të përshkruash ndjenjat e të qenit i pastrehë brenda një çasti të vetëm ashtu si u ka rënë rasti shumë prej tyre të gjenden në këto ditë, por ajo që mund të kërkohet për të analizuar mund të jetë perfomanca dhe reagimi i shoqërisë. Instrumentet më të fortë dhe më përgjegjës që zotëron shoqëria për të përballuar problemet e veta janë të zgjedhurit e saj politikë që përfaqësojnë dhe vullnetin e saj të lirë. Ata janë që marrin përsipër jo vetëm sukseset kur zhvillojnë vendin dhe rrisin mirëqenien e popullsisë por natyrisht që duhet të marrin përsipër dhe menaxhimin e situatave të tilla të vështira duke llogaritur dhe koston elektorale të sjelljes së tyre. Në këtë drejtim nuk besoj se zgjidhje mund të jenë bredhjet e ministrave sa në një vend në tjetrin e gjithmonë para kamerave televizive që i ndjekin ngado, por një reagim konkret i strukturave shtetërore të sistemit të paralajmërimit të këtyre fatkeqësive.  Sigurisht që në këtë gjendje amullie,  ajo që të gjithë janë të shqetësuar të dinë përveç afatit kohor të sistemimit dhe rregullimit të gjithë të pastrehëve dhe përballimit me sukses të gjithë kësaj përmbytje, është se nëse do të ketë sërish një situatë të tillë pas një viti, a do të jetë e njëjta gjendje?
Për të gjithë ata që kanë memorie të dobët mund tu rikthehen kronikave të vjetshme për të parë se e njëjta situatë ishte dhe vjet. Pyetja e mësipërme është një pyetje që duhet të na shqetësojë të gjithë si shoqëri për të ditur sesi të reagojmë sërish, tashmë shumë më të përgatitur dhe më të organizuar sesa vjet apo sivjet. Tregimet e vjetra të përmbytjeve, pothuajse të gjitha kanë në themel të tyre se ajo vjen pas mëkateve të mëdha dhe se Noeja, si profet merr përsipër të udhëheqë njerëzit drejt tokës së re ku mund të fillojnë sërish jetën e re. Qytetërimi ynë modern gjithmonë dyshues ndaj historive të tilla vështirë ta besoj se kjo gjendje vjen prej mëkateve tona, po kështu natyrisht për shkak të kaluarës së vet problematike me rolin e njëshit në shoqëri është alergjik ndaj rolit të udhëheqësve në komunitet. Por ajo që do të mbetet e vlefshme nga kjo histori do të jetë ndoshta fakti se na duhet një përtëritje morale, për të kuptuar se administrimi dhe qeverisja e vendit nuk është një “shkencë e madhe” që i përket vetëm qëllimeve madhore si integrimi i vendit, tregtia e jashtme apo përmirësimi i infrastrukturës por dhe jetës së përditshme të qytetarëve. Madje kjo e fundit është dhe koncepti modern i një qeverisje efikase që për ta realizuar kërkon që të fillojnë nga gjërat e thjeshta si punësimi i njerëzve të duhur në këtë fushë dhe hartimi i një strategjie të qartë për të ardhmen. Në fakt, kështu jemi dhe afër dhe realitetit biblik pasi siç dihet që rrëfenjat biblike flasin nëpërmjet parabolave dhe në rastin tonë nuk mund të sugjerojmë më mirë se Noeja që do na udhëheqë drejt vendit të sigurtë për të rifilluar jetën normale do të jetë përtëritja morale për një fillim të ri të jetës sonë publike.


Gazeta Shqip 17.03.2013



No comments: