Monday 25 February 2013

PESË VJET PAVARËSI E KOSOVËS DHE IMPAKTI I SAJ NË BOTËN SHQIPTARE




Nuk e di nëse gaboj kur  pohoj se brezi im i mësuar dhe i rritur në ngjarje që shënonin represionin serb mbi Kosovë si demonstratat e vitit 1981, heqja e autonomisë së Kosovës në 1989, helmimet e fëmijëve në 1992, represionin e masakrat në 1998 e së fundi genocidin e hapur në 1999 do t ia arrinte një dite si ajo e pesë viteve më parë, më 17 shkurt 2008 që të përjetonte dhe shikonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Ngjarje të tilla historike të takojnë shumë radhë ti përjetosh e ti ndjesh, ndaj në optikën e ngjarjeve që kalojnë si ujë që rrjedh të duken gati-gati të pabesueshme. Mirëpo ashtu si dihet zakonisht se ëndrra dhe realizimi i saj zgjat shumë shkurt dhe pastaj vjen realiteti, edhe shqiptarët shumë shpejt pasi kanë shijuar ëndrrën e tyre për themelimin e shtetit të Kosovës u është dashur të përballohen me realitetin, i cili shpesh herë nuk ka qenë lajle lule por edhe i zymtë dhe i trishtë. Pas një periudhe pesë vjeçare shteti i Kosovës edhe pse ka kaluar përmes shumë vështirësive për të themeluar dhe përsosur institucionet e tij, ndihmës bujare të komunitetit ndërkombëtar sërish mund të themi se Republika e Kosovës ende nuk ka arritur që të përforcojë identitetin e vet shtet formues dhe vazhdon të përpëlitet mes amatorizmit dhe profesionalizmit të vendimeve që merr klasa e saj politike.
Sigurisht që vështirësitë që hasen në shtrirjen dhe vendosjen e shtetit ligjor në pjesën veriore të saj nuk janë një përgjegjësi e drejtë për së drejtë e qeverisë së Kosovës pasi gjendja aty është vetëm de jure brenda autoritetit të saj, por vonesa në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian për të liberalizuar vizat, niveli i lartë i korrupsionit dhe nepotizmi i kudogjendur janë përgjegjësi e qeverisë. Shqipëria , nga ana tjetër vazhdimisht që nga dita e parë e pavarësisë së Kosovës është munduar që të afrojë asistencë të konsiderueshme në të gjitha fushat por për fat të keq është vërejtur se më tepër se shtetformim, nga Shqipëria janë eksportuar problematika të jetës politike të saj. Kështu p.sh u vërejt se në zgjedhjet e fundit në Kosovë virusi i zgjedhjeve të kontestuara shqiptare të infektonte dhe demokracinë e re kosovare, duke bërë të mundur që kolla e shtetit më të ri të dëgjohej deri në Bruksel. Kjo gjë ka bërë që përveç unifikimit të problematikave, në fakt të vonojë dhe turbullojë nga pak skenën politike kosovare. Unifikimi dhe infektimi politik nga njeri-tjetri në fakt nuk i përgjigjet përpjekjeve për rritjen e aspekteve ekonomike dhe infrastruktore midis tyre. Hapja dhe inagurimi i rrugës së Kombit tre vjet më parë ka filluar dhe po jep efektet e saj, duke i sjellë njerëzit shumë më afër njëri-tjetrit dhe rritur prezencën ekonomike të bizneseve të dy vendeve në të dy anët e kufirit. Porti i Durrësit me investimet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare si gërmimi i basenit ujor të tij apo dhe ndërtimi i terminalit modern ka bërë të mundur që sëbashku me rrugën e Kombit të jenë facilitetet kryesore për zhvillimin ekonomik jo vetëm të pjesës verilindore të Shqipërisë por dhe të gjitha Republikës së Kosovës. Ndërtimi i një zone ekonomike albanosfera që do të përfshinte dhe trojet shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi do të bënte të mundur që problemi shqiptar i diskutuar kaq shumë kohët e fundit, të merrte një shtytje të mirë pozitive. Nuk mund të imagjinohet që procese të mirrëfillta bashkëpunimi drejt bashkimit kombëtar,  të ecin përpara pa fiksuar më parë një bashkëpunim frutdhënës ekonomik. Ndërtimi i këtyre hapësirave dhe nxitjeve për një qendrueshmëri të lartë kooperimi duhet të bëhet një konstante e vazhdueshme e qeverive shqiptare pasi nëse nga ana politike shpesh herë do të hasim pengesa nga fqinjët apo dhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë, askush nuk mund të na thotë asgjë për bashkëpunimin e ngushtë ekonomik dhe krijimin e një zone të qendrueshme ekonomike shqiptare në Ballkan. Miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtar në çdo pronocim të tyre vazhdimisht kanë ngulur këmbë në forcimin e këtij aspekti ekonomik që do të sjellë dhe rritjen e standartit të jetesës në të dy anët e kufirit dhe integrimin evropian ku kufinjtë dhe dallimet do të pësojnë tjetër ndryshim dhe ëndrra një shekullore e shqiptarëve do të bëhet realitet.
Në këtë pesë vjetor të pavarësisë së Kosovës, sigurisht që një ndjenjë faleminderimi e madhe i drejtohet komunitetit ndërkombëtar me në krye SH.B.A që bënë të mundur çlirimin e saj nga okupatorët serbë, ndaj në horizont nuk mund të ketë asnjëherë asnjë irritimi apo acarimi mes Shqipërisë dhe aleatit të vet strategjik, sepse shqiptarët në fundin e shekullit të kaluar u bënë dëshmitarë jo vetëm të shprehjes që “liria fitohet”, por se ajo edhe mund të “dhurohet”. Për ta merituar këtë liri politike na duhet të afrohemi sa më pranë vlerave të aleatëve tanë, ndaj përforcimi i demokracisë dhe rritja ekonomike do të ishin dy shtylla të mira prej nga do të ngrinim shumë më lehtë ngrehinën e bashkimit tonë kombëtar.


Gazeta Shqip 25.02.2013


No comments: