Sunday 6 January 2013

Armët e Skënderbeut dhe ndërgjegjia kombëtare



 Përvjetori i sivjetshëm i pavarësisë solli në Shqipëri dy thesare të vërteta të kulturës materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve. Në ambjentet e Biblotekës Kombëtare u ekspozua libri i parë i plotë në gjuhën shqip, Meshari i famshëm i Gjon Buzukut dhe në muzeun kombëtar armët e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Të dyja këto vlera të mëdha të kulturës shqiptare ruhen në Biblotekën e Vatikanit dhe Muzeun e Vienës, larg Shqipërisë në zemër të Evropës duke shprehur qartë dhe identitetin evropian të shqiptarëve të asaj periudhe. Ky identitet dhe vetdije e lidhjes shpirtërore me Evropën pas një tramatizimi shumë të rëndë të kaluar nga pushtimi dhe bashkëjetesa me otomanët do të ringjallej prapë në fund të shekullit të XIX, vite kur fillojnë e plazmohen sërish idetë evropiane të shqiptarëve. Një rol përcaktues dhe të rëndësishëm do të luajë memoria historike ku të gjithë rilindasit do ti drejohen figurës së Skënderbeut dhe aksioneve të tij politike dhe ushtarake si pjesë e rëndësishme e koalicioneve evropiane mesjetare. Mirëpo Skënderbeu nuk do të mund të ringjallej i vetëm pa simbolet e tij që kishin shenjuar historinë dhe shkëlqyer në epokën e vet, ndaj për këtë arsye sëbashku me monumentet dhe portretizimet letrare të De Radës dhe Naim Frashërit do të gjejmë dhe përpjekjet e para për të zbuluar flamurin dhe përshkruar armët e tij.
 Informacionet e para në këtë drejtim i jep Konica në faqet e gazetës së vet Albania ku publikon për herë të parë flamurin e Kastriotëve dhe informacionin për armët e Skënderbeut. Si një studiues skrupuloz  Konica , i cili e vezhgoi ne fillim te shekullit XX ne trupin e njërës prej shpatave shiheshin ende njolla gjaku[1], çka mund të ishte e vërtetë por nëse do të marrim parasysh dhe anën tjetër të personalitetit të Konicës, si pishtar i zgjimit të ndërgjegjes kombëtar mund të ishte dhe një informacion shtesë për të krijuar emocion dhe afeksion ndër shqiptarët që ende ishin nën zgjedhën otomane. Në fakt te ky tipar i fundit i arsyes se përse Konica mund të ketë shtuar faktin se ende në shpatë kishte njolla gjaku, qendron dhe një funksion tjetër i armëve të Skënderbeut gjatë Rilindjes Kombëtare por dhe në vazhdimësinë e shtetit shqiptar. Kështu në vigjilje të 20 vjetorit të pavarësisë gazeta “Besa” në Tiranë, e krijuar dhe e sponsorizuar nga Mbreti Zog I[2],  do të japë një informacion të detajuar të vendit, mënyrës dhe rrugëve sesi janë gjendur në Vjenë, armët e heroit tonë kombëtar.
          Duke iu referuar gazetës “Besa” (3 Mars 1932) mësojmë këto të dhëna për“Armët e Skënderbeut”: Koleksionuesi i objekteve të Skënderbeut ishte Arqiduka i Tirolit Ferdinandi (1529-1595), i biri i perandorit austriak Ferdinandi I (1503-1564) dhe vëllai i perandorit Maksimilian II. Këshilltar i arqidukës Ferdinand për mbledhjen e këtyre objekteve, ishte sekretari i tij privat Jacob Schrenckh von Notzing (Jakob Shrenk von Nocing). Ai koleksiononte veshje prej hekuri dhe armë të princërve të shquar, si dhe të prijësve të ushtrive, të cilat i ruante në kështjellën e tij në Ambras. Objektet e Skënderbeut përmenden për herë të parë në një letër të datës 15 tetor të vitit 1578, në të cilën duka i Urbinos Marius Sforca, i shkruante arqidukës Ferdinand, se do t’i dërgonte këtij të fundit armët e Skënderbeut. Më 15 maj 1579 arqiduka i Tirolit, Ferdinandi, i shkruan dukës së Urbinos Marius Sforces, duke e falënderuar për armët e Skënderbeut si dhe për të tjerat, të cilat mund t’i binin atij në dorë. Këto objekte përmenden për herë të dytë në letrën e dukës von Arescot (duka von Areskot) më 25 korrik 1588, e cila flet mbi armët e tjera të Skënderbeut. Objektet e Skënderbeut nuk ishin shënuar në inventarin e vitit 1585. Ndërsa në inventarin e vitit 1593, f.69, shënohet: “Dy shpata dhe përkrenarja e “Georgen Scanderbegg”. Prej këtyre dy shkresave, si dhe inventarit, konstatohet lehtë se përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut ranë në dorë të arqidukës Ferdinand, ndërmjet viteve 1588 dhe 1593, përmes ndihmës së dukës Marius Sforca të Urbinos dhe të dukës Arescot.
        Në sallën XXV Nr. 71 (127), të Muzeut të Arteve të Vjenës, ndodhet përkrenarja “George Skanderbeg”. Ajo është ngjyrë e bardhë, me rrafshe të arta dhe ka sipër saj një kokë dhie të artë me dy brirë. Kjo përbëhet prej dy pjesëve: një pjesë bakri dhe pjesa tjetër sipër, është me një copë metali, buzët e së cilës janë të zbukuruara në ar. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri me një gjatësi prej 65 cm dhe në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I. N. P. E. RA. TO. BE. BT. Ky shkrim, që është shumë i vështirë për ta kuptuar se çfarë thotë, deri tani e kanë deshifruar kështu: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae. Regi Albaniae. Terrori Osmanorum. Regi Epiri. Benedicat”. Poshtë buzës së përkrenares janë vënë 9 copa të mëdha dhe këto janë të lidhura me një rrip lëkure me bojë hiri. Pesha e të gjithë përkrenares është 3000 gr. Sado që kjo përkrenare ka elemente orientale, mendohet se është punuar prej një artisti venecian[3].Si shikohet në shkrimin e viteve 30-të nuk vihet në dyshim mbishkrimi në përkrenaren e Skënderbeut si me të drejtë konstaton shumë vite më vonë studiuesi Kristo Frashëri në librin e vet “Historia e Skënderbeut” kur shkruan se në pjesën e poshtme te saj, ka rreth e rrotull nje rrip bakri me nje mbishkrim prej gjashte rrokjesh, te ndare midis tyre me rozeta: IM*PE*RA*TO*RE*BT, qe do te thote: Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae*Terrori Osmanorum*Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit te bekon ty Skenderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqiperise, Tmerri i Osmanllinjeve, Mbret i Epirit). Por rripi prej bakri me keto gjashte monograme duket se eshte vene me vone ne perkrenare nga pasardhesit e Heroit, te cilet kane menduar se me shtimin e titujve do t'ia rritnin atij vleren, kurse, sic u tha, ai nuk ka mbajtur asnje nga keto tituj, por vetem "Zot i Shqiperise" (Dominus Albaniae)[4]. Arsyeja duket se ka qenë se pushtetit mbretëror dhe vetë Mbretit që shpesh herë po mundohej të gjente lidhje mes familjes së tij dhe asaj të Skënderbeut i pëlqente që ky emërtim të ishte i vërtetë pasi duke qenë i tillë,  i jepte Zogut që vetëm katër vjet më parë ishte vetshpallur mbret, legjitimitet më të madh ndër shqiptarë dhe arsye shtetërore më tepër për të qeverisur. Më poshtë informacioni i gazetës Besa vazhdon për shpatat e Heroit Kombëtar. Në Muzeun e Arteve të Vjenës ka dy shpata të Skënderbeut. Njëra shpatë është me dorezë kadifeje, në të cilën shënohet emri i Skënderbeut dhe është e gjatë 88.5 cm dhe e gjerë 5.7 cm, me dy tehe, me një formë të drejtë dhe me një majë të kthyer, që përmban disa shkronja latine, ku lexohen këto fjalë: “Heroi i Perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është prej druri, e mbështjellë me lëkurë. Pesha e kësaj shpate është 1300 gr. dhe bashkë me këllëfin, është 1900 gr.
         Shpata tjetër është me dorezë lëkure shagren, ka në anët e jashtme katër arabeska të thella, tre rrypa për hijeshi. Shpata është e përkulur në formë harku, gjatësia e saj është 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e gjithë shpatës është 3, 2 kg. Kjo formë me ornamente tregon se ajo është bërë në gjysmën e parë të shekullit XV.Në inventarin e pikturave të sekretarit privat Schrenchk (Shrenk), e titulluar “Armamentarium heroicum” të vitit 1601, është tabloja XVI “Skënderbeu me përkrenare”. Skënderbeu rri në këmbë në profil, duke kthyer kokën dhe mjekrën e gjatë nga krahu i majtë. Ai është i veshur me një pallto të gjatë me astar lëkure dhe ajo mbërthehet në gjoks nga shirita. Në krahun e djathtë mban lart shpatën e zhveshur, ndërsa poshtë në tokë, afër këmbës qëndron përkrenarja. Në kokë Skënderbeu mban një beretë. Objektet, që janë pasqyruar në këtë pikturë, i ngjajnë shumë origjinaleve që ndodhen në Muzeun e Artit Historik të Vjenës[5]. Historiani Kristo Frashëri saktëson shume vite më vonë se gazeta Besa në librin e vet “Historia e Skënderbeut” dhe cilat nga shpatat përdorej në sheshin e betejave dhe cila për akte ceromoniale. Ndër dy shpatat, ka mundesi qe Skenderbeu ne fushen e betejes te mos perdorte ate me trup te drejte, por pallen me trup te harkuar (sic nenkuptohet nga Dh.Frengu), per arsye se e para ishte e shkurter per shtatin e tij te gjate, kurse me pallen, te cilen e kishte ne perdorim ushtria osmane, ai eshte familjarizuar me teper se me te paren. Ketyre mund t'u shtohet dhe nje arsye tjeter: me te paren luftetari e kishte me te lehte ta godiste kundershtarin horizontalisht, kurse me te dyten kishte perfitim, sidomos kur ishte trupmadh, ta asgjesonte me lehte armikun me nje te rene te fuqishme vertikalisht. E njejta gje mund te thuhet dhe me perkrenaren, e cila nuk duhet te kete qene komode ne fushen e betejes. Perfundimisht, mund te thuhet se se si perkrenarja ashtu edhe shpata me trup te drejte i kane sherbyer qe kjo e dyta te jete shpata qe Papa Pali II i dhuroi Heroit, naten e Krishtlindjeve se vitit 1466[6].
Nuk ka dyshim se objekti më interesant nga armët e Heroit tonë Kombëtar mbetet përkrenarja me simbolin e saj krejt të veçantë në krye,  kokën e dhisë. Sipas Frashërit se çfare ajo simbolizon mbi perkrenaren e Skenderbeut, eshte veshtire te shpjegohet me saktesi. Mund te shpjegohet me kultin e dhise se eger, simbolin e zanave shqiptare, te cilat jetojne, sipas legjendes, edhe sot ne bjeshket e larta, perfshire edhe ne ate te Gjelagjoshit, mali qe qendron mbi krye te Qidhnes se Dibres.(prej nga Frashëri argumenton në librin e vet se ka origjinën familja e Kastriotëve)[7]. Mirëpo kulti i dhisë së egër sigurisht që ka një shtrirje më të gjerë në mitologjinë ballkanike duke datuar që në kultin e Zeusit, ku ai i hedhur nga Olimpi nga e ëma e vet, Gjea për ti shpëtuar frikës paranonjake të atit të vet Kronit që gëlltiste çdo qenie që lindte, bie në Kretë dhe ushqehet nga nga një dhi e quajtur Amaltia. Ka shenja qe tregojne se kulti i dhise se eger eshte shume i lashte. Shkrimtari romak i shekullit te I-II te eres sone S.Suetom Tanquilli (De Vita Caesarum, L.II, 12, 94) shkruan se perandori romak Augusti, gjate luftes kunder Batos se ilireve, kur arriti ne Apoloni, preu per nder te fitores se tij, nje monedhe argjendi me koken e dhise se eger[8].  Po kështu është tashmë një dëshmi e njohur nëpërmjet Plutarkut se Pirro i Epirit mbante një kokë dhie të ngjashme në përkrenaren e vet çka mund të mendohet për një kult të mirëformuar në viset epiriote ilirike. Gjatë gjithë jetës së vet, qysh prej kthimit të tij në viset atërore, Skënderbeu ndihej shumë krenar ndaj trashëgimisë epiriote-maqedonase të teritoreve të veta , fakt që dëshmohet dhe në letrën e vet dërguar Princit të Tarantit në 1461 ku nënvizon origjinën epiriotase të popullsisë arbëre. Një dëshmi tjetër është vepra e Barletit ku vazhdimisht përforcohet origjina epiriote e truajve dhe popullsisë arbëre . "Njerëzit kur veshtronin atë rini luftarake dhe kur shikonin ate lule burrash rreth Skenderbeut, nuk u dukej aq çudi qe fuqite e Muratit ishin thyer prej shqiptarevet. Me te vertete ishin kthyer ateherë përsëri shkelqimi i lashte i Maqedonise dhe dukej se kishin ardhur prape tamam, sic ishin dikur, kohet tanime te harruara te Aleksandrit dhe te Pirros"[9].
Mesa duket kjo krenari e trashëguar nga antikiteti që u rigjet sërish gjatë Rilindjes Kombëtare dhe u rishfaq më dukshëm në kohën e shtet formimit shqiptar shërbeu për përforcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve ku armët e Skënderbeut luajtën një rol të veçantë si objekte krenarie dhe dëshmuese të një formacioni politik të sukseshëm të shqiptarëve në mesjetë. Kjo ka qenë dhe një nga arsyet që me porosi te qeverise shqiptare te paraluftes, nje kopje identike e perkrenares se Skënderbeut, punuar me 1937 nga nje mjeshter i talentuar austriak, ndodhet ne Muzeun historik te Tiranës dhe në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë armët origjinale u ekspozuan në Muzeun historik. Memoria kolektive historike është një nga mjetet që sendërton fuqishëm identitetin e një popullsie dhe në rastin e etnisë shqiptare, kjo kujtesë kolektive kombëtare shërbeu si një mjet bashkues për ngjizjen e identitetit kombëtar.

Bibliografi:
1-    Ilir Ikonomi. Faik Konica.Jeta në Uashington. Tiranë: Onufri
2-    Kristo Frashëri.  Katër relikat e rralla të Skënderbeut, cituar sipas http://www.albasoul.com/modules.php?op=modload&name=News&file=article&sid=1884
3-    Gazeta Besa, 3 mars 1932






[1] Kristo Frashëri.  Katër relikat e rralla të Skënderbeut, cituar sipas http://www.albasoul.com/modules.php?op=modload&name=News&file=article&sid=1884
[2] Ilir Ikonomi. Faik Konica.Jeta në Uashington. Tiranë: Onufri, faqe 73
[3] Gazeta Besa. 3 mars 1932
[4] Kristo Frashëri.  Katër relikat e rralla të Skënderbeut, cituar sipas http://www.albasoul.com/modules.php?op=modload&name=News&file=article&sid=1884
[5] Gazeta Besa, 3 mars 1932
[6] Kristo Frashëri.  Katër relikat e rralla të Skënderbeut, cituar sipas http://www.albasoul.com/modules.php?op=modload&name=News&file=article&sid=1884
[7] Po aty, faqe
[8] Kristo Frashëri.  Katër relikat e rralla të Skënderbeut, cituar sipas http://www.albasoul.com/modules.php?op=modload&name=News&file=article&sid=1884
Kristo Frashëri.  Katër relikat e rralla të Skënderbeut, cituar sipas http://www.albasoul.com/modules.php?op=modload&name=News&file=article&sid=1884


1 comment:

Lenci said...

Dorian, interesant hulumtimi dhe lidhja qe u ben fakteve. 1 arsye me teper se cila shpate perdorej kur, mund te jete pesha e saj (perdorimi).
E para 1.2 Kg dhe e dyta 3.2Kg. Gjithashtu pesha 3Kg e perkrenares mund te shpjegoj pse e mbante ne toke dhe jo ne koke :)