Monday 7 February 2011

Quo Vadis Egjipt?









Një nga stacionet kryesore të turit të parë diplomatik të Presidentit Barack Obama në 2009 ishte vizita e tij në Egjipt. Fjalimi i tij i mbajtur në Universitetin e Kajros ishte një mesazh shumë të hapur dhe të qartë ndaj botës arabe. Në të, Presidenti Obama qartësoi drejtimet e reja të politikës amerikane në rajon, si dhe përqasjen që do i bëhej tashmë problematikës së këtyre vendeve që akoma vazhdonin të jetonin nën statusquon e regjimeve të mbetura që nga Lufta e Ftohtë në rajon. Fjalimi i Presidentit Obama u prit me entuziazëm në botën arabe, por dhe nga të gjithë ata që nuk janë për përdorimin e dhunës në zgjidhjen e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në fakt, ai hapi dhe një faqe të re në marrëdhëniet amerikano-arabe dhe Perëndim-Lindje në përgjithësi pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit të 2001 dhe ndërhyrjes perëndimore në Irak.


Por ajo që dështoi të kuptonte dhe të analizonte administrata amerikane ishte se mes gjithë atyre pjesëmarrësve që dëgjonin fjalimin e Presidentit Obama nuk kishte vetëm studentë të kënaqur nga përcaktimi i Egjiptit me një frazë klishe tashmë që e gjen në të gjitha enciklopeditë e botës, si një “vend i moderuar arab”, por dhe studentë të pakënaqur nga zhvillimi i demokracisë në vend, shtypja dhe mohimi i të drejtave të njeriut, si dhe korrupsionit të madh monopartiak i kastës ushtarako-politike që drejton Egjiptin që nga viti 1952. Në fakt, më tepër se një dështim i administratës amerikane për të kuptuar këtë lloj sentimenti të ndrydhur të mijëra studentëve të Universitetit të Kajros, por dhe të gjithë të rinjve anembanë Egjiptit, ai përcaktim ishte një reflektim i drejtpërdrejtë i rëndësisë strategjike të Egjiptit në rajon.


Pas konflikteve të ashpra me shtetin izraelit më 1948, 1967 dhe 1973 Egjipti me paqen e nënshkruar në Kemp Dejvidit të 1978 midis Presidentit egjiptian, Anuar Sadat, dhe Kryeministrit izraelit, HYPERLINK "http://en.wikipedia.org/wiki/Menachem_Begin" \o "Menachem Begin" Menachem Begin, relativisht ka qenë jashtë këtij konflikti. Kjo i ka siguruar rajonit, por veçanërisht Izraelit aleatit strategjik të SHBA-së në rajon një paqe dhe stabilitet të admirueshëm, pasi shteti me popullsinë më të madhe arabe në rajon jo vetëm që nuk ka përbërë më një kërcënim të drejtpërdrejtë për Izraelin, por dhe e ka njohur atë diplomatikisht duke hedhur kështu themelet e një politike të jashtme të moderuar në rajon. Por ajo që mund të përshëndetet si veprim i një dëshire të mirë të Egjiptit për të mbijetuar dhe për të qenë një faktor në skenën politike në rajon nuk mund të thuhet për politikën e brendshme të tij.


Prej më se afërsisht 50 vjetësh që nga realizimi me sukses i të ashtuquajturit revolucion të vitit 1952 Egjipti është drejtuar nga një kastë oficerësh të lidhur ngushtë jo vetëm në bazë të ideve të tyre, por edhe në baza nepotike duke qenë të gjithë nga e njëjta krahinë e Egjiptit të Poshtëm, Munufias. Zgjimi i ngadaltë nacionalist dhe braktisja e idesë transnacionale të otomanizmit i dhanë shoqërisë egjiptiane një motor të fuqishëm për të realizuar ndryshime të mëdha në strukturën e vet. Natyrisht që këto ndryshime nuk u realizuan pa kosto shoqërore, gjë që u pasqyrua dhe në aventurat e socializmit arab të Naserit, ekstremizmin islam të organizuar në lëvizjen e “Vëllezërve Myslimanë” dhe zëvendësimin e një klase administrative që kishte qeverisur suksesshëm Egjiptin për një kohë të gjatë me militantë të paaftë të regjimit.


Roli i Egjiptit në organizatën e vendeve të paangazhuara edhe pse nga klasa politike dhe intelektuale egjiptiane është konsideruar si një histori suksesi, në fakt pati vetëm një impakt ndërkombëtar të përmirësimit të imazhit të organizatës së Oficerëve të Lirë që erdhën në pushtet me grusht shteti më 1952, për t’i legjitimuar ata si udhëheqës të përjetshëm të vendit, ndërsa politika e brendshme që ata ndoqën sidomos në drejtim të lirive civile dhe të mendimit ndryshe ishte tërësisht represive. Egjipti mund të jetë nga të vetmet vende në botë që është drejtuar për një kohë të gjatë, që nga viti 1967 nga Ligji i Emergjencës që gjatë luftës arabo-izraelite dhe që me përjashtim të një periudhe të shkurtër prej 18 muajsh në vitin 1980, është rinovuar që nga viti 1981 me një periudhë trevjeçare. Ky ligj garanton fuqi të mëdha të policisë së shtetit për të kontrolluar jetën publike në vend, të drejtat kushtetuese janë pezulluar përkohësisht dhe censura është e legalizuar.


Ligji ndalon ashpërsisht çdo aktivitet jo qeveritar siç janë demonstratat në rrugë, organizata jo të aprovuara nga qeveria dhe donacione financiare të paregjistruara. Është e vërtetë që militantizmi islamik agresiv që ka kulmuar me vrasjen e Presidentit Anuar Sadat më 1981 ka qenë një kërcënim i vazhdueshëm ndaj stabilitetit të Egjiptit, madje kjo formë është përdorur dhe ndaj Presidentit shumë të përfolur aktual Hosni Mubarak, i cili u ka shpëtuar disa tentativave të tilla për ta eliminuar, por në të njëjtën kohë ky ligj është përdorur dhe si mjet represioni ndaj mendimit ndryshe dhe opozitës në tërësi. Në bazë të këtij ligji, në Egjipt ekzistojnë dhe të burgosur politikë, kundërshtarë të regjimit të cilët kanë kërkuar më tepër liri civile dhe ekonomike për popullin egjiptian.


Pas braktisjes së planeve të mëdha pesëvjeçare të stilit sovjetik të regjimit të Naserit, ekonomia e Egjiptit hyri në rrugën e privatizimeve dhe ekonomisë së tregut. Mirëpo ky proces, ashtu si në të gjitha vendet e tjera ku elitat politike janë të korruptuara u shoqërua nga parregullsi dhe korrupsion i madh çka çoi në pasurimin e elitës së lidhur ngushtë me pushtetin nëpërmjet monopoleve të ndryshme të mallrave të konsumit dhe zotërimit të të gjithave resorteve turistike në Detin e Kuq. Tre burimet kryesore të ekonomisë egjiptiane, të ardhurat nga kanali i Suezit, industria e pambukut, bujqësia dhe turizmi zotërohen tërësisht nga njerëzit me pushtet çka ka sjellë një ndarje jo të drejtë të pasurisë të vendit, ku tre deri në katër për qind e popullsisë i përket shtresës së pasur dhe të mesme dhe pjesa tjetër është shtresë e varfër. Edhe pse investimet publike janë gjithandej të pranishme në Egjipt, kjo gjë nuk ka mundur që ta ulë nivelin e varfërisë në vend. Mbipopullimi, anafalbetizmi dhe fanatizmi fetar kanë gjetur fole në shtresat e papërfaqësuara dhe të nëpërkëmbura, ku “Vëllazëria Myslimane” zotëron një influencë të madhe, pasi nën shembullin e “Hamas”-it në Gaza dhe “Hezbollahut” në Liban ia ka arritur të ndërtojë një shtet brenda shtetit me investimet e saj në arsim, mjekësi dhe religjion. Një nga rreziqet më të mëdha që i kanoset Egjiptit, pas largimit të Mubarakut është pikërisht ardhja në pushtet e kësaj lëvizjeje militante islamike e cila në përllogaritjet që janë bërë vazhdimisht rezulton të zotërojë 60-70% të votave nëse organizohen zgjedhje të lira dhe të pavarura.


Natyrisht që në shifra mund të jenë të ekzagjeruara dhe nga pushteti i Mubarakut, i cili ashtu si gjithë regjimet arabe, fosile të ballafaqimeve të Luftës së Ftohtë ia ka dalë mbanë të manipulojë frikën dhe shqetësimin e Perëndimit ndaj ardhjes në pushtet të islamistëve. Deri më tash, Egjipti ia ka dalë mbanë që me Kushtetutën e vitit 1971 të neutralizojë influencën fetare në jetën publike të vendit, pasi edhe pse Kushtetuta shprehet se mbështetet në Sharia Islamija, feja është e ndarë nga shteti dhe zyrtari më i lartë i fesë islame në vend, Sheiku i Al-Azharit zgjidhet nga shteti.


Mirëpo, ky ekuilibër i brishtë mund të prishet shumë shpejt, në këtë kaos që po mbisundon në Egjipt dhe të sjellë dhe një implikim të drejtpërdrejtë të Perëndimit. “Vëllazëria Myslimane” ka shpallur si pjesë të programit të vet politik qeverisjen e vendit sipas ligjit islamik çka nëse do realizohej do të shkaktonte tërmet të fortë në vend. Rreth 10% e popullsisë së Egjiptit i përket besimit të krishterë të hershëm ortodoks, të cilët njihen me emrin Kopt dhe që natyrisht do të ndiheshin të frustruar në një vend të qeverisur nga një ligj i tillë. Një nga personalitetet më të mëdha të këtij komuniteti është Budros Budros Ghali ish-sekretari i përgjithshëm i O.K.B 1992-1996. Po kështu, prishja e Traktatit të Paqes me Izraelin, fillimi i një politike armiqësore ndaj Perëndimit dhe kthimi mbrapsht në epokën e tensioneve të viteve ‘50-‘70 do të komprometonte procesin e vështirë të Paqes në Lindjen e Mesme, por do të kishte dhe pasoja të drejtpërdrejta në ekonominë europiane, pasi Egjipti prej kohësh përllogaritet të jetë një furnizues kryesor i BE-së me gaz natyror. E keqja më e madhe e regjimeve të tilla si ai i Mubarakut në Egjipt, është se nuk punojnë për pasardhësin ose në rastin më të keq nominojnë djemtë e tyre për të krijuar dinasti të paligjshme, duke lënë një vakum pushteti të rrezikshëm kur tërhiqen.


Lajmi i fundit se Mubaraku dhe i biri kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet drejtuese në Partinë Nacional Demokrate nuk është i mjaftueshëm për të qetësuar turmat në protestë, por as dhe entuziastët që po shpresojnë për një “valë të katërt demokratizimi” në Lindjen e Mesme. Kjo për arsyen e thjeshtë se shoqëria egjiptiane për një kohë shumë të gjatë nuk ka marrë frymë lirisht dhe mesazhet e tolerancës, demokratizmit dhe kalimit drejt një tranzicioni të butë do të jetë shumë më i vështirë se në vendet e Europës Lindore që zotëronin në të kaluarën e tyre historike një të kaluar demokratike. E vetmja e kaluar e tillë që mund t’i përngjajë pak asaj europiane në historinë e Egjiptit modern është sundimi i Mbretit Faruk (1936-1952) Mbretit të fundit të dinastisë së Mehmet Ali Pashës, ku u lejua pluralizmi politik dhe u organizuan zgjedhje relativisht të lira për kohën.


Edhe pse sot “shoqëria e dijeve të thelluara” e prezantuar nga mjetet e komunikimit masiv të internetit bëri të mundur që një revoltë e vogël në Kajro të merrte përmasa të mëdha dhe me formulime të qarta politike, ndërsa këto protesta vazhdojnë asgjë nuk është e qartë se si do të jetë e ardhmja e afërt. Udhëheqësi i opozitës nobelisti Muhamed El-Baradei nuk përfaqëson gjithë opozitën e mundshme egjiptiane dhe për fat të keq nuk ka kurrfarë influence në opozitën e frikshme islamike. Ashtu si në të gjitha lëvizjet spontane u pa që jo vetëm opozita egjiptiane, por dhe Perëndimi u gjet i papërgatitur për situatën që shpërtheu në Lindjen e Mesme. Deklarimet konfuze, befasia dhe ndërrimi i ngadaltë i kursit diplomatik karakterizuan qoftë diplomacinë franceze në rastin e Tunizisë dhe SHBA në rastin e Egjiptit. Në rastin e administratës së Obamës, kjo gjë është dhe e pafalshme, pasi Egjipti përbën një nga vendet më të rëndësishëm strategjikë të SHBA në rajon duke përfituar dhe një shumë prej tre miliardë dollarësh vit për vit, i dyti vend që përfiton këto ndihma pas Izraelit.


Për një kohë të gjatë ambasadorët amerikanë në Kajro kanë promovuar mbështetje dhe thirrje për reforma të thella në shoqërinë egjiptiane nëpërmjet promovimit të demokracisë liberale dhe vlerave të saj, tashmë që ajo po troket në dyert e popullit egjiptian, SHBA duhet t’i dalë zot kësaj situate. Të gjitha variantet e mundshme duhet të fillojnë të diskutohen në tavolinë në mënyrë të tillë që paqja, stabiliteti dhe tranzicioni i butë të realizohen pa viktima, dhunë, djegie dhe shkatërrime. Populli egjiptian nuk e meriton këtë fat të trishtë të harresës nën sundimin e një Presidenti “Yes Man” si ai Mubarakut deri dje dhe të amullisë dhe kaosit që ka përfshirë sot Kajron dhe gjithë qytetet e mëdha. Rreziku i shkarjes së vendit me një model sipas modelit turk, ku shtabi i ushtrisë dhe ushtria zotëron një pushtet të madh politik do të ishte një fatkeqësi për gjithë këtë lëvizje idealiste që nisi në Kajro dhe që andej për shkak të influencës së veçantë që ka Egjipti në botën arabe do të përhapet gjithandej në Lindjen e Mesme.


Po kështu, marrja parasysh dhe e restaurimit të monarkisë mund të ishte një zgjidhje e pranueshme, pasi akoma familja mbretërore me origjinë shqiptare gëzon një respekt të veçantë në shtresat e ndryshme të popullsisë egjiptiane, por dhe ka qenë një partnere e besueshme e Perëndimit për më se 147 vjet në Egjipt. Plutarku në veprën e vet “Jetë Paralele”, kur flet për biografinë e Jul Qesarit, përshkruan frikën e madhe që kishin qytetarët romanë nëse ai martohej me Kleopatrën, pasi së bashku me të do të vinte në Romë dhe despotizmi faraonik egjiptian, gjë që do të sillte shkatërrimin e republikës romane. Sot, pas një zotërimi të gjatë të despotizmit në Egjipt po ndodh e kundërta. Parimet e Demokracisë Liberale po fryjnë në Egjipt, dhe ato nuk i solli as ndonjë Kleopatër as nuk u imponuan nga lart si gjithmonë, por erdhën si një lëvizje nga poshtë që synon përfaqësimin më të mirë dhe qeverisjen më të mirë dhe si e tillë ajo duhet të ketë mbështetjen e gjithë botës demokratike dhe liberale që të mbijetojë.


No comments: