Saturday 31 March 2012

Klasa e mesme



Një nga arritjet më të mëdha të politologëve në vitet 60’ të shekullit të shkuar ishte futja e konceptit të tregut në marketimin dhe pranimin e ideve politike. Tregu me forcën e vet gjallëruese kishte filluar të jepte efektet e para në përpjekjet për fillesat e një Bashkimi Evropian dhe mekanizmat e tij të ofertës dhe kërkesës po zinin çdo ditë e më tepër vend në fjalorin politik evropian përsa i përket partive politike dhe zgjidhjeve që ato mundoheshin të afronin në kuadër të sistemit pluralist. Ky mendim i pjekur politik i parapriu dhe zhvillimit dhe lindjes së Globalizmit, ndaj në botën e pas Luftës së Ftohtë dhe të mungesës së ideologjive partitë perëndimore të të dyja skeptrave qoftë të majtë apo dhe të djathtë, e patën më të thjeshtë adaptimin në rendin e ri të ngjarjeve sesa në se do të kishin mbetur parti të mbyllura dhe që nuk reflektonin zhvillimet ekonomike e politike të kohës. Shqipëria për shkak të zhvillimeve krejt të kundërta nga ato të Evropës perëndimore ishte jashtë këtij perceptimi që po hidhte shtat në Evropë , ndaj dhe kur partitë e reja politike u ballafaquan me këtë koncept  për herë të parë pas viteve 90’ nuk arritën dot të reagonin si duhej por mbetën klasike e zhvillimit të forcave politike njëlloj si në regjimin e mëparshëm .
Të gjitha partitë politike që u krijuan trashëguan po të njëjtën filozofi  drejtimi ku spikaste autoritarizmi dhe mungesa e demokracisë së brendshme derisa nën presionin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare por dhe të presionit dhe influencës perëndimore nëpërmjet pjesëmarrjes në grupimet e mëdha politike evropiane, të djathta e të majta u arrit një normalizim i jetës së tyre të brendshme politike ku mendimi ndryshe nuk anatemohej më si herezi. Edhe pse kjo filozofi drejtimi vazhdon ende të mos e gjej veten të shprehur fuqimisht në jetën politike të partive shqiptare dhe shpesh herë dhe të cenohet në emër të një uniteti fals përballë kundërshtarit “që kërkon të na shkërmoq”, prapëseprapë dinamikat e vetë zhvillimit të jetës sociale në Shqipëri po tregon se mënyrave të vjetra dhe klasike të drejtimit po u vjen fundi. Për më tepër kësaj radhe partitë politike shqiptare për herë të parë në këto njëzet vjet tranzicion po sofistikohen dhe nga ana ideologjike më debatin tashmë të hapur midis së majtës dhe së djathtës për taksimin progresiv apo atë të sheshtë. Pa hyrë fare në detaje, ky debat ja vlen për tu përshëndetur pasi tregon se partitë politike po mundohen të gjejnë identitetin e tyre politik si dhe të përfaqësojnë më mirë interesat e votuesve të tyre tradicionalë. Këtij debati, (shpresojmë  të shëndoshë) që po zhvillohet iu shtua së fundi dhe përcaktimi për herë të parë i klasës së mesme një koncept tashmë shumë i rrënjosur në mendimin politik evropian.
E perifrazoi Blushi në artikullin e tij të gjatë për të majtën në Shqipëri, e perifrazoi dhe kryeministri kur deklaroi se një nga shenjat e ndryshimit të Shqipërisë është dhe ekzistenca e klasës së mesme në jetën sociale të vendit, perifrazime këto që tregojnë se më së fundi u hoq dorë nga mentaliteti për të zotëruar intelektualët, një përpjekje që ka karakterizuar partitë politike shqiptare sa herë kanë dashur të sjellin prurje të reja në parti. Ky emërtim që u bëhej të gjithë atyre që kanë kryer arsimin e lartë në Shqipëri dhe që për hir të së vërtetës tingëllonte shumë demode pasi vazhdonte ti mbetej besnik ndarjes së shoqërisë në kohën e regjimit komunist ku shtresa e inteligjencës zinte një vend të veçantë kishte asfiksuar mendimin politik shqiptar në formën e KOP-it dhe Mjaft-it. Tashmë kohët kanë ndryshuar, në skenë prej kohësh ka dalë një shtresë që prodhon dhe mban me energjitë e saj gjithë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë e që patjetër kërkon më tepër përfaqësim politik për të vendosur dhe për fatet e saj që janë të lidhura shumë ngushtë dhe me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Pyetja shtrohet a është e mundur dhe si mund të përfaqësohet kjo shtresë? Vetëm majtas? Pse jo djathtas? Ku mund ta gjejë veten më mirë dhe përse? Si shikohet nga numri i gjatë i pyetjeve dhe dilemave duket që debati vetëm sa ka nisur sepse për tu zbatuar në praktikë ka një rrugë të gjatë përpara. Vetëm se disa të dhëna na vinë në ndihmë për të shkoqitur më mirë terrenin se ku zhvillohet ky debat. Një deklarim i para disa muajsh nga INSTAT dhe i transmetuar në mediet vizive shqiptare tregonte se depozitat e shqiptarëve në sistemin tonë bankar zotëroheshin në masën 50 % prej 4 % të depozituesve shqiptarë kurse 96 % e tyre zotëronte pjesën e mbetur. Ky lloj hendeku i madh i krijuar në shoqëri në fakt nuk lë shumë vend për entuziazëm pasi në një verifikim të shpejtë rezulton që ky 4 % është dhe një grup vendimtar që jep mbështetjen e tij financiare në zgjedhjet që zhvillohen në Shqipëri dhe që shpesh herë ka zgjedhur përfaqësues të vet në parlament. Dashur pa dashur ky fakt, nisur dhe nga denoncimet e vazhdueshme që ka bërë komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri për blerjen e votës na kujton sistemin e mëparshëm të votimit në Shqipëri në vitet 20’, ku votonin ata që quheshin përfaqësues të popullit dhe të një numri të caktuar popullsie  dhe që zakonisht ishin  njerëz të pasur dhe fisnikë që zotëronin toka. Klasa e mesme së pari duhet të zgjidhë këtë deformim të dhimbshëm të vullnetit popullor para se të fillojë së zgjedhuri majtas apo djathtas. Dhe së fundi duke perifrazuar fabulën e njohur tashmë të Blushit për futjen e elefantit në shishe, mendoj se dilema më e rëndësishme është se ç’fjalë do ti thuhet elefantit për ta bindur të futet në shishe sesa ndryshimin e shishes apo dhe të vetë elefantit. Kjo e para besoj se mbetet sfida më e madhe që ky debat pritet të përballojë në rrugën e vet për caktimin e rolit të drejtë të klasës së mesme në jetën publike dhe shoqërore shqiptare. 


Tuesday 20 March 2012

Bektashizmi në Egjipt gjatë dinastisë shqiptare (1805-1952)

                         
Ne foto:  Dervishe shqiptare duke shetitur ne tarracën e teqese e tyre në Kajro. Ne sfond duket xhamia e Mehmet Ali Pashes


Bektashizmi është një nga sektet mistikë islamë më të vjetër në Shqipëri. Si i tillë  ai mendohet u përhap në fillimet e shekullit të XVII, shekull i cili përkon dhe me islamizimin masiv të shqiptarëve. Shumë shpejt brenda një shekulli sekti i Bektashinjve u bë një nga sektet mistikë më popullorë dhe më me influencë në Shqipëri. Megjithëse  Bektashinjtë pretendojnë se kanë qenë prezentë në Shqipëri përpara Otomanëve qysh në shekullin e XIII, pretendim ky i mbështetur në legjendat e shekullit të XIII të  Sari-Salltikut me qendër qytetin e rrethinat e Krujës[1], ishte vetëm fundi i shekullit të XVIII që shënon dhe fuqizimin e tij. Rritja dhe fuqizimi i sektit mistik të Bektashinjve ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të ndryshëm të cilët kanë dhënë arsye të ndryshme për ta shpjeguar këtë fenomen. Hulumtimet e tyre janë përqendruar më shumë në të ashtuquajturin natyrë liberale të sektit si dhe manipulimin e situatës religjioze në Shqipërinë e pushtimit otoman[2].Shpesh herë këto përfundime janë kundërshtuar nga mendimtarët bektashinj ku ndër ta spikasin Baba Rexhepi në veprën e tij “Misticizma Islame” dhe Baba Selim Kaliçani, kur ky i fundit nënvizon në veprën e vet “Testamenti Bektashian”se bektashinjtë jo vetëm që kryejnë namazet e përditshme në mejdanet e tyre dhe besojnë tërësisht në Shari’at por kryejnë dhe dy falje të tjera të rekomanduara në mëngjes dhe në mbas dite[3].Mbështetja e fuqishme që kish sekti nga feudalët shqiptarë si Ali Pasha Tepelena në fakt zbulon një faktor tjetër përcaktues për fuqizimin e tij në këtë periudhë.[4] Ajo lidhet ngushtë me mbështetjen që kishte sekti në radhët e ushtrisë në Perandorinë Otomane. Sekti i Bektashinjve kish përfaqësuar tradicionalisht trupat jeniçerë pasi besohej gjerësisht se në sajë të influencës së Haxhi Bektash Veliut këto të fundit kishin pranuar Islamin dhe kishin shënuar në këtë mënyrë një numër të madh fitoresh për sulltanët otomanë. Shekujt e XVI-XVII përkojnë dhe me zgjerimin e vazhdueshëm të Perandorisë Otomane ku trupat jeniçere luanin një rol të madh në fushatat pothuajse të përvitshme të otomanëve në të tre kontinentet Evropë , Azi dhe Afrikë. Është e rëndësishme të theksohet se përreth 100 oficerë të lartë të jeniçerëve ishin shqiptarë , çka përbën një fakt më tepër për të kuptuar vlerësimin dhe reputacionin që gëzonte sekti në qarqet religjioze, politike dhe natyrisht mes popullit të thjeshtë.[5]
Nga ana tjetër shqiptarët ishin të njohur në Perandorinë Otomane për shërbimet mercenare që afronin. Duke qenë ushtarë në trupat e zgjedhura jeniçere ata ishin në kontakt të vazhdueshëm me Bektashizmin dhe praktikat e tij. Shpesh herë ata vendoseshin në vendet në të cilat shërbenin duke mbajtur gjallë praktikat e tyre fetare. Kështu që Bektashizmi përveçse rolit të një doktrine dhe sekti fetar islamik për të përmbushur kërkesat shpirtërore të shqiptarëve që shërbenin në trupat jeniçere shpesh herë shërbeu dhe si formacion ideologjik për të artikuluar qëndrimet e tyre politike dhe vet identifikuese në detin e gjerë të kombësive që përbenin Perandorinë Otomane.
Një rast i veçantë i përfshirjes të shqiptarëve dhe ndoshta më i suksesshmi në krijimin e një dinastie sunduese në tokat e Perandorisë Otomane është karriera e Mehmet Ali Pashës- krijuesit të Egjiptit modern. Instalimi i tij në Egjipt, marrja e pushtetit dhe themelimi i dinastisë sunduese janë interesante jo vetëm për sa i përket fatit të një oficeri të ushtrisë mercenare Otomane, por dhe për të zbuluar botën shpirtërore, religjioze të elitës  që mori pushtetin në fillimet e shekullit të XIX në një nga truajt më të lashtë të civilizimit botëror. Mehmet Ali Pasha dukej se i përkiste sektit të bektashinjve[6]. Ai kish lindur në Kavala një qytet në Maqedoninë Otomane shumë afër qendrave bektashianeve të Turbalisë dhe Dimiotekës. Gjatë sundimit të tij dhe dinastisë të trashëgueshme që krijoi Bektashizmi nuk do të përhapet dhe fuqizohet si në rastin e pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës, por do të ruhet më tej trashëgimia bektashiane që ai gjeti në Egjipt dhe gjithmonë sekti dhe teqetë e tij do të trajtoheshin me respekt.
            Bektashizmi në Egjipt para se të vinte në pushtet Mehmet Ali Pasha nuk ishte një sekt i panjohur por në të njëjtën kohë nuk ishte dhe aq i përhapur si në Ballkan. Ky kufizim në përhapjen e tij nuk kish ardhur si rezultat i prosiletismit të dobët nga ana e misionarëve bektashinj por i dedikohej më tepër konkurrencës së gjatë midis Kajros dhe Stambollit se kush do të ishte qendra e Kalifatit Islam. Në vitin 1517 kjo situatë ndryshoi, pasi sulltan Selimi I pushtoi Kajron duke i dhënë kështu fund kalifatit të Kajros dhe duke zhvendosur qendrën e tij në Stamboll. Ai u bë në këtë mënyrë, Sulltani i parë turk që mbante këtë pozitë. Në këtë periudhë besohet se Bektashizmi fillon të rrisë prezencën e vet në Egjipt, sepse midis trupave pushtuese ishin dhe rreth 5000 trupa jeniçere[7]. Gjithsesi kjo prezencë nuk shënon ndonjë popullarizim të madh të sektit në popullsinë vendase. Një arsye  që sekti i Bektashinjve nuk fitoi popullaritet të menjëhershëm në Egjipt si në vendet e Ballkanit mund të ketë qenë se popullata e Kajros- një nga kryeqendrat e Islamit Sunni që nga kohët më të hershme të përhapjes së fesë Islame, e kishte të vështirë të pranonte sufizmin e tribuve turkmene. Ashtu si është pranuar gjerësisht, Bektashizmi i kish rrënjët e tij në lëvizjen të njohur si “Turkmen Baba”. Ndjekësit e sektit flisnin turqisht dhe sillnin në praktikën e tij, praktika të vjetra fetare si tipare shamaniste, priftërinj magjistarë që thërrisnin shpirtrat, fjalë tabu etj[8]. Një shembull i mirë për të ilustruar këtë vështirësi të Bektashizmit për tu bërë popullor në Kajro është fakti se dhe kur u hap teqeja e parë bektashiane eKaygusuz Sulltanit në Kajro, vendasit nuk mund ta shqiptonin emrin e teqesë dhe e ndryshuan atë në teqeja e Sheh Abdullah al- Maghauari(i shpellës)[9]
Egjipti, në fakt dhe pas pushtimit otoman mbeti një nga provincat më të pa stabilizuara të perandorisë dhe për tre shekuj u bë një shesh beteje midis jeniçerëve dhe mamlukëve. Këta të fundit edhe pse u mposhtën nga sulltan Selimi i I, vazhduan të mbajnë pozita të forta në pashallëkun e Kajros. Duke e konsideruar Bektashizmin si sektin e jeniçerëve, ata e luftonin vazhdimisht atë. Kjo armiqësi dhe arsyet që përmendëm më  bënë të mundur që nga tre teqe që përmenden se ekzistonin në Egjipt më 1570, të mbijetonte vetëm një deri në vitet 50’ të shekullit tonë.[10]
Ardhja në pushtet e Mehmet Ali Pashës nuk ndryshoi balancat porsa i përket realitetit fetar që mbizotëronte në Egjipt. Kjo ndodhi pasi dhe shqetësimi i tij kryesor nuk ishte besimi fetar por sigurimi i vazhdimësisë së pushtetit të vet. Duke gjendur një realitet të ndryshëm fetar nga ai i Ballkanit, sundimtari i ri i Egjiptit u mundua të depërtonte në brendësi të  këtij realiteti dhe jo ta ndryshonte. Nuk ka të dhëna nëse ai u mundua të mbështeste pushtetin e vet në një stabiliment bektashian si u mundua të bënte Ali Pasha Tepelena,[11] por disa aspekte të influencës së Bektashizmit në qeverisjen e tij mund të vërehen.
Në fillim, duke e kuptuar rëndësinë që përbënte pushteti fetar në Kajro ai u mundua që ta bënte për vete këtë pushtet. Pasi ia arriti qëllimit që të kishte me vete si Umar Makram, kryetarin e ashraf(pasardhësit e Profetit Muhamed) dhe Sheikun e Al-Azharit universitetit më të vjetër të kulturës Islame, ai u përpoq ta dobësonte këtë pushtet duke luajtur rolin Makiavelik e nxitjes së mërisë dhe dualitetit midis tyre.[12]Ashtu si dhe në fushat e tjera të pushtetit, sundimtari i ri i Egjiptit i rezervoi vetes rolin e gjykatësit sipëror duke mos lejuar që fjala e tij të bëhej dysh. Duke pasur këtë plotfuqishmëri në vendimmarrje ai bëri të mundur të ushtronte një politikë të brendshme deri atëherë të paparë në Pashallëkun e Kajros. Baza e kësaj politike ishte toleranca fetare e cila ashtu si dhe në pashallaket shqiptare në Ballkan kish dhënë rezultat në çlirimin e energjive të reja dhe në administrimin më të mirë të territorit. Ai do të bëhej pionieri i përfshirjes së të krishterëve koptë , armenasve dhe grekëve në administratën e tij. Besnikët dhe bashkëpunëtorët të tij ishin jo vetëm myslimanë por dhe koptë, ortodoksë, grekë e armenë, hebrenj dhe të krishterë të Perëndimit. Barazia e fesë ishte e shkruar me ligj.[13] Kjo praktikë madje u shtri dhe në territoret e tjera të Levantit që Mehmet Ali Pasha qeverisi për më se 10 vjet, 1830-1840. Mësime tolerante islamike porsa u përket popullsisë jo myslimane të cilat më parë krijonin komunitete gjysmë të izoluara u vunë në praktikë pasi administrata egjiptiane deklaroi barazi midis racave dhe besimeve fetare. Dallime të vjetra midis komuniteteve u ndaluan,liria fetare dhe taksat e rënda ndaj pelegrinëve të krishterë që vizitonin Jerusalemin u hoqën.[14] Kjo politikë vazhdoi dhe në situatat e rënda të luftës, kur flota e tij në Peloponez u shkatërrua në betejën e Navarinos, ai nuk ndërmori masa represive ndaj komunitetit grek që banonte në territoret e tij ashtu si ndodhi në Stamboll menjëherë pas shpërthimit të Revolucionit grek. Procedura tradicionale diskriminuese u ndaluan me ligj dhe postet qeveritare u bënë të mundur të punësoheshin dhe të krishterë, të cilët filluan të shërbejnë si përfaqësues të Këshillave administrative duke shtruar kështu rrugën e harmonisë fetare në vend.[15]
Harmonia fetare krijoi bazën e duhur për të fituar simpatinë dhe përkrahjen e gjithë Egjiptit në konfliktin e tij të mëvonshëm me Perandorinë Otomane. Në fakt, pa kuptuar Mehmet Ali Pasha me politikën e tij të brendshme hodhi bazat e formimit të kombit egjiptian. Edhe pse gjatë kohës së sundimit të tij shënon valën e emigrimeve të shqiptarëve të cilët në një pjesë të madhe i përkisnin sektit të Bektashinjve pasi vinin nga jugu i Shqipërisë[16], Bektashizmi por dhe koncepti iShqiptarisë[17] nuk evoluan drejt një statusi më të privilegjuar. Kjo ndodhi për shkak të dualitetit që Mehmet Ali Pasha dhe pasardhësit e tij ndjenin ndaj etnicitetit të tyre dhe identifikimit me vendin që sundonin, besimit të tyre fetar dhe besimit fetar të gjithë vendit. Gjatë një diskutimi që ai pati me princin Pucler-Muskau ai tha atij se: “Unë kam marrë pjesë në shumë beteja të frikshme dhe pavarësisht kësaj unë kam zhvilluar një ndjenjë të veçantë që më lidh mua me Egjiptin, atdheun tim të adaptuar. Asnjëherë nuk jam bekuar me pushim dhe paqe dhe kjo ka ardhur pasi Egjipti për mua i ngjan një fëmije të privuar që s’mund të gjejë njeri ta ndihmojë, një fëmijë që ka ndenjur për shumë vite në gjumë. Unë duhet të luaj për të rolin e prindit, të zotit dhe shërbyesit, të gjykatësit dhe mësuesit.[18] Kjo ndjenjë e thellë ndaj vendit të tyre të adoptuar zbulon sesa i rëndësishëm ishte për të Egjipti.
Gjithsesi jo të gjithë shqiptarët e diasporës në Egjipt mendonin në të njëjtën mënyrë. Kur filloi zgjimi kombëtar i shqiptarëve 1840-1912, kolonia shqiptare e Egjiptit u shndërrua në një nga kolonitë më aktive për sa i përket Rilindjes Kombëtare. Teqeja e Kaygusuz Sulltanit në Kajro u bë një vend takimi për gjithë shqiptarët në Egjipt. Numri i tyre besohet se ishte rreth 50.000 që nga koha e ardhjes në pushtet e Mehmet Ali Pashës. [19]Një pjesë e madhe e tyre ishin pasues të sektit të bektashinjve pasi vinin nga radhët e ushtrisë por influenca e sektit ishte e dukshme dhe në komunitetin e krishterë shqiptar të Kajros. Kështu kur Andon Zako Çajupi , poeti më i madh i kolonisë së Kajros botoi përmbledhjen e parë të poemave në gjuhën shqipe, titulli i saj ishte “Baba Tomori” që i referohej vendit të shenjtë të bektashinjve në Shqipëri.
Komuniteti shqiptar i Kajros kish përkrahjen dhe mbështetjen e familjes së Khedivit( zëvendës mbretit) jo vetëm për të ushtruar lirisht aktivitetin politik por dhe në fushën e besimit fetar. Ekzistojnë disa të dhëna që tregojnë hapur respektin e madh që kishin pasardhësit e Mehmet Ali Pashës për teqenë eKaygusuz Sulltanit dhe baballarët bektashinj. Kështu pas masakrës të jeniçerëve në 1826 në Stamboll, sekti i Bektashinjve u lejua të riorganizohej sërish në 1839 dhe shumë prej tyre emigruan në Egjipt ku familja sunduese u dha mbështetje[20]. Edhe në kohët moderne pas dëbimit të Bektashinjve nga Turqia në 1925 ata u mirëpritën në Egjipt. Kur Baba Ahmet Sirri Dede dhe pasuesit e tij u larguan nga Turqia , ai lundroi drejt Aleksandrisë, ku i uroi mirëseardhjen mbreti Fuad. “Këtu ata kanë një foto ku mbreti i puth dorën Baba Ahmedit dhe i uron mirëseardhjen në bordin e anijes. Baba Ahmet Sirri Dedi u mirëprit me të gjitha nderet sipas rangut të tij. Nuk duhet harruar se familja mbretërore ishte shqiptare dhe e konsideronte atë si një udhëheqës shpirtëror.[21]”Për më tepër në teqenë bektashiane ndodhen dhe varret e disa pjesëtarëve të familjes mbretërore si varri i princit Qemaledin(1874-1932), djalit më të madh të Sulltan Husein Qemal. Pas vdekje së babait të tij më 1919, ai u hoqi dorë nga marrja e pushtetit, duke preferuar të ndjekë pasionet e tij në arkeologji dhe koleksionet e veprave të artit. Thuhet se ai ishte një vizitor i rregullt i teqesë. Një varr tjetër është ai i princeshës Zejnebe, vajzës së Ismail Pashës, nipit të Mehmet Ali Pashës.[22]Teqeja vizitohej shpesh dhe nga mbreti Faruk(1936-1952) [23]Edhe kur u mbyll teqeja në vitin 1952 një nga arsyet ishte se Baba Ahmet Sirri Dedi dhe pasuesit e tij u akuzuan si të huaj dhe menjëherë u soll në vëmendje se shumë dervishë dhe myhypëtë teqesë ishin shqiptarë dhe kishin gëzuar gjithmonë përkrahjen e familjes mbretërore.[24]
Kështu edhe pse historia e Bektashizmit në Egjipt nuk fillon me praninë e shqiptarëve aty, nuk mund të anashkalohet fakti se ai mundi të mbijetonte dhe të zhvillonte normalisht aktivitetin e vet derisa vazhdoi dinastia shqiptare të sundonte Egjiptin. Ai mbeti në fakt një çështje shpirtërore e diasporës shqiptare dhe nuk pati një masivizim në popullsinë vendase. Edhe pse ai daton në Egjipt qysh në shekullin e XIII, është vështirë të pretendohet për një histori suksesi si ajo e përhapjes së tij në Shqipëri. Bektashizmi në Egjipt veçanërisht pas vitit 1826 mund të konsiderohet një derivat i Bektashizmit shqiptar. Ai pati një efekt lokal në sjelljen afër të komuniteteve myslimane dhe të krishtera të shqiptarëve emigrantë dhe në të njëjtën kohë nëpërmjet influencës së vet në familjen mbretërore të Egjiptit kontribuoi në krijimin e kulturës së tolerancës së besimeve fetare në Egjipt. Kjo kulturë tolerance akoma e dallon Egjiptin mes vendeve të tjera të Lindjes së Mesme.



Bibliografi

Libra: 1 Baba Selim Kalicani, Testamenti Bektashian
             2: Emin Azemi-Shkelzen Azemi, Shqiptarët e Egjiptit, Logos Shkup:1993
             3 Ger Duijzings, “Religion and the Politics of Identity in Kosovo”,        
                 Hurst&Company London: 2000
             4: Gilbet Sinoue. Faraoni i fundit. Globus R. Tiranë: 2006     
             5:  Historia e shtetit,shoqërisë dhe qytetërimit osman, Volumi I Tiranë:2009   
             6: Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Përpjekja. Tiranë:2009
             7: Nexhat Ibrahimi, Islami në  trojet  Iliro-shqiptare gjatë  shekujve, Logos-A –  
                 Shkup 1998

Periodikë: 1: Fayza Hassan, “The people of the cave” Al-Ahram Weekly, 7 -13
                       December 2000, Issue No.511
                   2: Latifa Mohamed Salem, “Levantine experience”, Al-Ahram Weekly  27                     
                        October 2 November 2005, Issue No. 766, Special series Mohammad Ali
                        (1805-2005)
                    3: Magdi Guirgus, Restructuring Egyptian society, Al-Ahram Weekly 15 - 
                       21 September 2005 Issue No. 760, Special series Mohammad Ali (1805-  
                     2005)
                    4: Salah Abu Nar, Mohammad Ali’s ideological project, Al-Ahram Weekly 4
-         10 August 2005, Issue No. 754 Special series Mohammad Ali (1805-2005)

Sites: 1: Ali Akbar Ziaei “Sufism in Albania during Ottoman Empire”, http://sarajevo.icro.ir





[1] Nexhat Ibrahimi, Islami në  trojet  Iliro-shqiptare gjatë  shekujve, Logos-A – Shkup 1998


[2] Shih për më tepër Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Dituria, Tiranë:2006, Ger Duijzings, Religion and the Politics of Identity in Kosovo, Hurst&Company London:2000


[3] Baba Selim Kalicani, Testamenti Bektashian, faqe 48


[4] Shih për më tepër Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Dituria, Tiranë:2006, Ger Duijzings, Religion and the Politics of Identity in Kosovo, Hurst&Company London:2000


[5] Ali Akbar Ziaee “Sufism in Albania during Ottoman Empire”, http://sarajevo.icro.ir


[6] Ali Akbar Ziaee “Sufism in Albania during Ottoman Empire”, http://sarajevo.icro.ir


[7] Historia e shtetit,shoqërisë dhe qytetërimit osman, Volumi I Tiranë:2009, page 52-56


[8] Peter Bartl,Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Dituria, Tiranë:2006, faqe 123


[9] Fayza Hassan, “The people of the cave” Al-Ahram Weekly ,7 -13 December 2000, Issue No.511


[10] Ibid


[11] Shih për më tepër Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Dituria, Tiranë:2006, Ger Duijzings, Religion and the Politics of Identity in Kosovo, Hurst&Company London:2000


[12] Magdi Guirgus, Restructuring Egyptian society, Al-Ahram Weekly  15 - 21 September 2005 Issue No. 760, Special series Mohammad Ali (1805-2005)


[13] Gilbet Sinoue. Faraoni i fundit. Globus R. Tiranë: 2006,faqe 16



[14] Latifa Mohamed Salem, “Levantine experience”, Al-Ahram Weekly  27 October - 2 November 2005
Issue No. 766, Special series Mohammad Ali (1805-2005)


[15] Ibid


[16] Shih për më tepër Peter Bartl, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, Dituria, Tiranë:2006, Ger Duijzings, Religion and the Politics of Identity in Kosovo, Hurst&Company London:2000


[17] Shih për më tepër Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Përpjekja. Tiranë:2009. E kam fjalën për krijimin e identitetit kombëtar.


[18] Salah Abu Nar, Mohammad Ali’s ideological project, Al-Ahram Weekly 4 - 10 August 2005, Issue No. 754 Special series Mohammad Ali (1805-2005)


[19] Emin Azemi-Shkelzen Azemi, Shqiptarët e Egjiptit, Logos Shkup:1993, page 45


[20] Fayza Hassan, “The people of the cave” Al-Ahram Weekly ,7 -13 December 2000, Issue No.511


[21] Ibid


[22] Ibid


[23] Emin Azemi-Shkelzen Azemi, Shqiptarët e Egjiptit, Logos Shkup:1993, page 76


[24] Fayza Hassan, “The people of the cave” Al-Ahram Weekly ,7 -13 December 2000, Issue No.511



Revista Univers Nr.11



Friday 16 March 2012

Femrat



Thumba të ngulura në rrugë
gjysëm të gjalla, gjysëm të mëveshëta
vozisin si anije që presin
të ankorojnë në porte gjithë jetë e gjallëri
gaz dhe hare
Ora 5 është boria e tyre,
bori që nuk lëshon tym e nuk tremb njeri
të hallakatura në vorbulla jete
ngarkuar me trasta dhe tualet
me revoltë të pashprehur dhe rimel
nxitojnë të përkujdesen për gjithçka
në atë vend që quhet shtëpi
por për to ska prehje.
Të gjithë presin nga femrat,
të gjithë i thurin himne mollëve që kafshojnë,
por Evat e vërteta i lënë nën hijen e pemëve
si thumba të ngulura në tokë por që një ditë
s’do ngulen më gjëkundi por do të mbeten në kujtesën e ajrit
si buzëqeshje të ciltërta që afruan gjithçka....


Etër dhe bij


Një nga romanet më të famshëm të letërsisë botërore të shekullit të XIX, është romani “Etër dhe bij”(1862) i shkrimtarit rus  Ivan Turgeniev (1818-1883). Romani është bërë i famshëm jo vetëm si përfaqësues i denjë i një letërsie të re që po lindte ndjenja të larta estetike dhe shpirtërore siç ishte letërsia e re ruse por dhe sepse në të  përshkruhen si ngjarje kryesore kontradiktat midis brezave. Personazhi kryesor i romanit Bazarovi një i ri fisnik rus i përket rrymës filozofike të nihilizmit dhe për rrjedhojë ai përçmon dhe nënvlerëson idetë e vjetra të prindërve të tij. Ajo çka ndodh në fakt në roman nuk ishte një fenomen i ri që i përkiste vetëm shoqërisë ruse të kohës por ashtu si e theksojnë shumë antropologjistë dhe sociologë modern ishte një pasqyrim i idesë se  revolta e parë e njeriut është ajo ndaj autoritarizmit të prindërve të vet.
Jehona të këtij konflikti mund të gjenden gjithandej në letërsitë botërore dhe në fusha të tjera të jetës ku sigurisht dhe shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim. Madje në Shqipëri për shkak të vështirësisë së ndërrimit të elitave ky fenomen vazhdon të jetë i pranishëm dhe i dukshëm në të gjithë ligjërimet publike jo vetëm të politikanëve por dhe personaliteteve të ndryshëm publikë në fusha të tjera si arti dhe shkenca. Veçse në Shqipëri ky debat i përjetshëm ka një veçori të ndryshme nga vendet e tjera. Në kundërshtim me çka me të vërtetë e kërkon logjika e ngjarjeve ku brezi i ri duhet të jetë kritikuesi dhe të ketë marrë revanshin ndaj brezit të vjetër, në fakt ndodh e kundërta. Sot në Shqipëri pas 20 vjetëve të rrëzimit të regjimit  komunist vazhdon të jetë në pozicione kryesorë të drejtimit të shtetit  elita e krijuar gjatë këtij regjimi. Po kështu vlerat shpirtërore dhe artistike vazhdojnë të dominohen nga personalitete të cilët sërish u formuan në atë regjim dhe që hierarkinë e vlerave e fillojnë sërish nga vetja.
Parë në këtë kontekst një nga intervistat e fundit që ka dhënë ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano e ilustron më së miri këtë dukuri. Pyetjes se nëse Partia Socialiste do i hapte dyert për tu kthyer si “djali plëngprishës” Fatos Nano, iu përgjigj me arrogancë se “Unë jam babai i tyre”. Përtej shijimit të batutës  për të cilat është shumë i njohur ish-kryetari i Partisë Socialiste, në deklaratën e tij ka një reflektim të vetëkënaqësisë  dhe vetëvlerësimit, i cili është problematik në një shoqëri demokratike. Sot kur lexojmë për historinë e themelimit të SH.B.A   gjejmë referenca për George Washington,Benjamin Fraklin, John Adams, Thomas Jefferson, John Jay, James Madison, dhe Alexander Hamilton  që konsiderohen  si Etërit e mëdhenj të themelimit të  demokracisë amerikane, një vlerësim dhe përcaktim që ata nuk e morën në gjallje por shumë më vonë nga studiuesit pasardhës që vlerësuan veprimtarinë e tyre të denjë. Po kështu të njëjtin vlerësim si Etërit themelues të Bashkimit Evropian kanë  marrë dhe Jean Monne dhe Roberst Schuman për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për unitetin dhe çuarjen përpara të idesë së Evropës së bashkuar. Por a mund të vlerësohen me këtë emërtim përsa i përket themelimit të demokracisë shqiptare dhe përfaqësuesit e elitës së viteve 90’ që realizuan transformimin e sistemit, shumica e të cilëve janë të formuar në korrentet e revolucionit kulturor kinez të viteve 70’ dhe zbrazëtisë ideologjike që afronte i ashtëquajtuara lufta e klasave.
Natyrisht që paralelizmi nuk mund të qëndrojë nëse i hidhet në një shikim të shpejtë veprës së këtyre “etërve” të demokracisë shqiptare dhe arrin të perceptosh se në të nuk mund të ketë shumë gjëra për tu krenuar. Shqipëria përjetoi tranzicionin më të gjatë politik dhe më të dhimbshëm se të gjitha vendet e tjera të ish-lindjes duke u integruar e fundit në NATO dhe duke përfituar e fundit liberalizimin e vizave. Në vitin 1997 vendi, si asnjë vend tjetër i ish-lindjes komuniste shkoi në prag të luftës civile dhe mbi 1/3 e popullsisë emigroi gjatë këtyre viteve, eksod pothuajse biblik që me statistika ia kaloi dhe shpërnguljes së popullsisë shqiptare në shekullin e XV si rezultat i pushtimit otoman të vendit. Sistemi i vlerave materiale dhe shpirtërore që ndërtuan këta  “etër” nuk është një reflektim i shoqërisë së prapambetur shqiptare në krahasim me vendet e tjera lindore si shpesh herë pretendojnë për ti shpëtuar përgjegjësisë para historisë, por një vepër drejtë për së drejtë e sistemit të klientelës servile ndaj pushtetit,nepotizmit rrënues dhe korrupsionit shkatërrues të tyre. Për më tepër ata kanë vrarë dhe shpresën pasi të rinjtë që kanë promovuar në politikë dhe në fusha të tjera të jetës janë një klonim i drejtë për së drejtë i tyre duke mos shkaktuar asnjë ndërrim cilësor elitash që rrjedhimisht do të sillte dhe një zhvillim më të hovshëm të vendit por duke parë se ç’kanë afruar këta të rinj deri tani në politikë mund të vlerësohen kollaj  sipas  shprehjes shqiptare “bëmë baba të të ngjaj”. Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë ka ardhur koha që shqiptarët të fillojnë të përjetojnë rigjallërimin e tyre si komb dhe krahas etërve të pavarësisë shqiptare të fillojnë të krijojnë Etërit e vërtetë të zhvillimit,prosperitetit dhe mirëqenies ekonomike, diçka që fatkeqësisht elitat dhe “etërit” e ndryshimeve të viteve 90’ nuk arritën dot ti krijojnë.

Gazeta Shqip 15.03.2012 


Thursday 15 March 2012

Konica



Faik Konicës


Ky qytet,
shtrihet si gliko Leskoviku në pjatë
mes maleve me ngrica,
në hyrje te tij kish dale te me uronte mirëseardhjen
 vete Faik Konica.




Tuesday 13 March 2012

Molla



Rruga gjarpëron mes kodrash,
buzëqeshja të gjarpëron nëpër kurm
gjarpri, gjarpëron nëpër mollë
Ç’mëkate vallë sot do shijojmë?
Pemët dhe gjethet s’janë asgjë
as retë gushëpëllumbi që feksin që larg
është vetëm fjala ime që përpiqet të zërë vend
gjithandej shpërndarë nëpër kurmin tënd
se e para ishte fjala dhe pastaj erdhën të tjerat
më thuaj, më thuaj,
ku të gjallon fjala të dua?
ç’lirishta të kurmit rrisin mollët e mëkatit?
ç’dallim ka mes të dashuruarit dhe të ngratit?
Rruga gjarpëron mes kodrash
e asnjëherë s’është e drejtë
njeriu përpiqet ta gjejë vetë rrugën
e gjithmonë mes vetes humbet




Sunday 11 March 2012

Letër e Don Kishotit drejtuar njerëzimit





Unë kalorësi fisnik,
Don Kishoti i Mancës,
i tallur  e i quajtur pa të drejtë
nga shoku im i ngushtë Miguel Servantes
si Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur
dëshmoj përkundrejt gjithë botës
se nuk kam pasur asnjë fije marrëzie
në kokën time të dreqosur,
se të gjitha ç’janë shkruar për mua
janë pjesërisht të vërteta
ashtu si është në fakt dhe vetë jeta.
Se pasioni im për Dulqinjën
nuk është i vërtetë
Servantesi e dashuronte atë vajzë
por skish guxim ti fliste vetë
e patëm parë të dy nën dritën e hënës
ku vajzat në lumë si në rite pagane
laheshin lakuriq
Servantesi sa e pa bukuroshen e Tobozës
u mahnit dhe u mblodh në vetvete si iriq
na detyroi që të tërë ditët
për të në Tobozë ti kalojmë
e vajzat e tjera ti harrojmë
iu ngjitëm nga pas si hije
se ku shkonte , kë takonte
çfarë bënte, çfarë librash lexonte
Për atë Zot, Servantesit i kish marrë koka erë
dhe jo mua si lexoni nëpër libra të tërë
Sanco Panca që në libër ma vuri si shqytar
i Dylqinjës, ishte kushuri i parë
qe vërtetë pak tarollak e kokë bosh
por dinte si të nxirrte lekë se ishte ca kodosh
e nxirrte Dulqinjën shëtitje që ne ta takonim
i fliste mirë për  Servantesin
e shante të tjerët që i afroheshin
S’është e vërtetë aspak se unë doja
 kalorësitë e kohës së parë,
në biseda me Servantesin vetëm thoshja
se bota do ish më e mirë pa zbuluar paranë
Por më në fund prapë dhe Servantesi u dorëzua
i shkruajti të gjitha historitë tona
 sipas mendjes së vet 
dhe për to u pagua
Gëzoi , emër nder dhe famë
 mua më rezervoi fatin e
Kalorësit të Marrë
Ndaj unë u shkruaj me zemër të hapur
besomëni vetëm në idealet e mia pa u tallur
Besoni kur flas për barazinë,
drejtësinë e lirinë
e mos më gjykoni nga pasioni i çmendur
për të ëmblën Dylqinjë.
Servantesin e kam falur si shok e mik
asnjëri nga ju pas kësaj letre mos ta shoh si armik
Miqësia është si vera që sa më vjetër
është më e mirë
me njëri-tjetrin ne kemi qenë
gjithmonë të çlirë
Ne jemi Një edhe pse mua s’më pëlqen
por e vërteta gjithmonë rrëzëllen
Unë jam Servantesi që
ëndrrat e njerëzimit në libër përkot
Servantesi është i “marri”
me nofkën Don Kishot...


Tiranë 20.02.2012


Friday 9 March 2012

Gratë shqiptare dhe idealet e tyre.




Udhëtari dhe poeti i njohur romantik G.G. Byron (1788-1824) përshtypjet dhe eksperiencat e veta  nga udhëtimi i tij në Lindjen e Afërt ku përfshihej dhe Shqipëria e asaj kohe  i përjetësoi përgjithmonë në veprën e vet poetike The Pilgrimage of Child Harold (1812), vepër e cila e bëri atë të famshëm jo vetëm në rrethet letrare të Londrës por dhe në letërsinë botërore. Ndërmjet referencave dhe përshkrimeve të jetës shqiptare, poeti i madh romantik anglez përshkruan dhe gratë shqiptare. Mes gjithë epiteteve lavdërues për bukurinë e tyre, gjë për të cilën bien dakord pothuajse gjithë udhëtarët e huaj të shekullit të XIX, të bie në sy një përshkrim që ai i bën tërthorazi statusit social të tyre ku i përshkruan si“tamed in their cave”- në kafaz mësuar një figuracion që vështirë ti përshtatet natyrës së butë femërore. Po kaq e dukshme është dhe përpjekja e  mëvonshme e përkthyesve të veprës në shqip që fjalën “cave” ta përkthejnë duke i zbutur ngjyrimin negativ nga “shpellë” në “kafaz”. Gjithsesi, çfarëdolloj që të jetë përkthimi “shpellë” apo “kafaz”, ai nuk mund ta fshehë të vërtetën e madhe të pozitës së gruas shqiptare në fillimet e shekullit të XIX që na e transmetojnë semantikisht këto dy fjalë. Por megjithëse fjalët e poetit tingëllojnë therëse për ne që i lexojmë në ditët e sotme nëse bota nuk do të ishte zhvilluar dhe marrëdhëniet shoqërore do të kishin ekzistuar të njëjta , ashtu si ishin në fillim të shekullit të XIX edhe pse gratë shqiptare mund të dukeshin të prapambetura krahasimisht me ato të Anglisë , ky dallim mund të ndryshohej shpejt pasi dhe ndryshimet nuk ishin shumë thelbësore përsa i përket lirive personale të grave, të parat vuanin nën despotizmin orientalist, të dytat nën moralin hipokrit Viktorian.
Por, për fat të mirë të grave dhe të gjithë njerëzimit bota, vlerat morale, etika dhe kultura evoluuan për mirë dhe gratë pas betejash të vërteta me shoqërinë dhe paragjykimet fituan dalëngadalë statusin e merituar në shoqëritë perëndimore. Ky status që u garantoi atyre një sërë lirish individuale duke filluar që nga e drejta për të votuar, pagë të njëjtë me burrat e deri të drejtën për tu zgjedhur kryetare shteti shërbyen dhe si një pol tërheqës për gratë e shoqërive në zhvillim si ka qenë ajo e Shqipërisë. Askush nuk mund ta vërë në dyshim, evolucionin e të drejtave dhe lirive civile të grave në Shqipëri që nga koha që Byron-i i përshkroi në veprën e vet, apo dhe rreth 80 vjet më vonë kur Konica argumentonte në faqet e “Albanias” se shoqëria shqiptare nuk do të ecte përpara nëse gjysma e saj, gratë, nënat dhe motrat tona vazhdojnë të mbeteshin analfabete ose dhe deri në vitet 50’ ku shumica e tyre vazhdonin të ishin analfabete dhe shtëpiake.
Por në gjithë këtë zhvillim, që për të thënë të vërtetën pas viteve 90’ ka marrë një hov dhe më të madh në bazë të principeve të reja të barazisë gjinore për të cilën mund të jenë shpenzuar shumë energji dhe fonde, sërish mund të vërehet se ky emancipim edhe pse mund të duket në pamje të parë se ka pasur si pol tërheqës emancipimin e grave në Evropë , në një vëzhgim të asaj që ndodh sot në përfaqësimin e grave dhe rolin e tyre në shoqëri, nuk është e vështirë të evidentosh se modeli që ato kanë ndjekur është ai i imitimit të burrave. Sot në shoqërinë shqiptare, mes femrave që kanë bërë karrierë në politikë  është shumë e vështirë të gjesh një individualitet femër të veçantë që të inspirojë moshat e reja si model për ti ndjekur në ardhmen. Kjo gjë ndodh jo për arsyen e thjeshtë se politika në Shqipëri është shumë e ashpër dhe si pasojë nuk lejon mundësi të shumta që individët të shprehen ndryshe nga ajo çka konsiderohet “opinioni i përgjithshëm” që duhet të mbajë një parti politike, por edhe sepse struktura e shoqërisë shqiptare vazhdon të jetë e organizuar në mënyrë vertikalisht patriarkale, ku sërish fjalën e fundit për çfarëdolloj ndryshimi apo evolucioni vazhdojnë ta kenë burrat. Përqindja elektorale që iu garantua grave për tu përfaqësuar në parlament nga partitë politike, përveçse ishte një hap modern si u trumbetua , në fakt evidentoi dhe pabarazinë dhe pafuqinë e grave për t’iu imponuar shoqërisë nëpërmjet vlerave dhe ideve që ato përçojnë. Në vend të këtyre vlerave të veçanta dhe ideve që duhet të sillnin në politikë gratë, ato kanë përqafuar gjuhën e urrejtjes dhe etiketimin gjasme në emër të mbrojtjes së moralit maskulist ndaj njëra-tjetrës. Ato kanë humbur në këtë farë mënyre çfarëdolloj individualiteti kur lejojnë që të festojnë të ndara ditën e festës së tyre, duke iu shërbyer kështu pasioneve politike të burrave kolegë të tyre në politikë, por jo vetvetes.
Nëse “shpella” apo “kafazi” që përmend Byron-i në poemën e vet shpesh herë në këto vite tranzicioni janë shndërruar në shpella me margaritarë apo kafaz të artë ku gratë ashtu si zogjtë i kanë “kënduar” këngë vetëm për të zotin e tyre, ka ardhur koha që ato që nuk kanë pranuar kafaz të tillë të artë të fitojnë individualitetin duke u bërë model tërheqës dhe për të tjerat. “Kur burrat janë të heshtur , është detyra jonë të ngremë zërat tanë në emër të idealeve tona” thotë Clara Zetkin(1857-1933) , veprimtarja gjermane dhe aktivistja për të drejtat e grave që vendosi datën 8 mars si dita ndërkombëtare e gruas në 1911. Për  gratë shqiptare besoj se ka ardhur koha duhet të përcaktojnë qartë se kush janë idealet e tyre për emancipimin dhe evolucionin e shoqërisë shqiptare.


Wednesday 7 March 2012

Ikja





Do të iki thashë,
e shova cigaren në tavllë
s’do ketë më takime
as vjeshta të kaluara bashkë


Do të iki
 i ngrysur si muzg me re
pa mësuar kurrë se ç’ish dashuria
por duke e njohur se ç’demon qe

Do të iki
e kokën se kthej më pas
kohën, me hapat që largohen nga ty
do filloj ta mas


Do të iki dhe kujtimin tënd
si kryq do ta mbaj mbi shpinë
derisa në të një ditë në të kryqëzohem
e të gjej dashurinë.


1994


Tuesday 6 March 2012

Çast mëngjesi




Nata mugullohet në lugina
si ujkonjë e verbër
për të mbledhur këlyshët
Agimi ngadalë
çan tisin e mjegullt
si zgalem i përgjumur
në një kohë të zbërdhulët 


Friday 2 March 2012

Trëndafili i vonë





Sipas motiveve të poezisë orientale


Oh ti trëndafil i pranverave të vona!
Mos blero më kot
nën këtë diell të butë prilli
Nuk e ke marrë vesh? Mësoje!
Ka ndodhur gjëma
ka vdekur bilbili...

1994


Thursday 1 March 2012

Teoritë konspirative dhe Integrimi




Moda më e re në Shqipëri në diskutimet publike janë teoritë e konspiracionit. Gjithandej nëpër biseda njerëzish në vende publike dhe ambiente familjare mund të dëgjosh variantet nga më të ndryshmet konspirative  të fillimit të demokracisë shqiptare, funksionimit të saj , të marrëdhënieve të ambasadorëve të huaj me politikanët shqiptarë, të gjeostragjisë dhe rëndësisë së shqiptarëve në rajon etj. Kjo frymë konspiracioni që mbizotëron në eter ka bërë të mundur dhe fillimin dhe lulëzimin e një industrie të madhe të librave për teoritë e konspiracionit , të cilët shënuan një rekord shitjesh dhe në panairin e fundit të librit. Tituj bombastikë si “Komiteti i të Treqindëve”, “Klubi i Bilderbergut”, “Iluminati” etj rreken me një gjuhë të thjeshtë dhe fakte të mbledhura andej këndej nëpër koincidenca të jetës publike të shteteve të fuqishëm të krijojnë një mozaik ngjarjesh të vazhdueshme që drejtohen nga e njëjta “dorë e padukshme” që nga fillimet e historisë njerëzore e deri më tash. Adhurues të shumtë të këtyre librave dhe fakteve të servirura në to fillojnë ta shikojnë partitë politike në vend, figurat publike, marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë por dhe funksionimin e shoqërisë civile nën syrin kritik të kësaj literature duke krijuar një klimë të dyfishtë që sa shfaqet nëpërmjet  ilaritetit të fakteve  por dhe në ngjyrimet e një situatë të pashpresë a thua se vullneti ynë politik është i paracaktuar nga qendra të tjera vendimmarrëse. Natyrisht sikur kjo klimë të mbetej vetëm në nivel lexuesish dhe shkëmbimit të informacioneve mes tyre nuk do të përbënte problem pasi gjithsecili që do të dëshironte të dinte më shumë do të kishte mundësi nëpërmjet burimeve të tjera më të besueshme të përftonte dijen e duhur por kur kjo klimë konspiracioni dhe e të kuptuarit të kumteve politikë përçohet tek analistët , media dhe politikanët shqiptarë atëherë me të vërtetë gjërat fillojnë të bëhen pak më serioze.
Shqipërisë në këto 21 vjet ndërtimi të demokracisë dhe përpjekjeve për të arritur një funksionim të drejtë të saj si modeli qeverisës që ka përftuar në fillim të viteve 90’ nuk i është imponuar ndonjë axhendë e veçantë dhe e ndryshme zhvillimi nga ajo e vendeve të tjera ish socialiste që nisën rrugën e reformave. Kriteret bazë për të qenë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian janë shpallur në mënyrë të hapur dhe jo të fshehtë ndaj çdo lloj spekulimi se vonesat tona janë për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri janë të pasakta. Vendet fqinje me Shqipërinë, republikat e ish Jugosllavisë kaluan përmes makthit të konfliktit etnik çka teorikisht por dhe praktikisht i vononte shumë ato drejt integrimit në strukturat Euro-Atlantike  e megjithatë dy prej tyre janë tashmë vende anëtarë dhe dy të tjera kanë nënshkruar para nesh statusin e vendit kandidat e Serbisë tani së fundmi ju hap drita jeshile për ta këtë status. Këtë integrim ato e arritën përmes zbatimit të reformave, normalizimit të jetës politike në vend, zbatimit të gjithë detyrimeve të evidentuara në progres raportet dhe jo ndonjë miqësie të veçantë me ndonjë shtet të fuqishëm. Sigurisht që çdo shtet krijon dhe ka marrëdhënie preferenciale me një shtet të veçantë por asgjëkund nuk është vërejtur në jetën politike të tyre që referencat miqësore me ndonjë shtet të madh si është ajo mes Shqipërisë dhe SH.B.A të keqpërdoren në mënyrën më diletante si ndodh këtu. Për çdo ngjarje të mundshme apo problem që has shteti shqiptar analistë dhe politikanë mundohen ta paraqesin si në harmoni me politikën zyrtare të SH.B.A aq sa shpesh qytetari i thjeshtë nuk arrijë të kuptojë dallimet mes tyre. Çdo referencë apo takim i ambasadorëve të huaj në Shqipëri komentohet si mbështetje e hapur apo qortim ndaj atyre që morën pjesë në takim aq sa besoj se kanë filluar qytetarët shqiptarë të “dinë” më mirë se diplomatët e thuaj se ç’kërkojnë ata për Shqipërinë. Ky vrapim i stërmunduar për të deklaruar se “Amerika” apo “Evropa” është me ne, e ka rrudhur shumë forcën përfaqësuese të politikanëve shqiptarë pasi shpesh herë ata kanë filluar të perceptohen nga opinioni publik në vend si kukulla që drejtohen nga mjeshtërit e mëdhenj që janë jashtë skene. Edhe pse nuk mund të mohohet diplomacia e SH.B.A dhe e B.E në rajon është shumë aktive prapë së prapë vendimet dhe hartimin e strategjive për zhvillimin e vendit janë ekskluzivitet  i klasës sonë politike. Për ta ilustruar, mund të sjellim ndërmend periudhën e parë kur u bëmë shtet e ku prezenca e ndërkombëtarëve ishte shumë më e madhe sesa sot  nëpërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Kontrollit, e ku shumë vendime dhe aksione politike klasa jonë politike e asaj kohe e përfaqësuar nga Esat Pashë Toptani , Preng Bib Doda dhe Ismail Qemali  i ndërmori kundër vullnetit të tyre në kundërshtim me faktin që trumbetohet sot se dhe atëherë dhe tani klasa jonë politike nuk është e pavarur. Kur klasa politike vendase është në gjendje të afrojë një vullnet politik konstant për një çështje, ky vullnet nuk mund të anashkalohet lehtë nga ndërkombëtarët, por përkundrazi fillon e merret parasysh. Kemi më shumë se dy ditë që ankohemi për Marrëveshjen Serbi-Kosovë, nënshkrimi i së cilës i hapi rrugën statusit kandidat të Serbisë, por nuk e kemi pyetur ndonjëherë veten se ç’variante ofruam ne për këto bisedime dhe ku ishte vija e kuqe që ne nuk do të tërhiqeshim. Ndërsa  pala serbe që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka afruar shumë modele duke filluar që nga ai i Tirolit të jugut e deri tek ai i Tajvanit, pala shqiptare është mjaftuar të fle në gjumin e dafinave me shprehjen që është bërë bajat i politikave tona të jashtme se për ne po “mendojnë miqtë tanë amerikanë”
Demokracia liberale si një sistem që vazhdimisht mundohet të përmirësojë vetveten ka në themel të saj vullnetin e lirë të atyre që marrin pjesë në funksionimin e saj ndaj klasa politike shqiptare nuk mund të bëjë përjashtim nga ky rregull. Interesat gjeostrategjike të miqve tanë dëshirojnë që të kenë një Shqipëri të fortë dhe të stabilizuar në Ballkan por dhe të bazuar në ushtrimin dhe funksionimin e mirë të demokracisë. Për këtë arsye kriteret e Kopenhagenit që janë kriteret bazë për tu përmbushur për çdo vend që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, krahas kritereve ekonomikë kanë mes tyre dhe kriteret politikë nga të cilët Shqipëria si ka përmbushur ende një pjesë. Dëshira e ethshme për tu ndihmuar nga ndonjë “mik” i fortë për ti plotësuar këto kritere sa pasqyron funksionimin e brendshëm të demokracisë shqiptare po aq lë për të dëshiruar për nivelin e klasës sonë politike. Integrimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian as nuk do të jepet as nuk do të falet nga Komisioni Evropian ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve i mbetet që të normalizojë jetën politike në vend në bazë të planit prej 12 pikash që ka kërkuar Bashkimi Evropian për të zbatuar. Kjo rrugë besoj, është rruga e vetme që do të na çojë drejt Brukselit pa e vrarë shumë mendjen nëse vajtja jonë atje ishte sepse e merituam apo pjesë e një plani më të madh konspirativ.