Wednesday 30 November 2011

Televizioni dhe Libri




Romani “Pesë javë në balonë “(1863)  i Zhyl Vernit është një nga romanet më të lexueshëm të tij nga  të gjithë grupmoshat, pasi çdo lexues gjen aty një ndërthurje të mrekullueshme të aventurave të personazheve kryesorë në Afrikë me pasazhe teknologjike, gjeografike të kohës dhe përshkrimeve historike të kontinentit afrikan. Pavarësisht që romani ka pothuajse një shekull e gjysëm që është shkruar dhe në të mund të evidentohen dhe lapsuse që kanë ardhur si rezultat i mosnjohjes së plotë të Afrikës së asaj kohe, ai vazhdon të mbetet një nga titujt e preferuar të moshës së re .Ky realitet vjen nga arsyeja që  edhe pse sot Afrika është e gjitha e eksploruar dhe nuk përbën më një kuriozitet gjeografik , ajo vazhdon ende të ndjellë kureshtjen e njerëzve me diversitetin e kulturave të saj. Në roman ka shumë faqe të tilla, ku përpos gabimeve të mundshme për përshkrimin e disa territoreve si shkretëtira në vend të savaneve, mund të gjesh detaje antropologjike rreth kulturave dhe zakoneve të ndryshme të fiseve që popullonin Afrikën. Magjia e kontinentit të zi, sigurisht që nuk ka ndalur dhe me zgjedhjen e Presidentit amerikan Barack Obama, në krye të Shtëpisë së Bardhë është shtuar dhe më tepër në të gjitha qarqet kulturore-artistike. Për më tepër lajmi i fundit se familja presidenciale do ti kalojë pushimet në Afrikë duket sikur kërkon të fillojë të qartësojë disi tisin e mjegullt që akoma mbulon Afrikën në imagjinatën tonë. Gjithsesi, kurioziteti për Afrikën nuk është një kuriozitet i moshave të vona. Atë e gjen shumë më herët pasi çdo njeri që hedh hapat e para në dijen e gjeografisë fillon të kërkojë të dijë më tepër për brendësinë e kontinentit. Pak a shumë të gjithë ngjajnë si personazhet e “Pesë javë në balonë” që kërkojnë të ndërmarrin një udhëtim në brendësi të kontinentit dhe për t’ia arritur kësaj meqenëse teknologjia ka përparuar dhe nuk mund të bëhet fjalë më për përdorim balone fillojnë të kërkojnë mjete të reja komunikimi. Një mundësi më tepër në këtë drejtim për gjithsecilin është që të bëjë një lidhje virtuale të pasazheve që lexon me ikonat e kontinentit.
Në fakt, kjo lidhje nuk mund të konsiderohet si një zbulim i ri, pasi libra të tillë për vende të largët gjithmonë kanë qenë të ilustruar me piktura  që kanë bërë të mundur të nxisnin imagjinatën e lexuesve. Gjithsesi, duke qenë se kohët kanë ndryshuar dhe meqenëse shoqëria ku jetojmë me të drejtë quhet si shoqëria e dijeve të thelluara dhe “high-tech society” ajo që vërtet mund të quhet “balona” eksploruese e kohës sonë moderne , nëse kërkojmë të krijojmë një metaforë nga vepra e Zhyl Vernit , është televizioni dhe bota magjike e tij. Kjo metaforë  është e vërtetë jo vetëm sepse nëpërmjet programacionit argëtues ne gjejmë aty momente çlodhje dhe relaksimi por sepse  krijimi i  gjithsecilit në imagjinatën e vet të një lidhje e drejtë për së drejtë e asaj që lexohet me ikonat dhe pamjet televizive të asaj që lexon mund ta quajmë si një nga sukseset më të mëdha të botës njerëzore dhe sigurisht mund të përcaktohet si triumfi i dijes për shekullin e XXI.
Gjithsesi në këtë përcaktime nuk ka vend vetëm për entuziazëm. Prej kohësh specialistë të dijes dhe të edukimit dhe njerëz të letrave vazhdojnë të këmbëngulin për prioritetin e librit në edukimin e brezit të ri si mediumi kryesor që përçon dijet dhe teknologjinë mes tyre. Libri, thotë Borhesi është një “zgjatim i mendjes njerëzore” dhe besoj se nuk ka njeri që mund ta vërë në dyshim këtë përcaktim, por shoqëria jonë e shekullit të XXI me zhvillimet e veta na dikton që këtij përcaktimi ti shtojmë të paktën dhe dy komponentë të tjerë. Duke iu referuar sërish Borhesit që televizionin e përcaktonte si një “zgjatim të pamjes” na duhet ta pranojmë se televizioni ashtu si dhe Interneti për rolin që kanë në shoqërinë e sotme  janë gjithashtu dy zgjatime të mendjes njerëzore. Në të dy këto mediume mendimi njerëzor , të paktën që nga mesi i shekullit të XX për televizionin dhe vitet 90’ për internetin është afirmuar fuqishëm duke na dhënë prej kohësh perla të vërteta të guximit dhe kurajës intelektuale. Edhe pse nuk kanë munguar kritikat përsa i përket cilësive dhe vlerave që ato përcjellin si mediume, televizioni dhe Interneti e kanë transformuar rrënjësisht perceptimet tona rreth shoqërisë dhe dukurive njerëzore. Ky perceptim, në fakt vjen dhe nga natyrat e ndryshme që këto mediume të komunikimit publik  kanë si struktura të rëndësishme të mendimit njerëzor.
Edhe pse me një pamje të parë mund të shikohet lehtë se paragjykimet më të mëdha përsa i përket Tjetrit dhe kulturave të ndryshme janë shpërhapur nëpërmjet librave, sigurisht kjo gjë mund të jetë e vërtetë dhe për televizionin dhe internetin. Ashtu si kemi libra të gabuar apo libra që kanë ndjellë urrejtje kemi dhe ikona dhe kronika të gabuara që i kane shkaktuar dëm njerëzimit. Mjafton të përmendim këtu fjalimet e diktatorëve dhe mesazhet e gabuara të njerëzve që kanë influencuar në planet, për të parë se në ç’përmasa ka ecur histeria kolektive kur ajo është manipuluar nga televizioni. Vetëm se në këtë ballafaqim të tyre duke qenë se libri është një medium shumë më i vjetër se ta, dhe se format e korrigjimit të vetvetes kanë qenë shumë më të ngadalta dhe më të vështira për tu përcjellë në të gjitha shtresat e shoqërisë fjala e shkruar e mbetur në libra ka shërbyer si burim i perceptimit të këtyre imazheve të gabuara. Kështu p.sh në shumë tekste , qoftë dhe imagjinarë gjejmë imazhe dhe perceptime të gabuara mbi Tjetrin dhe kulturën e tij, të cilat në mënyrë të padrejtë janë kthyer në stereotipa që brezave të tërë iu janë dashur vite për ti hequr nga shpina e kombeve të tyre. Vetë ne shqiptarët kemi qenë viktima të këtyre paragjykimeve ku rasti më flagrant në këtë drejtim mbetet vepra e shkrimtarit gjerman Karl May “Në vendin e shqiptarëve” (1892) ku autori edhe pse nuk e kishte  vizituar  Shqipërinë, asnjëherë krijon një fabul të këndshme për lexuesit duke transmetuar tek ata imazhet e një vendi të egër, barbar e gjithë aventura. Për vite me radhë romani ushqeu fantazinë e shumë brezave gjermanishtfolës, duke shtuar gjithnjë e më tepër dhe episode apo fakte që i huazonin nga antropologjia dhe etnografia, por që nuk ekzistonin si ngjarje në roman. Në vitet ‘30 kur shumë studiues gjermanë dhe austriakë filluan të vizitojnë shpesh Shqipërinë zbuluan se shumë nga stereotipat dhe paragjykimet që kishin krijuar nga leximi i romanit të May-it nuk ishin të vërteta dhe vetëm atëherë filloi njohja e vërtetë e Shqipërisë nëpërmjet veprave të tyre. Nëse do të kish ekzistuar televizioni dhe ikonat e transmetuara në atë kohë,si mediume që e kanë thelbin e tyre në lajmin dhe efektin e tij në shoqëri dhe si të tilla e kanë më të lehtë mekanizmin korrigjues do të kishte qenë më e lehtë që imazhet që përcilleshin në libër të mund të verifikoheshin drejtë për së drejtë në terren. Sepse televizioni edhe pse shpesh herë mund të ketë transmetuar imazhe dhe ikona që kanë përcjellë lajme dhe perceptime të gabuara, sërish ka korrigjuar vetveten shumë më shpejt sesa librat e shkruar shekuj apo vite më parë duke u bërë një medium kritikues ndaj vetvetes.
Pikërisht tek lajmi, vizualiteti dhe aftësia për të korrigjuar shumë shpejt vetveten qëndrojnë avantazhet e televizionit në përcjelljen e vlerave në shoqëri. Sot , një shoqëri moderne dhe edukimi në të nuk mund të shikohet vetëm nën prizmin e një mediumi por nga këndvështrime të ndryshme të bazuara në trinomin libër-televizion-internet. Specialistët e dijes dhe të komunikimit kanë kohë që po i mëshojnë këtij aspekti që në Shqipëri për fat të keq po merret si mesazh i copëzuar dhe jo një i tërë. Kështu p.sh prej kohësh në Universitetet po propagandohet se mësimi dhe leksioni efektiv është ai që bashkëshoqërohet me mjete vizuale, por shpesh herë për shkak të mungesës së infrastrukturës apo dhe neglizhimit dhe mospajtueshmërisë me format e reja të mësimdhënies ky princip kryesor nuk po zhvillohet. Përqasja dhe përafrimi i realiteteve të lexuara nëpërmjet ikonave dhe imazheve televizive sigurisht që nuk mund të merren vetëm në auditorët e universiteteve por dhe nga kutia e vogël magjike e televizionit. Në këtë kuadër, nga televizionet që kanë statusin kombëtar por jo vetëm ata pasi çdo medium televiziv ka të njëjtën forcë në shpërhapjen e mesazhit duhet të rikonstruktojë dhe programet e veta televizive për t’iu përshtatur kësaj sfide të re.
Mirëpo duke bërë thjesht një kalim nëpër kanale të ndryshme televizive në orën që i kushtohet edukimit është e vështirë që të gjesh një emision i cili i përmbush kriteret për të kontribuar drejtë për së drejtë në edukim dhe arsimim. Ky përcaktim nuk do të thotë se televizionet nuk kanë në programacionet e tyre emisionet për grupmoshat e reja por ato pak a shumë janë të hartuar për tu ngjarë emisioneve të të mëdhenjve. Kështu p.sh gjithandej gjen emisione formati kompeticioni që promovojnë vlera shoqërore që janë të domosdoshme vetëm për botën e show-ut dhe të spektaklit dhe shumë pak përsa i përket fushave të tjera të dijes. Një justifikim i arsyeshëm për këtë situatë mund të jetë fakti se tregu i përgjigjet ofertës pra dëshirës të asaj se çfarë dëshirojnë të shikojnë të rinjtë. Në fakt, kjo gjë nuk është e vërtetë ose mund të jetë pjesërisht e vërtetë pasi numri i atyre që shikojnë kanalet me dokumentarë nëpër platformat digjitale është relativisht i madh. Këtë mund ta ndjesh gjatë një bisede të zakonshme, kur shpesh herë për të ilustruar idetë moshat e reja sjellin shembuj nga dokumentarët e shumtë të transmetuar. Ky realitet,i cili është pozitiv, në fakt ka në thelb dy probleme.
Së pari , sëbashku me ekranizimin e disa prej kryeveprave botërore krijon rrezikun që leximi të braktiset dhe në të njëjtën kohë të krijojë dhe një idealizim të botës së ekranit, duke harruar faktin sidomos tek ekranizimi i kryeveprave të letërsisë botërore se çdo krijim i ri në cilindo fushë është një këndvështrim i autorit për ngjarjet dhe personazhet dhe në këtë mënyrë ajo që përcillet përmes ekranit nuk është se janë gjithmonë vlerat autentike të kryeveprës por dhe qëndrimi subjektiv i regjisorit dhe skenaristit të filmit. Së dyti, si rezultat i pabarazisë sociale dhe hendekut që zotëron në shoqëri jo të gjithë kanë mundësi që të kenë platforma digjitale dhe për rrjedhim jo të gjithë mund të përforcojnë dijet nëpërmjet këtij mediumi të rëndësishëm. Lidhur me këtë problem të fundit duhet të fillojë të hapet në shoqëri dhe debati mbi  statusin e televizioneve kombëtare, të cilat janë konceptuar në përgjithësi si të mira publike që i përfitojnë të gjithë qytetarët kundrejt një pagese simbolike. Kështu që në këtë kuadër kërkohet një rikonstruktim i programacioneve të tyre dhe ata që aspirojnë që të marrin këtë status do u duhet që të plotësojnë kushtet e duhura në këtë drejtim.
Duke qenë se Shqipëria, vjen nga një traditë që sistemin arsimor nuk ka asnjë shekull që ta ketë të konsoliduar, roli i televizionit për të kontribuar në shoqëri përsa i përket temave të nxehta të identitetit kombëtar, historisë dhe dijeve të tjera më gjerë vazhdon të mbetet primar. Në këtë kontekst nuk do të ishte pavend që kanalet kombëtare të shikonin mundësinë e transmetimit në televizion të leksioneve të hapura. Ky do të ishte një hap shumë i mirë pasi një pjesë e madhe e moshës së re ndjek fakultetet në sistemin part-time dhe do të kishte një mundësi më tepër për të dëgjuar sërish ato nga pedagogë të nderuar të botës shqiptare apo akoma dhe më mirë nëse ato do të shoqëroheshin dhe me dokumentare që shpjegonin fenomenet dhe shpirtin e epokës për të cilën flitet dhe në të njëjtën kohë do të ndihmonte shumë dhe në promovimin e vlerave pozitive për shoqërinë nën stilin e leksioneve të hapura të Karl Popper që transmetonte BBC për vendet e ish-Lindjes komuniste. Sepse edhe pse mund të mos na vijë mirë kur e evidentojmë si fakt, vërejmë se rrethana apo dhe figura historike, dije dhe profesionalizëm në fusha të caktuara  nuk njihen mire nga brezi i ri duke ia veshur fajin gjithmonë shkollës dhe edukimit, të cilat sigurisht kanë dhe mbajnë një përgjithësi kryesore në këtë proces, por një shoqëri moderne karakterizohet nga spirale dhe mekanizmat plotësues dhe kontrollues që ajo krijon. Në këtë kontekst duke iu referuar trinomit të përmendur mësipërm libër-televizion-internet , të tre këta komponentë duhet të plotësojnë dhe kontrollojnë në të njëjtën kohë njëri-tjetrin për cilësinë dhe vlerat që përhapin në shoqëri. Audo Sapere-“Guxo të jesh i ditur”  thotë Horaci në epistolarët e tij dhe bota e biznesit shqiptar me themelimin e kaq shumë televizioneve guxoi në mesin e viteve 90’ duke i bërë vendit një shërbim të paçmueshëm në botën e lajmit dhe të informacionit, por tashmë ka ardhur koha që këto mediume të fuqishme të kthehen dhe në vatra dije, si një funksion shtesë që të përmbushin më mirë dhe rolin e tyre në shoqëri. Në fakt, kjo do të jetë dhe një nga sfidat më të mëdha të jetës sonë publike që sëbashku me mbylljen e shumëdëshiruar të tranzicionit të fillojë dhe një erë e re në reformimin e programacionit të televizioneve shqiptare, në mënyrë të tillë që markave moderne të aparateve televizivë dhe teknologjisë moderne të televizioneve shqiptare ti përshtatet dhe një mentalitet i ri në rolin e pazëvendësueshëm të kutisë magjike të televizionit në shoqëri. 

Revista Akt 7


Sunday 27 November 2011

Kuq e Zi apo Bardhë e Zi?



Nuk ka dyshim se kur vjen fundi i nëntorit, pothuajse të gjithë shqiptarët kudo që janë përfshihen në atmosferën e festës së flamurit. Qytetërimi ynë tashmë kibernetik përveç informacionit të nevojshëm që shpërhap për shumë fusha të tjera të jetës , sjell shumë afër individëve dhe popullatave dhe versionin të ndryshme të patriotizmit duke filluar nga ata lokalë dhe deri tek ata ultra nacionalistë. Për fat të mirë në këtë ditë mbizotëron patriotizmi i mirë i shqiptarëve, të cilët  kanë gjetur tek festimet dhe urimet e ditës së flamurit një simbol bashkimi dhe uniteti me tyre. Në patriotizmin e tyre nuk ka asnjë gjë shqetësuese për fqinjët e vet pasi patriotizmi shqiptar ka qenë vazhdimisht paqësor pa hartuar kurrë doktrina mbisunduese mbi popullsitë e tjera të Ballkanit, siç kanë hartuar fqinjët tanë grekë “Megali Idenë”, apo eliminimin fizik dhe dëbimin e popullsive të tjera nga rajoni siç kanë hartuar fqinjët tanë serbë me doktrinën e akademikut të tyre Vasa Cubroloviq . Dita e 28 Nëntorit vjen kështu si një  ditë që përveç fjalës së zakonshme “e bekuar” tashmë të kthyer në klishe , është kthyer në një ditë që përforcon identitetin kombëtar dhe bashkimin e shqiptarëve që për një moment i “braktisin” kauzat e tyre të grindjes dhe mërisë së zakonshme mes tyre dhe përqafojnë kauzat e bashkëjetesës dhe prosperitetit të kombit.
Ideali i gjithë baballarëve të kombit, të atyre 40 burrave që firmosën aktin e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 ka qenë gjithmonë një Shqipëri e bashkuar dhe e përparuar dhe për këtë gjë ishin gati që të sheshonin mosmarrëveshjet midis tyre dhe të bashkëpunonin së bashku për të arritur qëllimet kombëtare. Natyrisht, që ky nocion ishte një ëndërr e bukur e tyre për tu realizuar por dhe jashtë kohe për të jetuar gjatë pasi pas formimit të shtetit ashtu si dhe në shtetet e tjera ballkanikë debatet sesi duhej të “bëhej Shqipëria” do të shteronin dhe do të hapeshin debate të tjera për prosperitetin e vendit, taksat, zhvillimin ekonomik ,sigurimin kombëtar etj. Natyrisht, që jo të gjithë do të ishin në një mendje sesi do ti arrinin këto qëllime. Dikush do kërkonte ti kryente ato më shpejt, dikush më ngadalë, dikush do thoshte të respektohej tradita dikush tjetër të jepej një zgjidhje më radikale. Të gjitha këto qëndrime do gjenin përfaqësim në mendime , ide, rryma, formacione politike e parti të organizuara rreth kauzave të tyre fisnike. Por grindjet e tyre do të ishin si ato brenda një familje të madhe që në momentet e vështira mblidhet  sërish bashkë për të përballuar situatat. Nuk do të kishte përçarje fatale as bllokim jete institucionale, në të kundërt ë gjithë do të përpiqeshin të çonin përpara kauzat e tyre duke  themeluar një nga një institucionet e duke vënë kështu nga një gur në ngrehinën e Shqipërisë së re.
Në këtë mënyrë trashëgimia e tyre politike mbijetoi në atë çka neve sot kemi si koncept dhe territor i quajtur Shqipëri por jo në vlerat dhe mesazhet që përfaqësohen në klasa tonë politike dhe në ato që ajo do i përcjellë asaj pasardhëse. Për herë të parë pas një rrugëtimi të gjatë  Shqipëria po bëhet gati të jetë pjesë e “dritës që lind andej ku perëndon” si do të shkruante Naim Frashëri për Evropën, por ky pranim po i vonohet se ata që përfaqësojnë vullnetin e saj politik para se të zgjedhin ngjyrat kuq e zi të bashkimit për kauza të rëndësishme ashtu si dhe baballarët e kombit tonë në 1912, kanë zgjedhur ngjyrat bardhë e zi të përçarjes në 1943. Përvojat e hidhura dhe vonesat për të kapur “trenin e fundit” të të gjithave periudhave historike të ndryshimeve themelore në Ballkan duhet të na mësojnë se nëse nuk na vjen turp që se kemi çuar akoma në vend amanetin e baballarëve për ta integruar vendin tonë në Evropë, të paktën në emër të vazhdimësisë ,këtë gjë  ua kemi borxh  pasardhësve tanë që nuk duhet të vuajnë për gjykimet, mëritë dhe paragjykimet tona për njeri-tjetrin. Arritja e një marrëveshje të menjëhershme për çdo gjë dhe për gjithçka midis politikës shqiptare kaq shumë të përçarë sot për të arritur qëllimin final të kryerjes shpejt të reformave dhe integrimin e shpejtë të vendit në bashkimin Evropian është dhurata më e bukur që çdo shqiptar duhet të merrte ditën e flamurit. Por edhe pse nuk e morën të paktën ata do të ishin të kënaqur që ngjyrat kuq e zi përkundrejt atyre bardhë e zi, të mos zgjidheshin vetëm sa për këtë ditë të shënuar por çdo herë që diskutohen vendimet e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Të paktën kjo është gjëja  më e pakët që ia kanë borxh gjithë shqiptarëve që vazhdojnë ti mbajnë në politikë me votat e tyre.

Gazeta "Shqip" 28.11.2001











Saturday 26 November 2011

Ridimensionimi i komunikimit politik...



Parabola është një nga mënyrat  e të përçuarit të kumtit politik dhe shoqëror që ka një përdorim të gjerë pothuaj në të gjitha vendet e Lindjes. Si, e tillë duke qenë se është dhe pjesë e ligjërimit biblik ka gjetur strehë dhe në mendimin politik evropian. Gjithsesi në Perëndim ajo nuk është pjesë e retorikës publike dhe ka shërbyer më tepër për të përforcuar moralin në shoqëri sesa për të përçuar mesazhin politik si ndodh rëndom në shoqëritë e ish-Lindjes komuniste. Duke qenë se mesazhi, shpesh herë jepet i nënkuptuar dhe kërkon një përqendrim të madh për të bërë analogjinë dhe për të kuptuar metaforën, parabolat dhe anekdotat nuk këshillohen në ligjërimin  politik pasi ato e lodhin elektoratin dhe mund të sjellin pak a shumë një klimë keqkuptimi midis tij dhe politikanëve. Mirëpo këtë efekt negativ të tyre, politikanët tanë që garojnë për zgjedhjet kanë filluar ta anashkalojnë pasi mendojnë se duke u ulur në nivelin që ata besojnë se kanë zgjedhësit do të bëjnë të mundur të fitojnë më shumë vota prej tyre. Nëse këtë aksiomë e marrim për të vërtetë atëherë mund të themi se kandidatët ose nuk e njohin mirë elektoratin e vet ose nuk arrijnë dot që të kenë nivel të lartë përfaqësimi. Personalisht dua të besoj më shumë për të parën, gjë që natyrisht nuk i shfajëson ata por të paktën jep shpresë se diçka mund të përmirësohet rrugës në komunikimin politik.
Qytetari shqiptar dhe kryesisht ai i bashkive të mëdha mund të themi se është një qytetar që has të njëjtën problematikë që përballon dhe qytetarët e tjerë evropianë të qyteteve të mëdha evropiane. Ato shtrihen kryesisht në qeverisjen më të mirë, taksat, menaxhimi i hapësirave dhe shesheve publike, transporti publik dhe ndërtimi i një infrastrukture sa më të denjë shpirtërore. Kjo problematikë e përbashkët i ka mprehur shqisat e perceptimit qytetar të ofertës politike, çka mund të sjellë me të vërtetë një ndryshim të madh në mënyrën e të bërit politik në Shqipëri por dhe në reagimin e vetë zgjedhësve. Kjo masë njerëzish që dikur është konsideruar amorfe dhe që ka ndjekur verbazi qoftë majtas apo djathtas udhëheqësit e vetë politikë në bazë të një tradite të krijuar pas viteve 90’, në proceset integruese që ka hyrë Shqipëria ka filluar të ndërgjegjësohet për rolin e vet dhe aq më tepër nuk e meriton një trajtim të tillë nga ata që presupozohet që duhet ta udhëheqin dhe ndriçojnë për të gjetur vetveten.
Në të njëjtën përmasë shtrihet dhe një faktor tjetër i komunikimit publik si është ai i përdorimit të gjuhës dialektore që shpesh herë kalon dhe në fraza “popullore” që shpreh kulturën e një kategorie të caktuar njerëzish por kurrsesi të masës së gjerë. Natyrisht, motivi pas përdorimit të kësaj gjuhe është ideja se kështu mund të shkrihesh me elektoratin, të bëhesh i pëlqyeshëm dhe rrjedhimisht të përfitosh më shumë vota. Mirëpo si shihet qoftë përdorimi i parabolave dhe anekdotave apo dhe përdorimi i dialektit në thelb nuk afrojnë mesazhin që qytetari pret nga politika, por në të kundërt i afron një lloj spektakli rruge që mund ta bëjë ta vërë buzën në gaz por jo të zgjidhë problemet. Besoj se ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të fillojnë të dëgjojnë një gjuhë më të strukturuar përsa i përket mesazhit politik që ata duhet të marrin dhe ky mesazh duhet të fillojë të përcillet në formën e duhur për tu kuptuar dhe për tu përkthyer në një votë për alternativën më të mirë partiake. Shqipëria e dhjetëvjeçarit të shekullit të XXI, e vendit anëtar në NATO dhe vendit aspirant për të hyrë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian meriton një komunikim publik dhe politik më të mirë mes klasës politike të vet dhe zgjedhësve pasi në këtë mënyrë , zgjedhësit fitojnë vokacionin e tyre politik për tu orientuar qartë për të votuar por dhe për të marrë pjesë drejtë për së drejtë në qeverisjen qendrore dhe lokale nëpërmjet iniciativave të tyre qytetare. Nuk është e rastësishme që në  zgjedhjet e fundit lokale, qytetarët filluan të përfshihen në debate jo vetëm temat e zakonshme të zhvillimeve rajonale por dhe kostot që pëson ambienti dhe trashëgimia kulturore çka dëshmon se ka filluar të maturohet një elektorat që meriton të ndiqet dhe të vlerësohet si i tillë edhe nga klasa e vet politike. Komunikimi politik si pjesë përbërëse e strategjisë politike të kandidatëve dhe të alternativave partiake që ata përfaqësojnë, kërkon të përpunohet në drejtimin e duhur për ti dhenë shansin zgjedhësve që jo vetëm të zgjedhin më të mirën mes alternativave por dhe ti përshtatet trendit të sjelljes së shumicës cilësore të zgjedhësve të qyteteve të mëdhenj, për të ndihmuar në këtë mënyrë dhe qytetarët e tjerë zgjedhës të rajoneve të tjera të Shqipërisë të kthehen nga votues të zakonshëm në qytetarë evropianë aktiv. Ndryshimi i madh që pritet në politikëbërjen shqiptare për të shmangur tensionet dhe acarimet e  lodhshme nuk mund të vijë vetëm nëpërmjet publikimit të librave eseistikë apo komenteve të shkurtra me 140 karaktere të rrjetit social Twiter por kërkon një njohje më të mirë të psikologjisë dhe mentalitetit të elektoratit për ti fituar në këtë mënyrë jo vetëm zemrën por dhe mendjen.
Pas njëzet vjetësh rrugëtimi të vështirë ku shpesh herë fjala ka ngecur “ters” dhe është bërë kockë në fyt që ka mbytur gjithë dialogun politik në Shqipëri, ka ardhur koha që ajo të marrë dimensionin dhe fuqinë e duhur për të përmirësuar diskursin politik. Një shoqëri që dështon të ndërtojë institucionin e fjalës s’mund të pretendojë të ndërtojë shoqërinë moderne të komunikimit, pasi sa më tepër varfërohet në ide ky i fundit aq më shumë degradon shoqëria në një  maskaradë pasionesh dhe inatesh të verbëta. “Në fillim ishte fjala” , është sentenca e vjetër në Bibël  duke shprehur në këtë mënyrë rëndësinë e komunikimit mes njerëzve dhe Zotit. Kjo referencë kulturore kaq e rëndësishme duhet të shtrihet në nivelin e politikës së përditshme për të filluar dhe ndërtuar komunikimin dhe dialogimin aq të rëndësishëm në një demokraci funksionale.


Gazeta "Shqip" 26.11.2011


Friday 25 November 2011

Vashave të moshës sime




Shoqet e mia, bashkëmoshataret e mia
të rritura mes dy kohësh si lule në saksi
të ardhura nga vetëpërmbajtja e madhe
e tutave sportive, pantallonave stof me
përparëse përsipër,sapunit 15 lekësh me “erë”
syve të lyera fshehurazi me rimel
të etura për të jetuar pak shfrenim
për pak shampoje “Panten” dhe çamçakëzi grek
për pakëz “Modern Talking” dhe “Skorpions”
muzikë që të ngjeth
më vini papritur të gjitha në pasqyrë
si shpirtra pa zë që shenjë lini vetëm me frymë
dhe ca buzë të mekura , të thata pa ngjyrë
të rilindura papritur në memorie të trishtë
diku në kronika të zeza,”F.P u rrëmbye në rrugë
M.S u gjet në kazan plehrash e goditur me thikë”
Shoqet e mia , bashkëmoshataret e mia,
ju ishit të pafajshme dhe gjithë jetë
me të qeshurat tuaja dhe lehtësitë
viteve të zymtë 90’ u dhatë dritë
të harruara diku mes pentagramesh muzike
të fishkëllimave sinjale për të dalë në dritare
një pjesë të ikur larg, shumë larg
për të ngrohur shtretet e avokatëve pleq
të treguara mirënjohëse për ndihmën e dhënë
që ju ka rikthyer prapë në jetë
një pjesë të mbetura këtu në qytetin e madh
më të reja se ç’ishit herët në adoleshencë
përkrah me çrregullime gjenetike të veshur
me kostum e me flokë me xhel
me BMW X5 dhe me arrogancë-
shoqet e mia, bashkëmoshataret e mia
kur qëllon që shkëmbehemi në rrugë
dhe fytyra si diell u shkëlqen
unë e marr gjithmonë me vete
dhe i vë gjerdan tek pasqyra
që në kujtime të ëmbla më mbërthen
dhe ashtu si në përrallë kur pyes
se kush janë më të bukurat në këtë dhe
gjithmonë, por gjithmonë ju më kujtoheni
të pafajshme, të kolme, të hajthme
në bulevardin  e së paharrueshmes
shkollë të mesme, uniforme , të njëtrajtshme


Tiranë 25.11.2011













Thursday 24 November 2011

Thënie të pavdekshme





Liria e shtypit


“Në ditët tona një qytetar që shtypet ka vetëm një mënyrë për t’u mbrojtur: kjo është që t’i drejtohet tërë kombit dhe në qoftë se ai është shurdh, njerëzimit. Ka vetëm një mënyrë për ta bërë këtë: kjo është shtypi. Liria e shtypit është pafundësisht më e çmueshme te kombet demokratike se sa te të gjithë të tjerët; vetëm ajo e shëron shumicën e të këqijave që mund të prodhojë barazia. Barazia i izolon dhe i dobëson njerëzit, por shtypi vendos pranë secilit prej tyre një armë mjaft të fuqishme, të cilën mund ta përdorin më të dobëtit dhe më të pafuqishmit. Barazia i heq çdo individi mbështetjen e të afërmve, por shtypi i lejon të thërrasë në ndihmë të gjithë bashkëqytetarët dhe të gjithë të tjerët si ai… Prandaj shtypi është, par excellence, instrumenti demokratik i lirisë”.

Alexis de Tocqueville












Indiferentët

Atë që mbetet në dritare vetëm për të parë, që e ka mbushur jetën vetëm me atë pak gjë që mund t'i ketë ofruar aktiviteti i tij personal dhe që e zbraz zhgënjimin e tij duke poshtëruar të sakrifikuarin, atë që është përgjakur, vetëm pse sakrifica e tjetrit nuk ja ka përmbushur synimet e tij, - atë nuk mund ta pranoj. Unë jetoj. Unë jam një partizan, një mbështetës. Për këtë arsye, i përbuz të gjithë ata që nuk marrin pjesë. Pra, i urrej indiferentët.


Antonio Gramshi


Wednesday 23 November 2011

Zhgënjimi i Odiseut




Kur ika në të perënduar të diellit,
dhe në bregun e detarëve të dy u ndamë
të pata lënë si porosi të fundit,
një vegjë dhe një lirë
për tu zbavitur dhe kaluar mërzinë
Me vegjë të qëndisje
të gjitha skenat e jetës sonë
të punoje nën djersën që të zbukuron ballin
dhe të bën të turpshme e të trëndafiltë
të kujtoje ditën kur nën një dafinë
të gjeta dhe të putha vjellurazi si bandill
dhe me lirën të këndoje trimëritë e mija
gjakun e derdhur për të mbrojtur fronin
udhëtimin tim të lavdishëm në Trojë
dyluftimet në shesh të burrave me  trojanët
që shok në trimëri kishin vetëm luanët
të më ktheje në legjendë trimërie
shumë më të madhe se Akilit
dhe t’ia kaloje Tetis që legjenda veçse përhap
për birin e saj të shëmtuar dhe zdap
Sepse nuk më pëlqejnë fjalët që kanë hapur
se unë jam dinak i shpallur
se gjithë ditën mendja më rri veçse për dredhi
se një burrë duhet të matet dhe me trimëri
Ndaj , si njeriu im më i dashur
që i kam besuar gjithë skutat e shpirtit
shpresoja shumë që ti ta mbaje fjalën
dhe në pëlhurat e tua të qëndisje ato që thamë
dhe jo anijet që iknin e vinin në Jon përballë,
dritares së pallatit tonë në Itakë
dhe jo pas çdo anije të shënoje “burri im nuk erdhi sot”
dhe jo të numëroje vitet mot për mot
Pastaj ta shqepje dhe ta punoje prapë,
e kuptoj qëllimin tënd ,
mëtonjësit doje ti mbaje larg
por aty në ato pëlhura të papërfunduara
ende shoh nëmat dhe qortimet e tua
Jam burrë dhe instinkti më thërriste
të njihja një botë tjetër që më kuturiste
ke të drejtë ciklopët dhe thesi i erërave janë përralla
unë desha që të vizitoja gjithë qytetet e bardha
që ndaj detit të madh si kulla qelqi qëndrojnë
dhe nën rrezet e diellit pasqyra të jetës sonë prarojnë
Por sërish nuk e meritoja atë këngë që mu thur
nuk ishte e denjë për një burrë
të këndohet vetëm për udhëtimet e mia
që komentuesit të më përshkruajnë si një tregtar
ajo që unë shumë fort e desha
ishte që të më quanin trim të marr
E di,  se ti vetë s’këndon
dhe shokun tim të femërisë Homerin,
si rapsod ke pajtuar për të kënduar legjendës time
me vargje të pavdekshme poetike
por mua s’më pëlqen kjo këngë dhe më nevrikos
më trazon mendimet dhe durimin ma sos
se të gjitha janë hamendësime ta dish
dhe Circja dhe Nausika, Homeri ska nga ti dijë
se nuk erdhi me mua në Trojë se ishte i verbër
ndaj unë me të drejtë dyshoj
se këto janë të gjitha  fryt i fantazive të tua
që heshturazi në vesh natyra jote ti ka shtirë
dhe pastaj ia ke përcjellë Homerit të mirë
që mitin tim si ikanak i përjetshëm të këndoj
dhe trimëritë e mia në Trojë bota ti harroj
Ky është shpagimi yt për vitet e pritjes
vite që të zbardhën flokët dhe të lanë ndanë dritares
përherë të adhuruar nga mëtonjësit vërdallë
dhe e djegur për mua burrin e parë
Unë që nuk kthehesha dhe botën shëtisja
që mitin tim në mendje qëndisja
që si përngjet fare asaj se ti ke punuar
në vegjën që të pata dhuruar.
dhe që ti  në heshtje skena mendon
sesi pritjen e gjatë të ma shpagosh
Ndaj kam frikë kur më thua banja është gati
se fatin e komandantit tonë mendoj
ndaj kam frikë kur më jep verë
se ndoshta në të më helmon
dhe pastaj të derdhin të gjithë lot
mbi mbretin hero-udhëtar të vdekur në këtë bot
ndaj s’di ç’të bëj dhe të mendoj
s’di si kujtimin e dashurisë tonë të ngjall
se unë kam marrë dënimin më të madh
të jetojë në këngë dhe i vdekur i gjallë.
Ti hesht dhe s’flet, shikon matanë në det
duket sikur sërish dikë pret
Homeri me lirën dëgjohet të këndojnë
legjendën time që thurët të dy
për bëmat e mia me gra dhe popuj të tjerë
dhe për fatin tim të mjerë
të rri larg shtëpisë plot 20 vjet
dhe ti të presësh me mallin që të tret
Kur ika......për atë Zeus s’duhet të kisha ikur


Tiranë Gusht 2011




Tuesday 22 November 2011

Baloja



Telefonata







Për të hequr mërzinë pas incidentit me njerëzit e papërgjeshëm që përmirrnin poshtë urës ashtu si qe mësuar ti thërriste me një term të huazuar nga Xheki, Baloja u drejtua drejt qendrës tregtare. Edhe pse ishte pak larg dhe të merrej fryma derisa të arrije deri aty , Balos i pëlqente ambienti ndaj nuk e llogariste lodhjen. Ai  mund të hipte dhe në ndonjë dumdum që kalonte gjithë zhurmë mes për mes qytetit për të mos u lodhur po Xheki i kishte thënë se dumdumi nuk kishte “klas”. Baloja nuk e kish kuptuar në fillim këtë fjalë, por Xheki që si gjithmonë e kish përgjigjen në majë të gjuhës për çdo gjë të panjohur ia kish shpjeguar, si nivel. Eh çdo të thotë të kesh për zot një vajzë të shkolluar kish ofsharë me vete Baloja dhe kish uruar që të gjente një të tillë dhe për veten e tij.
I zhytur në këto mendime Baloja kish arritur tek qendra. U avit tek kafeneja e njohur ku uleshin shumë njerëz të ngritur që Baloja e kuptonte si nga temat e bisedave apo dhe nga veshja e tyre dhe vuri veshin të dëgjonte se ç’po bisedonin tre burra të vjetër në moshë, me fytyra gjithë rudha dhe flokë të gjatë të zbardhur lëshuar supeve.
-Eh shoku Zylo po i thoshte njëri. Cfarë ke shkruar tani së fundmi?
- Për qentë ia ktheu shkurt burri që quhej Zylo duke iu dridhur paksa dhe duart
 që  i mbante në tavolinë pranë gotës së rakisë.
Për cfarë e pyeti burri sërish?
Për qentë, besnikërinë e tyre shtoi  Zyloja kur pa se fjalia e tij kish shkaktuar një reagim në fytyrat e dy miqve të tij. Ky qenka shpirt njeriu tha Baloja me vete dhe u përqendrua gjithë sy e vesh të dëgjonte bisedën deri në fund. Ne s’duhet të mërzitemi kur dikush na quan qen vazhdoi burri quajtur Zylo sepse nuk është ofendim por një kompliment që duhet ta respektojmë. Më thoni ju lutem a ka vlerë më fisnike se besnikëria? A nuk e prezantojnë këtë vlerë më së miri qentë?Jo më kot Naimi ka bërë goxha pjesëz këndimi për qentë. Dy burrat tundnin kokën gjithë respekt dhe pohim ndërsa Balua u ngazëllua dhe mendoi se kjo ishte një bisedë që duhej dëgjuar deri në fund dhe që patjetër mund të cyste dhe kureshtjen e Xhekit që vazhdimisht thoshte që si pëlqenin “gossip” Këtë atmosferë ngazëllimi si të burrave që dëgjonin Zylon por dhe të Balos që dëgjonte ata e prishi një zile celulari. Burri i quajtur Zylo nxori celularin nga xhepi e vuri në vesh dhe filloi të mbante vesh. Për disa sekonda s’u dëgjua gjë, pastaj Zylua i vrenjtur në paksa në fytyrë filloi të fliste.
-                          Nuk e bëj dot mor bir, më kupton. Ç’është kjo hata? Unë kam një jetë që se honeps dot çfarë bën ai njeri, ti më thua mere në telefon. Tipi matanë telefonit mesa duket këmbëngulte derisa u dëgjua Zyloja sërish të thoshte “Oj T’ëmën, nuk e bëj or jo’ S’është i njëjti por është tjetër. Ai është i veshur me lëkurë qengji dhe mbylli telefonin. Më falni u drejtua nga të tjerët por u nxeha.
-                          S’ka gjë – i thanë burrat. Njerëz jemi o Zylo. Vazhdojmë muhabetin- tha njëri prej tyre. Për qentë po flisnin.
-                          Ah po tha Zylo . Qentë  mësojnë të ecin, qentë mësojnë të nuhasin, qentë mësojnë të kafshojnë por dhe të....por sërish një zile celulari e ndërpreu. Zyloja e mori sërish celularin e vuri në vesh dhe filloi të dëgjonte. Pas disa sekondash filloi të fliste. Moj shpirtkë e babait nuk mundem, mos ma kërko këtë gjë. Por zëri andej vazhdonte të ishte këmbëngulës. Zyloja dëgjoi dhe dëgjoi për disa minuta dhe tha nëpër dhëmbë mirë-mirë
-                          Ç’është o Zylo e pyeti njëri nga burrat.
-                          Ah kjo jetë është jetë qeni tha Zyloja më duhet të bëj një telefonatë të uroj dikë për një fitore por s’ma bën zemra.
-                           Pse o  Zylo, ctë keqe ka ia ktheu tjetri ?
-                          Po unë kam bërë gam-gam tërë jetën tani do ta kthej. Ç’ti bëj kësaj kulishes sime që mi lidh këmbët se do të hapi panaire se super panaire pa të ishte për mua , as që do e merrja mundimin.
Baloja po dëgjonte tërë sy e vesh dhe s’po merrte vesh gjë. Buri i quajtur Zylo që e kish pëlqyer aq shumë dinte kaq shumë nga bota e tij, njihte instinktet e para të tij por dhe gjuhën që ai fliste thoshte që jeta ishte qene?Ç’të nënkuptonte vallë që ishte besnike apo qe ndonjë fjalë e ligsht? Baloja mendoi se Xheki duhej ti kthente një përgjigje dhe mendoi t’ia mbathte njëherë andej nga dyqanet e modës se mos e gjente sëbashku me të zonjën e vet.
                              













Poshtë Urës





Baloja vendosi të lëvizte nga bari buzë lumit dhe nga skena që e kish tronditur aq shumë. Këmbët filluan ta çonin instinktivisht  andej nga qendra tregtare ku ai e dinte që mblidheshin shumë njerëz. Balos i pëlqente të kalonte ndanë tavolinave dhe të dëgjonte biseda njerëzish sepse me to ai informohej. Xheki, qeni i lagjes tjetër që kishte për të zot një vajzë të shkolluar i kish thënë Balos se ato fjalë që ai dëgjonte dhe pastaj i bisedonte me të tjerë quheshin “gossip”. Baloja si një qen i ardhur larg nga fshati në qytet, nuk para i kuptonte mirë gjuhën e huaj ndaj dhe se kish vrarë mendjen shumë.E kuptonte që duhej të ishte diçka e keqe por  fundi, fundit ai s’bënte as më shumë e as më pak se ç’bënin dhe goxha njerëz të rëndësishëm që zbrisnin nga një godinë që quhej ministri dhe lexonin të gjithë bashkërisht një gazetë që Baloja e kish dëgjuar ta quanin “Blutooth”. Baloja i kish parë dhe dëgjuar me veshët e tij kur shkonte andej nga qendra e qytetit dhe rrinte thekej në diell buzë kafenesë që mund të dukej modeste nga jashtë por ishte e gjitha me njerëz të rëndësishëm që e frekuentonin.

Baloja papritur  u shkund nga mendimet, pa vendin ku ishte dhe vendosi të kthehej mbrapsht sërish tek bari buzë rrekëzës që njerëzit e quanin lum. Nga qëndrimi për një kohë në një vend e kishte marrë urina ndaj u drejtua si zakonisht nën urë , vendin që i kish treguar Xheki që në ditët e para ku kish zbritur në qytet si vend ku mund të kryente nevojat e tij personale. Fillimisht ai se kish kuptuar këtë këmbëngulje të Xhekit sepse me mendjen e tij arsyetonte se ashtu si në fshat ai mund ti kryente ku të donte, por Xheki i kish shpjeguar se tashmë ishte në qytet dhe përderisa ne qentë nuk kemi një vend si njerëzit që kanë ËC, atëherë ne duhet të zgjedhim një vend që bie më pak në sy se të tjerët. Balua e kish pranuar në heshtje arsyetimin e Xhekit dhe qysh atëherë e kish bërë zakon që ti kryente nevojat personale nën urë. Kur arriti nën urë ai e kuptoi se vendi atje nuk mund quhej vend intim. një autobus kish ndalur buzë rrugës dhe një turmë burrash dhe të rinjsh të veshur thjesht dhe me kostume zbrisnin të gjithë grupe-grupe njëri pas tjetrit dhe përmirrnin poshtë urës. Balua u ndje ngushtë, megjithatë vendosi dhe ai të përmirrte si të gjithë ata pasi fundi-fundit çfarëdolloj gjëje që do thoshte Xheki, vendi njihej nga të gjithë si WC e qenve. Kur ishte gati duke mbaruar, Balua ndjeu një godite të pabesë në ije dhe një burrë të stërmadh që bërtiste “Shko mor qen i ndyrë. Përmjerr këtu para syve tanë”. Balua u hodh tutke iu skërmit burrit dhe iu turr për ti dhënë një të kafshuar të mirë që t mbante mend për gjithë jetën. Mirëpo burri i kish marrë masat. Ai mbante në duar një copë hekuri që duhej ta kish gjetur aty pranë dhe e vërviste në ajër. Baloja iu shmang dhe iku matanë pasi e dinte shumë mirë nga eksperienca se nuk mund ta vinte dot me atë copë hekuri që burri e përdorte me shkathtësi. Iku duke vrapuar drejt qendrës i revoltuar për njerëzit që sulmonin me të kotë qenie paqësore si ai dhe i mërzitur për fjalët përçmuese i “qelbur”. Kush, kush është i qelbur përsiaste gjithë tërbim , ne që kemi WC tonë dhe shkojmë aty dhe i bëjmë nevojat personale apo ata që kanë gjithë atë administratë që i qeveris, që ata e quajnë Bashki dhe s’ndërton asnjë WC publike për njerëzit?!



I pashpirti





Baloja mund të kishte rreth një orë që po flinte kur papritmas e zgjuan disa zhurma të forta dhe të thirrura. I trembur hapi sytë dhe pa rreth e rrotull. Nga barangat përballë pa një burrë të shëndoshë ,barkmadh të zeshkët që ai e kish parë disa herë të rrinte në një kafene tek lagjja ku pinte raki, hante qofte dhe këndonte më të zvargur melodi të trishta. Burri kish  mbërthyer mes këmbëve të veta dy fëmijë të vegjël që i qëllonte me pëllëmba dhe u bërtiste: Qen, trego gjithë lekët ku i keni fshehur. Unë ju mbaj , ju vesh dhe ju të më fshini lekët mor qenër, qenër të pabesë. Fëmijët përpiqeshin të shpëtonin dhe mes ngashërimeve  belbëzonin: Babi,babi po s’kemi më lekë. Ti dhamë të gjitha, por burri s’pushonte së qëlluari e së shari.

Baloja turfulloi, tundi kokën me zemërim i mërzitur sërish për krahasimin. Iu kujtua se i ati i tij nuk sillej kështu me të. Përkundrazi në ato vite të vështira që mungonte mishi, i ati i tij bënte si bënte dhe i gjente nja dy kocka, i lëpinte njëherë a dy dhe pastaj ua jepte fëmijëve. Baloja pa sërish matanë rrugës ku fëmijët e vegjël po qanin ndanë rrugës kurse babai i tyre me lekët që kish marrë qe drejtuar drejt kafenesë. Ç’dreq ka ai që më përdhos kujtimin e babait-tha Baloja dhe u betua se po ta gjente gjëkundi përpara tij do t’i ngulte ndonjë dhëmb.






Romët




Duke mos e kuptuar aspak dilemën e njerëzve për kapërcimin e rrugës, baloja vendosi të ulej në bar dhe të sodiste bregun përballë. Matanë ishin disa magazina të rrënuara dhe të mbështjella me kartoserë që Balos i kujtonin stallat e vjetra të kooperativës në fshat. Mes tyre dukeshin fëmijë të vegjël, gjysëm lakuriq që luanin në një pellg me ujë të ndotur. Ç’të jenë vallë këta pyeti veten Baloja dhe u ngrit me të dy këmbët e para për të parë më mirë. Papritmas pamjen ia ndërprenë një pelë dhe një mëz i vogël që dolën nga barangat, kapërcyen rrugën dhe filluan të kullosin në barin buzë lumit. Baloja u përlot, iu kujtua koha në fshat ku në livadhet e gjera e shikonte shpesh këtë skenë idilike që dhe njerëzit mesa kish parë e kishin qejf sepse e mbanin nëpër posterat dhe kalendarë si pamje të preferuar, por panja e pallateve buzë rrugës e solli me këmbë në tokë dhe e kuptoi që ishin në qytet. Qenkemi në qytet përsiati Baloja por ata njerëz që rrojnë mes barangash dhe në mizerje ç’të jenë vallë? Dilemën ia hoqën dy njerëz të veshur shik që po bisedonin pak më tutje buzë  trotuarit.
-Jetë qeni, të merremi tërë kohën me romët dhe tregoi me dorë matanë ku ishin njerëzit që rronin në mjerim
Money do not have colour –ia ktheu tjetri dhe i nënqeshi nën buzë. Sot është dita ndërkombëtare e tyre dhe nga Bashkimi Evropian kemi përftuar një fond të madh. E ke parasysh, disa tryeza të rrumbullakëta, një aktivitet muzikor për trashëgiminë e tyre kulturore dhe jemi në rregull. Ah se harrova , sot je në televizion të flasësh për ta. Duhet regjistruar emisioni dhe ta dërgojmë në Bruksel që të shikojnë se çfarë NGO serioze jemi.
-Ok, ia bëri tjetri me kokë.
Qenkan romë ata njerëzit mes barangave tha Baloja me vete dhe iu kujtuan se kur lëviznin fshatrave ata hapnin një lloj panairi ku merrnin pjesë i madh dhe i vogël. Edhe pse vazhdimisht shisnin mallra, romët paskëshin mbetur të varfër. Edhe unë tha Baloja kam mbetur i varfër dhe jam në mëshirë të klientëve të picerive që lënë ndonjë copë pice pa ngrënë dhe të zonjave bujare me “Gucci” dhe “Versage” që lënë rrugëve ndonjë qese të shijshme me plehra. Baloja hodhi sytë prapë nga dy burrat që po hipnin në një Jeep Cheroke dhe e kuptoi që ata ishin të pasur. Kur qenkan të pasur –mendoi Baloja, ç’dreq kanë që e krahasojnë jetën e tyre me timen??!! I erdhi inat që bënin krahasime të pavenda dhe zhyti kokën mes këmbëve të merrte një sy gjumë.


Kapërcimi i rrugës

Pas ushqimit të mirë e të këndshëm që me aq bujari zonja me Gucci dhe Versage i kish dhuruar, Baloja vendosi të bënte një shëtitje për të tretur ushqimin dhe për të çmpirë këmbët. Pa njëherë rreth e rrotull për të vendosur se në drejtim të shkonte, dhe e kuptoi se lagjja e re nuk i afronte shumë gjëra. I gjithë vendi ishte i betonuar dhe i kthyer në një parking ku mezi dalloheshin ca vazo me lule që Baloja kish dëgjuar ca njerëz me kravata dhe dosje që inspektonin lagjen herë pas here ta quanin gjelbërim. Baloja  në fakt i kujtohej se kur kish parë rreshqithtasi nga xhamat e një shtëpie në televizor qytetet të tjera, ato ishin plot me parqe dhe jo si kjo lagje ku parkingjet nëntokësore ishin ngritur si bunkerë. Iu duk shumë mërzitshëm të kulloste sytë mes asaj ngjyre gri ndaj vendosi të kapërcente rrugën për të shkuar buzë lumit të vogël që përshkonte qytetin mes për mes e  ku kishte pak gjelbërim. Mirëpo s’ishte dhe aq e lehtë! Sa Baloja u gjend buzë rrugës dhe kërkonte që të kalonte rruga që ishte njëkalimshe por me makina që vinin nga dy drejtime të kundërta, ajo mbushej plot me makina që i ngisnin shoferë që të kalonin si të marrë tek këmbët. “Hej dreq” ofshau Baloja, s’qenka punë kjo! Pastaj papritur iu kujtua se njerëzit prisnin sa të ndizej një dritë jeshile tek ai hekuri i gjatë që ishte ndanë rrugës, pa kalonin. Hodhi sytë me shpresë nga hekuri që kish dëgjuar nga njerëzit të   quhej semafor por pa rezultat. Semafori as që punonte fare në një rrugë të tillë. Iu zgjua instinkti i trimërisë dhe vendosi të kalonte. Mati sërish me sy makinat dhe u lëshua. Mirëpo i kish bërë llogaritë gabim. Sa ishte në mes të rrugës një makinë iu gjend te këmbët dhe Baloja të mos kish pasur katër këmbë do qe rrëzuar dhe makina do e kish shtypur. Mezi u mbajt, iu shmang makinës së parë dhe po kështu dhe tjetrës dhe doli matanë. U afrua tek bari i gjelbër buzë lumit dhe pak i frikësuar dhe pak i trullosur filloi të mendonte “mirë unë që kam katër këmbë dhe arrij ta mbaj ekuilibrin po njerëzit që kanë dy këmbë dhe u duhet ta kalojnë përditë këtë rrugë si ia bëjnë vallë?



Baloja





Baloja doli nga rrugicat e vjetra të qytetit të shtruara me pllaka dhe gjithë pastërti dhe rrëshqiti ngadalë ngadalë drejt rrugëve me asfalt. U afrua te k pallatet moderne dhe të reja që kishin një dekadë që ishin ndërtuar dhe hyri në mes të makinave luksoze që kishin parkuar ndanë tyre. Në vështrimin e tij papritur u përvijua silueta elegante e një gruaje që mbante në dorë një çantë lëkure që ai e kish parë të kishte te qendra e madhe tregtare ku njerëzit shikonin, stepeshin dhe largoheshin çuditërisht pa blerë gjë. Aty ai kish dëgjuar se ai vend quhej Gucci. Zonja me rrobat gjithë shik dhe elegancë që Baloja i njihte mirë pasi ishte i sigurtë që ajo duhet ti kish marrë në dyqanin ngjitur, që njerëzit e thërrisnin “Versage”, para se të hynte në makinë la jashtë me kujdes një qese me plehra të shijshme. Baloja nuk u besoi syve kur pa këtë gjest kaq bujar dhe fisnik nga ana e zonjës. E zhyti kokën mes qeses dhe filloi të përtypte ngadalë ngadalë gjithë kënaqësi kockat e mishit dhe mbeturinat e tjera që u përhapën gjithandej nëpër asfalt. Duke ngrënë , Baloja meditonte : Sa njerëz të mirë e të kulturuar janë këta të veshur me Gucci dhe Versage! Janë aq të mirë sa mendojnë dhe për ne qentë!










Monday 21 November 2011

Përkujdesje dhe përkushtim i munguar...




Shqipëria është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që në vitin e largët 1955. 10 vjet më vonë se data e themelimit të saj. Kjo vonesë në hyrjen e Shqipërisë në O.K.B nuk ndodhi si rezultat  i izolimit të Shqipërisë apo mohimit të saj për tu anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare si ndodhte rëndom në politikat që ndiqte shteti komunist shqiptar, por më së tepërmi ishte një vendim i fuqive demokratike të kohës që hezitonin të njihnin regjimin diktatorial të Tiranës. Edhe pse kjo vonesë në pranimin e Shqipërisë rrezikonte ekzistencën e shtetit shqiptar dhe nuk shikohej mirë as nga diaspora anti-komuniste në mërgim, prapëseprapë pavarësisht këtyre efekteve kjo masë përpiqej të ndikonte në frenimin e shtypjes dhe mohimit të së drejtave të njeriut në Shqipëri .Mirëpo gjeopolitika e kohës dhe interesat  Bashkimit Sovjetik bënë të mundur që Shqipëria të pranohej pa i respektuar këto të drejta që ishin të sanksionuara dhe në Kartën Themeluese të O.K.B dhe rrjedhimisht regjimi komunist të konsiderohej partner i shteteve të tjerë sipas së drejtës ndërkombëtare. Automatikisht sëbashku me pranimin e Shqipërisë  në O.K.B duhej që dhe festat e miratuara nga ajo të bëheshin pjesë e kalendarit zyrtar të shtetit shqiptar. Mirëpo , regjimi komunist duke e konsideruar O.K.B –në vetëm si një organizëm të nevojshëm për afirmimin e vet në arenën ndërkombëtare dhe jo si një organizëm ombrellë të shteteve të lira dhe të pavarura, nuk mënoi që të vinte sërish në funksion logjikën e vet të izolimit dhe në këtë aspekt duke ndjekur një traditë tjetër përsa i përket këtyre festave. Kështu p.sh në një datë që konsiderohet si dita ndërkombëtare e fëmijëve 1 qershori, me një origjinë jo të saktë se përse ishte zgjedhur e tillë u caktua si dita që do të nderonte përkushtimin e shoqërisë ndaj fëmijëve , kurse O.K.B-ja si ditë universale të tyre vendosi datën 20 nëntor që ishte një ditë më vonë se dita e universale e njeriut, data 19 duke bërë kështu një lidhje organike mes tyre dhe një festë 48 orësh të prindërve dhe fëmijëve. Po kështu  data 20 nëntor është dhe dita kur më 1959, Asambleja e Përgjithshme e O.K.B-së miratoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve dhe 30 vjet më vonë në të njëjtën datë u miratua dhe Konventa e të Drejtave të Fëmijëve që është nënshkruar nga 191 vende deri më tani.
Detyrimet dhe të drejtat që dalin nga deklarata dhe konventa për të drejtat e fëmijëve që Shqipëria i ka nënshkruar me kohë, natyrisht që nuk janë të drejta dh detyrime që shoqëria shqiptare t’i kujtojë vetëm në ditën e fëmijëve. Çdo shtet që është serioz dhe që dëshiron të sigurojë një zhvillim të vazhdueshëm të shoqërisë së tij i duhet që kujdesin ndaj fëmijëve ta konsiderojë një prioritet kombëtar. Eksperienca e vendeve të tjera me demokraci të qëndrueshme ka treguar se qëkur këto vende bënë për vete parimet e mbrojtjes universale të qytetarëve të vet duke i kushtuar një vëmendje të veçantë të drejtave dhe mirëqenies së fëmijëve, ato lanë pas erën e vjetër të paditurisë dhe individualizmit të skajshëm dhe afirmuan veten si demokraci të qëndrueshme dhe universale për të gjithë. Tradita dikensiane e trajtimit të problemeve të fëmijëve dhe thirrjeve për ti zgjidhur ato u bënë kryefjala e gjithë aktivistëve të shoqërisë civile kudo në Evropë. Në Shqipëri edhe pse kjo erë për hir të së vërtetës ka fryrë shumë herët prapëseprapë në regjimin komunist kishte probleme pasi fëmijët që u përkisnin shtresës së margjilizuar të të përndjekurve politikë nuk i gëzonin të gjitha të drejtat si bashkëmoshatarët e tyre. Ndaj tyre ndiqej e njëjta politikë përçmuese dhe denigruese si ndaj prindërve të tyre duke demaskuar kështu pa dashje fytyrën e vërtetë jo humaniste të komunizmit shqiptar.
Vitet që pasuan pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri shënuan disa nga faqet më të errta të historisë moderne të shqiptarëve përsa i përket të drejtave dhe trajtimit të fëmijëve. Me qindra fëmijë ranë pre e trafikimeve nga ana e grupeve kriminale që lulëzuan kudo në Shqipëri duke shkaktuar drama të mëdha njerëzore. Po kështu fëmijët u bënë subjekt i shfrytëzimit të egër të tyre në punë të papërshtatshme për të mbijetuar në skena dhe ngjarje që të kujtonin Anglinë Viktoriane të Dikensit. Organizata të ndryshme joqeveritare që vërshuan në Shqipëri u munduan që të vendosin pak rregull në këtë kaos të madh social por ashtu si shpesh herë ato përmirësuan situatën po aq herë ishin dhe përgjegjëse për përvetësimin e ndihmave që bota demokratike mundohej tu jepte fëmijëve të munduar shqiptarë. Raste të shumta të publikuara në shtyp por më tepër ato që ndihen dhe perceptohen në popull tregojnë se çështja dhe trajtimi i të drejtave të fëmijëve për fat të keq u kthye për një grup të vogël në një biznes fitimprurës. Kjo situatë edhe pse mund të duket që ka ndryshuar shumë kohët e fundit më tepër si fuqizim i pushtetit të katërt-medies,përforcimit të ndërgjegjes së qytetarëve shqiptarë dhe shtetit shqiptar për fat të keq vazhdon të shfaqet herë pas here, sigurisht në përmasa më të vogla dhe më të kamufluar. Kështu p.sh shumë biznese punësojnë shumë fëmijë që nuk i deklarojnë fare si punonjës apo disa prej tyre detyrohen të lënë shkollën në zonat rurale për ti ardhur në ndihmë familjes në punët e përditshme blegtorale-bujqësore.
Një aspekt tjetër dominues i të drejtave të fëmijëve është se shpesh herë ato nuk kuptohen si të tilla dhe abuzimi vjen krejt natyrshëm dhe në mënyrë të pandërgjegjshme. Kështu thirrjes së herëpashershme  të shoqërisë civile drejtuar ndaj politikës për të mos përdorur imazhin e fëmijëve apo dhe vetë ata në fushatat elektorale i është përgjigjur një zë justifikues i prindërve militantë që në këtë gjë s’ka asgjë të keqe! Këta prindër harrojnë se përvese të drejtave të tyre natyrale si prindër mbi fëmijët e tyre ka dhe të drejta universale që e tregojnë qartë se përdorime të tilla nuk janë të lejueshme ndaj mbetet që të bëhet një punë më e madhe informuese në këtë drejtim. Mënyra sesi i trajton fëmijët një shoqëri është dhe do të mbetet një etalon matës sesa e emancipuar dhe demokratike është ajo shoqëri. Në këto 20 vjet tranzicioni pasi jemi munduar që të ndërtojmë karabinanë e demokracisë efektive ka ardhur koha që të plotësojmë tërë hapësirën e kësaj shtëpie të madhe për të gjithë. “Fëmijët janë e ardhmja”, është një slogan rutinë që e përsërisim gjithmonë çdo vit në rast festash të fëmijëve, por kur do të fillojmë vërtetë ta ndjejmë këtë fjali jo më si rutinë por si postulat përcaktues i ndërgjegjes sonë atëherë me të vërtetë do të maturohemi si shoqëri. Para se të prodhojmë për fëmijët spektakle ku ata kopjojnë të rriturit le t’i bëjmë ata të jetojnë vërtetë femërinë e tyre nëpërmjet krijimit të kushteve më të mira psikologjike dhe materiale. Sfidë me të vërtete e madhe, por si çdo sfidë që ka të bëjë me të ardhmen ajo duhet projektuar mirë që në të sotmen, ndaj duhet kthyer në një prioritet të të gjithëve dhe shoqërisë.


Sunday 20 November 2011

Letër nga Tirana








Skënderbeut,po i zënë pluhur tirqet
dhe mbi shpatë nuk i ulet më asnjë pëllumb
një re pluhuri ka pushtuar qendrën
duke shpërndarë një ngjyrë të plumbtë

Ca re që  nuk sjellin shi, gjëmojnë diku larg
Pallati i kulturës ngjan si  sarkofag
i rrjepur nga pllakat,nga të gjitha anët
por si një e përgjumur zhgabë

Një sahat që pret shumë pak vizitorë
s’mund të masë dot kohën që vrapon
në libraritë  shiten histori me diktatorë,
“Kurban” dhe “Shqipëria” që po ndryshon.

Sheshi i madh ,tashmë është zhdukur
është fshehur mes pemëve tinës
për të na u shfaqur nga lart në ajër
si reklamë gjigante e firmës “Lines”

Si shitës ambulantë vërvitet njerëzia
për të shitur “ ide”  si plaçka të vjetra
të përunjur, pëllumba i gjen dita
preh e lehtë për skifterët me kthetra

Për t’i mbledhur  të gjithë tok
për të brohoritur me rrofsh dhe aman
 me zërat e ngjirur nga ekstaza
për politikën veten  ta bëjnë kurban.


Tiranë 20.11.2011









Letër nga Londra



Nen mjegullen e ngrire, 
ne terr te pabuje, silueta navigojne,
drejt udhes se hekurt, krahet shtrire,
te djelen, akoma pa drite, sklleverit marshojne.

Te prere, te lodhur e te pagjume,
perzjere me pijanec e qen ne nje turme,
te mbeshtjelle, kokeulur shkojne ne pune,
sikur shpresen jua ka marre dikush me dhune.

Dhe shtyhen, peshtyhen e shahen nen buze,
te lidhur nga fati me te hekurtin "terkuze",
nje rruge, nje linje, nje klase poliglote,
nje shoqerie shfrytezuese, te njeten enderr idiote!!





Letër (e vjetër) nga Napoli

I ulur buze detit,rri i menduar,
pranë detit qe na ka ndarè.
i mbushur me mall,si i hutuar,
mendoj,sa kohe u bene pa parè

Ne dore kam një shishe,
ne gjoks një zemër thyer,
dua te jem,pranë jush njerëz qe ju kam dashur,
madje,dhe pranë atyre qe dikur kam urryer

Ne çdo gllënjke kërkoj lehtësimin,
(lehtësi që s’më dhanë as lotët,qe tashme janë tharè)
ulëras si i çmendur për te shfryre hidhërimin,
mendoj,sa kohe u bene .......pa parè??

---------------------edi---------napoli.....korrik '93

Nga Eduard Rustemi



Letër nga Tirana tjetër

Përse të flas?
E ç’mund t’i shtoj më tepër
Letrës tënde bardhë e zi.
Tirana ime është e njëjta,
Siç the një javë më parë dhe ti.

Asgjë nuk ka ndryshuar,
Madje hiç!
Sahati prapë pa vizitorë mbet,
Dhe Skënderbeu është tretur,
Në shpatë nuk i qëndron më asnjë shpend.

Unë jam i njëjti, ç’të të them më tepër?
Ti po i njëjti, dhe kjo s’do shumë mend,
Monotonia nuk po gjen dikë tjetër,
Ka kapur seriozisht këtë bythë vend

Nga Ardit Rada


Letër nga Berati



Qyteti, ngjyrat e tij, rrugët, kalldrëmet treten dhe ndiej se turma,

ajo pjesë e rrezikshmërisë sonë të përditshme,

shuhet në misterin e kohës, këtij gjykatësi të rreptë,

që garanton humbjen tonë (njerëzore),
duke përjashtuar ata që besojnë,
veprojnë mirë dhe e porosisin njëri-tjetrin
në vërtetësi dhe në durueshmëri.
Unë dhe qyteti jemi antipod të njëri-tjetrit:
ai ndëshkimi im dhe unë molepsja e tij.
Rrugët dhe trotuaret më bëjnë të ndihem një mjeran i nëmur. 
Agu i agimit, me diellin që shndërrin përmbi re
e madhështinë e tij që shtrin krahët përmbi qytet, më tmerron.
Bulevardi së bashku me ata vdekatarët e rëndomtë (njerëzit?!)
që parakalojnë përmbi të, si të ishte një karantinë,
si ajo e “Verbërisë”, më bën të ndihem një kufomë e gjallë,
një ndyrësirë e çrregullt dhe e dështuar e qytetit.
Mu shpif ajo pjesë e qytetarisë (sikur qytetaria të mos kishte asfare lidhjeje me qytetërimin!!!),
që jeton si sekt i molepsur dhe i mbyllur brenda vetvetes,
ku mund të depërtosh, aq sa mund të futet deveja në vrimën e gjilpërës,
sa më bën t’ia mbath një sahat e më parë prej qytetit.
Të gjithë ata profesorë, doktorë, avokatë,
 gazetarë, poetë, shkrimtarë, bankierë, e lloj-lloj dështakësh,
më bën të mendoj se qyteti është i mjerë si unë,
duke më ftilluar se ai, Odin Monvalseni i shkretë,
 e kishte bajagi mirë, kur pretendonte se ishte danez.
Ideja se shkaku i trishtimit tim është qyteti,
 për një çast rrokapjekthi më hedh tej një ëndrre naive.
I mvesh qytetit atë petk
kur ai ishte “vetvetja” (nëse ka qenë ndonjëherë i tillë!),
 fundshekulli XVIII dhe fillimshekulli XIX,
garat e poezisë buzë lumit, Nezimi, Naibi, Kurt Pasha,
Vrionasit, e deri tek Buharaja, mbiemri i të cilit,
sipas një gojëdhëne, vjen prej persishtes që flitej aq bukur në fisin e tij,
porsi në Buharanë e dikurshme,
dëshira për njohje të të cilit edhe sot e kësaj dite
më shpërfaqet si një dëshirë subkoshiente.
Në këtë qytet kurrë nuk mund të jesh vetja,
 ngase përherë e sheh veten të vetmuar,
 të mbushur përplot me mendime, sa ndonjëherë ajo të duket
 si “rasti Shreber” i Cannetit,
një donkishot modern, i pafuqishëm dhe i përjetshëm,
duke e kuptuar se ky qytet ka dobësi për njerëz si ty.

Nga Namir Lapardhaja


Letër nga Forlì


Ja dhe unë po ju shkruaj
si te tjerë nga vend i huaj
te me ndjeni, me "te dashur" s'kam filluar
po shpejt jam nxituar
e para se te harroj 
nga Forlì, një dite te mire ju uroj
Mu këtu afër ne një fshat
lindi dikur një Duce i zi
e për kontrast politikisht
ne zemër te se kuqes Romanje 
siç njihet zakonisht
zi e kuq , kuq e zi 
here me zë , here pa te 
bëjnë dhe këtu histori

e ç’t’u them ne këtë dite te ftohte
nga ky vend kuq e zi
thonë gazetat neper rruge
vjedhjet shtohen për çdo dite
e i pari i qytetit, ndihme 
i ka kërkuar deri ministrisë
thonë një tharje po kanoset
Krishtlindjet pa ujë , do djallosen
po për mua s’është e re...
atje ne token e kastrioteve
qe nga bollëku i krojeve emrin ka
me pagure ne krahë dikur
lëvizjen e "legenit" e kam provu

hej dreq si për habi 
dhe Kastrioti është kuq e zi
por e kuqja po vegohet
nga tym-gëlqerja vetëm zi projektohet
nejse se kjo është gjë me vete
e ky "rrjeti" sot m'kujton
veç një , një Mëvetesim
qe dikur shpalli një popull trim
trim ne trup e trim ne mendje
trima t'tillë sot kërkojmë me endje.

Nga Ardiana Vogli

Letër nga Mirdita






Kto malet qe po me rrethojnë
kto malet po me mësojnë
me japin mësimin e jetës
ki kujdes nga te tjerët por trembu vetes
ec gjithmonë me kokën lart
por shiko gjithmonë ne mënyrë te qartë
kemi lind ne ktë vend
nuk do e harrojmë si ne burg si ne kuvend
na kanë lan shumë fjalë te vjetrit
un për kte i them faleminderit tim gjysh Pjetrit
respekto natyrën qe te rrethon
se ne natyrë linde dhe aty po shkon
ky vend ka ditën edhe natën
ne kemi bukën dhe spatën
shohim larg fal kti horizontit
ulemi kam kryq e i falemi edhe Zotit
e mira dhe e keqja, nata dhe drita
fal Zotit zgjidhjen ma mësoj Mirdita

Nga Emiljan Tokrri



Letër bukurisë nga nata e "bardhë” e Tiranës







Bukuri, kjo natë s’është e denjë,

e bardha gënjen, s’janë ato ngjyra,
por ca manekyra, prerë si nën shi,
që rrugët e Tiranës i veshin me gri.

Gjithë nata e natës, duket shkretëtirë,
këmbët sa u lodhën, hapa kundërshtuar,
nuk kthehen dot, kur s’kishin për të shkuar.
mendje e shkalluar, bardhësi e pashtruar.

Bukuri, kish vetëm re të hirta, ca gjoja petrita,
që thonë e përsërisin fraza delikate,
dhe fundosen hidhur në detin e zhgënjimit,
duke pirë në mjegull gotën e bardhë të mashtrimit.

Nga Isidor Koti




Letër nga Tirana



Turma te shkujdesura si milingonat para shiut
si pëllumbat qe presin thërrime
te hallakatura e zgjidhur si tespihet
njerëz mbathur me çizme te pluhurosura ne vere ne dimër çizme balte
ajër pa oksigjen thithin mushkëritë e bukosura
asfalti si rërë shkretëtire qe shpirtin kall
dëgjohet një këngë diku ne mëhallë
një zë këndon te mbaje lumturinë gjalle

Nga Bilbil Beqiri