Sunday 24 July 2011

Sektori publik dhe polarizimi i shoqërisë








Nuk besoj se ndaj ndonjë sekret të madh me lexuesit kur them se në Shqipëri ka biznese që punojnë me dy bilance, njërin të vërtetin ku shënohet realisht sesa shpenzohet dhe fitohet dhe tjetri për t’u paraqitur para Tatim-Taksave ku zakonisht shpenzimet janë pothuajse sa fitimet ose këto të fundit janë minimale. Është e tepërt të theksoj se këto taksa të mospaguara zvogëlojnë buxhetin e shtetit dhe për rrjedhojë ka më pak investime publike, shkolla, rrugë dhe rritje të cilësisë së jetesës së qytetarëve. Ajo që të bën përshtypje është se ky perceptim i cili tashmë i kalon kufijtë e një legjende urbane nuk është kaq i prekshëm nga autoritetet shtetërore që paguhen nga taksat tona për të ruajtur dhe administruar taksat tona, pasi nuk kemi parë ndonjë reagim shumë të fortë në këtë drejtim për këta 20 vjet. Meqenëse ligjërimi po kthehet pak në absurd po mundohemi ta shkoqisim pak më hapur duke pyetur drejtpërdrejt se politika toleruese që ndiqet ndaj biznesit është e veçantë apo ka një shtrirje më të gjerë?



Po të shikojmë shkujdesshim, pasi dukuria është shumë e përhapur dhe nuk meriton vëmendje të veçantë për ta dalluar shikojmë se ky dyzim apo motërzim i dukurive të administrimit të shtetit apo të jetës publike brenda sferës publike ashtu si dhe në legjendat folklorike ballkanike që i gjen gjithandej me dy variante, e gjejmë dhe atë me dy variante dhe të shtrirë kudo. Kështu p.sh kemi dy shëndetësi, një publike në të cilën qytetari që paguan taksat shkon për të marrë shërbim, por nuk e merr, sepse nuk ‘paguan” punonjësit e sistemit, një tjetër shëndetësi që quhet dhe kjo “publike” ku çfarëdolloj qytetari qoftë i siguruar ose i pasiguruar merr shërbimin e duhur, sepse u jep ryshfet punonjësve të shërbimit. Sërish është e tepërt të them se pagesa që nuk bën qytetari në rastin e parë mund të ketë emërtime të ndryshme, si “kafe”, “qokë”, “detyrimet”, pasi ato janë bërë pjesë e zhargonit tonë të përditshëm në përvojën që kemi me shërbimin shëndetësor dhe sektorë të tjerë të jetës publike. Një i tillë p.sh është dhe arsimi ku një pjesë e madhe e nxënësve dhe studentëve marrin njohuri të pamjaftueshme në klasa dhe grupe që kalojnë çdo normë të lejueshme për një klasë normale dhe që vlerësohen me një notë jo kaluese, kaluese, të mirë apo shumë të mirë jo vetëm në bazë të përgjigjeve të tyre, por dhe sepse një pjesë e tyre ka ndjekur leksione private në numër më të vogël studentësh në arsimin tjetër që quhet dhe ai “shtetëror”, pasi përdor asetet e shtetit për të organizuar kurset private, por pagesa kalon në xhepat e pedagogut. Edhe me këtë praktikë qytetari shqiptar është shumë i njohur, pasi është ndeshur shpeshherë me rastet kur fëmijët e tyre nuk marrin dot më tepër se një notë mesatare, situatë e cila ndryshon si me magji sa kalon në klasën tjetër private të mësimdhënësit.



Natyrisht që këto sjellje të mësipërme në dy sektorë jetikë të mbarëvajtjes së jetës publike të një vendi i kalojnë çdo normë të moralit dhe janë të dënueshme me ligj nën kategorinë e neneve për korrupsion, por ashtu si është e njohur për qytetarin shqiptar është shumë e vështirë për të gjetur drejtësinë në Republikën e Shqipërisë, pasi dhe ajo vuan nga dy standardet dhe qëndrimet e mësipërme. Njëra drejtësi është ajo që jepet duke respektuar rigorizorisht Kushtetutën dhe Kodin Penal, tjetra është ajo që jepet në bazë të “dritareve në ligj” që gjenden pas një “rishqyrtimi të kujdesshëm” të Kodit Penal nën shembullin e kadiut të vjetër otoman që përshkruan poeti bejtexhi i shekullit XVIII Hasan Zyko Kamberi në poezinë e tij “Paraja” se kur “kadiut i tregon paranë/ters e vërvit sherianë”. Sheriati nuk zbatohet më në Shqipëri që në vitin 1912, por pasioni për paranë me sa duket ka mbetur përcaktues për standardet e drejtësisë shqiptare.


Parë me syrin kritik të një vëzhguesi të jashtëm të jetës shoqërore në Shqipëri, nuk është e vështirë të përcaktosh se në fakt, në Shqipëri brenda sferës publike ka dy lloj shërbimesh, njëri shtetëror dhe tjetri “privat”. I pari, i cili mbahet me taksat tona është kthyer prej kohësh në kalvarin tonë, pasi nuk përfitojmë ndonjë gjë të madhe prej tij, ndërsa i dyti i cili sërish mbahet nga taksat, por dhe xhepat tanë është kthyer për ata që e administrojnë (përfituesit) në minierë ari. Në fakt, ky i fundit shërben dhe si etaloni matës për të ilustruar polarizimin e shoqërisë që për fat të keq sa vjen e po bëhet më i madh në Shqipëri. Politikani dhe Kryeministri britanik, Benjamin Disraeli (1814-1881) duke pasur parasysh pabarazinë e madhe në shpërndarjen e pasurisë dhe të të ardhurave që po shfaqej dukshëm në Britaninë e shekullit të XIX, paralajmëroi ndarjen e rrezikshme që po ndodhte në gjirin e kombit-shtet të Britanisë në “kombin e të pasurve” dhe ‘kombin e të varfërve”. Për të një ndarje e tillë rrezikonte unitetin e kombit, harmoninë sociale dhe vetë sistemin politik qeverisës. Paralajmërimi i tij është shumë aktual për situatën në Shqipëri pas zhvillimit të vrullshëm të ekonomisë së tregut për më se 20 vjet jo vetëm për të ndërmarrë reforma efikase në të gjithë sektorët publikë, por dhe për të mos lejuar më kohezionin social dhe për t’u kujtuar klasave shoqërore dhe individëve detyrimet sociale që kanë ndaj shoqërisë.

Gazeta Shqip, 24.07.2011, fq 9


Tuesday 19 July 2011

Problemet shqiptare



      Termi problemi shqiptar ka kohë që është bërë pjesë e fjalorit politik europian. Gjithsesi, kuptimi i tij nuk ka mbetur statik gjatë gjithë kohës, por ka fituar tre konacione dhe ngjyrime të ndryshme që nga momenti që ai është përdorur për herë të parë. Natyrisht, fillesat e termit gjenden në vetë kompleksitetin dhe vështirësinë e politikave që ndoqën Fuqitë e Mëdha në rajon në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe për këtë gjë nuk mund të fajësohen shqiptarët se politika që u ndoq ndaj tyre do të krijonte një problem të vërtetë për diplomacinë botërore në vitet në vazhdim. Ata thjesht u zgjodhën për t’u sakrifikuar kinse për të shpëtuar paqen në rivalitetet ruso-austriake në Ballkan, paqe e cila nuk ia vlejti, sepse një vit më vonë më 1914, lufta e madhe filloi.
Nga ana tjetër shqiptarët me ato pak kapacitete dhe forca që kishin në dispozicion bënë ç’është e mundur që në deklaratën e tyre të pavarësisë të këmbëngulnin se po themelonin shtetin e të gjithë shqiptarëve dhe rrjedhimisht t’u linin brezave një testament politik të dëshirës dhe shtrirjes së vërtetë të atdheut të tyre. Ky testament politik i etërve të kombit sigurisht që nuk ra në vesh të shurdhër dhe për një kohë të gjatë u bë një emërues i përbashkët i ëndrrave romantike, por dhe politike të bashkimit kombëtar.
    Ky realitet i trishtë i shqiptarëve të ndarë mes shteteve fqinje dhe përpjekjeve të ethshme të këtyre të fundit për ti asimiluar, prodhonte dhe destabilitet në rajon ndaj Fuqitë e Mëdha me dashjen apo mosdashjen e tyre ishin të detyruara ta trajtonin. Kështu që në fillim të viteve të shekullit XX pas vendimeve të Konferencës së Londrës, ku një pjesë e madhe e territoreve shqiptare u lanë jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë, me problem shqiptar nënkuptohej çfarëdolloj përpjekje për bashkim të shqiptarëve dhe shqetësimi që u krijohej nga kjo përpjekje kancelarive të Fuqive të Mëdha. Edhe pse në disfavor të shqiptarëve u ndërmorën vendime që siguronin tërësinë e kufijve të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe Greqisë në konferencën e Paqes në Paris më 1920 dhe në atë të Parisit më 1946, vendime që nuk rishikonin gabimet e bëra ndaj shqiptarëve dhe kufijve të tyre, ëndrra e bashkimit kombëtar nuk u zbeh, por u transmetua nga brezi në brez si një amanet i paplotësuar.
   Lufta e Kosovës 1998-1999 tregoi se problemeve të cilat përpiqesh që t’i fshehësh me tisin e historisë ringjallen sërish sa mbeten të pazgjidhura. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë dhe shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës janë premisa të mira që tregojnë se problemit shqiptar të krijuar një shekull më parë mund t’i vijë fundi, pavarësisht faktit që qarqe të ndryshme europiane kanë shumë vite që po investojnë politikisht që problemin shqiptar të mbetet vetëm në kuadrin e dy shteteve dhe jo të njësimit në një. Zhvillimeve që jep liria politike që gëzojnë sot shqiptarët në rajon nuk do të mund të kontrollohen nëse kombi shqiptar do të dëshirojë të bashkohet nën shembullin klasik të bashkimeve kombëtare. Por a është kjo gjë e mundur? A është ky bashkim më tepër një realitet romantik i elitave shqiptare sesa i përgjigjet një realiteti të vërtetë në terren? Demokracia dhe liria politike e të shprehurit ka shumë forma në dispozicion për t’i dhënë përgjigje këtij problemi. Një nga ta është dhe referendumi, zhvillimi i të cilit me të vërtetë do të ishte përgjigjja më e sinqertë e asaj se çka dëshirojnë shqiptarët dhe jo e hamendësimeve dhe teorive integruese që dëgjohen përditë nga të huajt në emër të shqiptarëve!
Liria politike është e lidhur ngushtë dhe me lirinë ekonomike, një realitet që kombi shqiptar po e përjetëson potencialisht gjatë këtyre viteve. Mungesa e lirisë ekonomike dhe kolapsi i ekonomisë së centralizuar bëri të mundur për fat të keq që në fillim të viteve ‘90, emri i Shqipërisë dhe shqiptarëve të shoqërohej me emigracionin e jashtëligjshëm dhe gjithë fenomenet që e shoqërojnë atë si krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafikimi i lëndëve narkotike dhe qenieve të gjalla. Ishte e natyrshme që kjo valë emigracioni e pakontrolluar të krijonte shqetësime në Europë ndaj dhe Bashkimi Europian nëpërmjet strategjive të tij u mundua që t’i minimizonte maksimalisht efektet negative të këtij emigrimi. Masat e marra ndaj këtyre fenomeneve dhe parashtrimi i agjendës së integrimit së Shqipërisë në Bashkimin Europian përcaktoi dhe piketat e një politike të re në rajon duke bërë të mundur që termi problemi shqiptar, të marrë një ngjyrim të dytë në fjalorin diplomatik të kancelarive europiane duke nënkuptuar integrimin e vështirë dhe të zgjatur të një vendi drejt strukturave Euro-Atlantike.
   Për fat të mirë, falë remitancave të emigrantëve, grandeve të Bashkimit Europian dhe SHBA dhe një sërë reformash të ndërmarrë në vend, Shqipëria në prill të 2009 u pranua anëtare e plotë e NATO-s duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm për t’u integruar dhe në Bashkimin Europian, pasi pranimi në NATO është konsideruar për të gjitha demokracitë e ish-Lindjes komuniste si paradhoma të integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Duke u bazuar në realitet e mësipërme prej vitit 2009, Shqipëria gjithashtu ka dorëzuar kërkesën për të qenë vend kandidat i Bashkimit Europian, kërkesë që u shqyrtua me seriozitetin më të madh nga ky institucion duke i përcjellë pyetësorin përkatës për ta plotësuar. Shqipëria, në një kohë rekord e plotësoi këtë pyetësor të madh duke iu përgjigjur sinqerisht pyetjeve të bëra aty, por për shkak të problematikës politike që shoqëroi zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe klimës së thatë të dialogut politik midis dy partive më të mëdha në vend, ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive për fillimin e negociatave.
   Çfarë po ndodh me rastin shqiptar, ku Bashkimi Europian e ka bërë shumë të qartë se rruga drejt tij kalon nëpërmjet një plani prej 12 pikash ku dialogu politik mban peshën kryesore, ka filluar të konsiderohet sërish si problemi shqiptar, por sigurisht kësaj radhe me një ngjyrim dhe konacion të ri. Ky term nënkupton në kancelaritë e Europës shembullin tipik të një demokracie jofunksionale dhe të një klase politike të paaftë që të ndërtojë një dialog konstruktiv mes vedi. Është për të ardhur keq, që pas një rrugëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm të shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Europian, dera e treguar për t’u trokitur dhe për t’u hapur në të njëjtën kohë me dashamirësi, nuk po gjendet dot, sepse klasa politike e tyre e ka mendjen t’i vë stërkëmbësha njëri-tjetrit duke mos arritur asnjëri aty. Nëse problematika e dy problemeve të para shqiptare në shumë raste nuk vareshin vetëm nga vullneti i shqiptarëve, ky i fundit varet tërësisht nga ta. Është përgjegjësia e tyre dhe dëshmi e pjekurisë së tyre politike se ku dëshirojnë ta shikojnë veten e tyre. Por a do të mundin dot shqiptarët dhe klasa e tyre politike ta kapërcejnë veten dhe të fillojnë të plotësojnë 12 pikat e BE-së për të siguruar kandidaturën e vendit kandidat? E thënë me fjalët e komisionerit Fule, dera është aty e hapur. Por si? E thënë dhe e stërthënë kaq herë nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, analistë dhe dashamirës të Shqipërisë, le të fillojmë dialogun politik. Mjaft më! Koha nuk pret! Shqipëria duhet bërë europiane!



Friday 15 July 2011

Parlamentet shqiptare









Në kohën e regjimit komunist, për të stigmatizuar regjimin e mbretërisë në një antologji të muzës popullore, u botua një anekdotë për deputetët shqiptarë që nuk dinin ç’do të thoshte fjala buxhet. Me fjalë të tjera, pasi diskutohej në seancën parlamentare për buxhetin e shtetit, dikush nga deputetët ngrihej nga vendi dhe pyeste: Ju lutem të ngrihet në këmbë z. Buxhet që ta njohim, sepse po dëgjojmë shumë për të.


Përtej groteskes dhe denigrimit që mundohej të përcillte kjo anekdotë, në të mund të gjeje pak gjurmë të së vërtetës, pasi sistemi i vlerave që ne kemi ndërtuar asnjëherë nuk ka qenë i ngritur mbi meritokracinë, por mbi interesat e ngushta klanore, provinciale dhe besnikërie të dyshimtë ndaj udhëheqësve. Në listat e deputetëve që kanë shërbyer në Parlamentin e mbretërisë, përveç hartuesve të statuteve të para të vlefshme të Shqipërisë kanë shërbyer dhe krahinorë të rëndomtë që kishin influencë në krahinat e tyre dhe si rezultat, ishin një element i rëndësishëm për mbretërinë e brishtë shqiptare, udhëheqës të fuqishëm fisesh që nuk i kalonin arsimimin më shumë se shkallët e një mejtepi të Perandorisë Otomane apo dhe aventurierë, që pasi kishin dështuar të arsimoheshin në Perëndim, kishin gjetur si strofull politikën, pasi vetëm aty mund të shisnin dhe blinin pallavrat e tyre.


Kriteri i kryesor i përzgjedhjes së tyre, sigurisht që ishte besnikëria ndaj mbretit, kriter i cili besohej se do i jepte vazhdimësi mbretërisë dhe sistemit politik e të vlerave të saj. Në panagjerikët e shumtë që janë botuar më 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, mund të gjesh shumë fjalime dhe nota besnikërie të parlamentarëve shqiptarë ndaj mbretërisë dhe mbretit, aq sa të jepet ndjeshmëria të besosh se regjimi monarkik dhe vlerat e tij do zgjasnin 1000 vjet. Në fakt, dy vjet më vonë, kur Mbretëria shqiptare u shkërmoq si një kështjellë në rërë përballë agresionit fashist të 7 prillit 1939 dhe vetëm 5 ditë më vonë, më 12 prill shumica e përfaqësuesve “besnikë” të Parlamentit të para 7 prillit 1939, u mblodhën në një asamble kushtetuese, ku po i njëjti kryetar, Xhafer Ypi shpalli rrëzimin e regjimit monarkik në Shqipëri, bashkimin e Shqipërisë me Italinë fashiste dhe afrimin e kurorës shqiptare mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit III.


Kjo ndoshta mund të kishte qenë një nga goditjet më të mëdha që një udhëheqës mund të kish pësuar në karrierën politike të tij, që pas 15 vjetësh me radhë në pushtet nuk kish qenë në gjendje të krijonte një trashëgimi të qëndrueshme politike. Por ajo që mund të ishte e vlefshme për sisteme politike të ngritura mbi vlera demokratike, nuk ishte e vërtetë për sisteme gjysmë demokratike siç ishte mbretëria shqiptare. Ndaj, në dokumente të kohës gjen letërkëmbime të Mbretit Zog në emigrim me ish-anëtarët e vet “besnikë” të Parlamentit, të cilëve u bën thirrje që t’i bashkoheshin atij sërish, sikur të mos kish ndodhur gjë më parë, sigurisht pa harruar të theksojë se këto aleanca të reja politike bëhen në emër të Shqipërisë dhe kombit, por që një studiues i vëmendshëm s’e ka vështirë ta kuptojë se më shumë kishin të bënin me rikthimin e tij si mbret në Shqipëri.


Për fat të keq, tradita e formuar mbi bazën e këtyre aleancave të dyshimta interesash të ngushta personale, që shpesh herë në ditët e sotme përpiqen të na i shesin si kompromise dhe konsensuse të suksesshme politike, ka qenë pjesë e kulturës sonë institucionale jo vetëm gjatë regjimit diktatorial, por dhe në 20 vjet demokraci. Parlamenti shqiptar i pas viteve 90’ nuk ka përfaqësuar vlerat e vërteta të shoqërisë shqiptare, por ka mbartur mbi shpinë gjithë këtë trashëgimi jo të qëndrueshme institucionale, duke e pasuruar dhe më shumë në këtë drejtim. Sot jemi dëshmitarë të një lufte mediatike të paskrupullt, ku qytetarëve shqiptarë u duhet të durojnë me patetizëm hartimet mediokre të besnikërisë së deputetëve ndaj shefave të vet politikë, jo për të çuar përpara kauza të mëdha siç janë lufta kundër korrupsionit apo integrimi europian i vendit, por sigurimin e vendit në listën pasardhëse të zgjedhjeve të tjera. Sistemi elektoral me listat e hartuara nga kryetarët e partive ka zbehur çfarëdolloj dinjiteti njerëzor apo pavarësie mendimi politik të deputetëve, duke i kthyer në Arkelinë dhe Pucinella të mjeshtërve të mëdhenj të gënjeshtrave – udhëheqësve politikë të partive. Reforma e re elektorale duhet të rikthejë nocionin e llogaridhënies së deputetit para elektoratit të vet si një nga kushtet bazë për ndërtimin e një demokracie të shëndetshme, në të cilën elektorati do të ketë mundësinë dhe përvojën që t’i zgjedhë apo t’i “djegë” kandidaturat e paraqitura.