Sunday 11 November 2007

Rrugëtimi i identitetit fetar







Egzistenca e shtetit shqiptar të vitit 13’ e në vazhdim do përbente një kuriozitet të veçantë sociologjik për të gjithë ata që do ta ndiqnin nga afër, pasi kërkohej të kryhej pothuajse e pamundura, të ngrihej dhe mbijetonte një shtet me fqinjë agresivë që nuk dëshironin që ta njihnin pasi tokat shqiptare i konsideronin si plaçka të luftës ballkanike që kishin fituar, me rezerva financiare të pamjaftueshme as për të paguar rrogat e nëpunsve të vet dhe me një popullsi që ishte në mes të formimit të identitetit kombëtar dhe e ndarë në katër besime fetare. Nga të gjitha vështirësit, kjo e fundit paraqiste pengesën më të madhe pasi identiteti fetar dhe bashkimi fetar ka qenë një nga qelizat më të forta të shoqërive,që kanë aspiruar dhe janë krijuar si kombe. Në vende të ndryshme këto tipare vazhdojnë ende të jenë përcaktues për zgjedhje të ndryshme apo hartimin e politikave të ndryshme. Në Shqipëri për shkak të egzistencës së tre besimev fetare,identiteti fetar u mënjanua nga zgjimi nacionalist i tyre,duke ia lënë rrugën kulturës dhe gjuhës kombëtare. Në këtë rrugë të pashkelur nga asnjë nga fqinjët e vet ballkanikë ,shqiptarët filluan sprovën e tyre për të ndërtuar shtetin e tyre, sprovë që pas etheve të para vetshkatërruese të bazuara mbi identitetet fetare, si lëvizja e Haxhi Qamilit, lëvizja “epiriotase” e Zografos dhe republika e “vetshpallur” e Mirditës nga Marka Gjoni, përgjithsisht ka dalë me sukses, duke u bërë kështu një ilustrim i teorisë së dështuar të historicizmit dhe një rrugë moderne përsa i përket marrëdhënieve të shtetit me religjionin.



Analiza tradicionale të marrëdhënive midis shteteve dhe besimeve fetare tregojnë se ka tre modele të tilla.Modeli i parë është sistemi i bazuar në marreveshje midis shtetit dhe besimeve fetare, modeli i dytë është sistemi i karakterizuar nga egzistenca e kishës shtetërore apo nacionale dhe sistemi i tretë, i cili ka një një ndarje të qartë midis shtetit dhe besimeve fetare. Modeli i tretë i cili quhet dhe secular apo laik dhe është modeli të cilin ka marrë për bazë shteti shqiptar për të ndërtuar marrëdhëniet e veta me komunitetet fetare. A është kjo zgjedhje, një prirje moderniste e shqiptarve apo është një zgjedhje e detyruar për shkak të identiteve të ndryshëm fetarë që është e përbërë Shqipëria? Natyrisht përgjigjie nuk mund të jepet lehtë, veçanrisht nëse krahason aspekte të tjera të jetës dhe kulturës sonë për të parë nëse ato kanë qenë kaq moderne sa prirja e shqiptarve përkundrejt besimit fetar në këto 85 vjet të shteti të stabilizuar shqiptar. Por edhe në qoftë se nuk është kështu,do me thënë zgjedhja në fillimet e viteve 20’ ka qenë e imponuar për shkak të realiteteve fetare, askush nuk mund ta mohojë sot prirjen moderniste të identitetit fetar të shqiptarve.


Kjo prirje është e lidhur shumë e ngushtë dhe me identitetin kombëtar kaq të përfolur në ditët tona, aq sa shpesh herë duket se në debatin Lindje-Perëndim do të përcaktohet dhe vendi i shqiptarve në hemisferë sipas besimit të tyre fetar. Kjo lloj përqasje mendoj se është e gabuar sepse të kërkosh ti përshtatesh mjedisit (do me thënë Evropës ku jetojmë) do të thotë që ta konsiderosh veten një “patate të Lisenkos”, e cila rritet dhe fryhet por humbet shijen e vetë origjinale.Ka një farë afiksacioni të shqiptarve në ditët e sotme me pragmatizmin e skajshëm të “evropianizimit” të jetesës së tyre, ku dhe identiteti fetar tashmë i paracaktuar sipas disave, përderisa rrojmë në Evropë duhet të ketë një tendence kristianizmi ose në qoftë se jo e tillë, të “paktën semi-kristian” siç e përcaktonte Konica në prag të shpalljes së pavarësisë.


S’ka asnjë gjë të keqe nëse në momente të caktuara individë apo grupe njerëzish vendosin të përqafojnë një identitet tjetër fetar nga ai i mëparshmi, aq më tepër që kjo është e garantuar nga Karta e të Drejtave Themelore të Njeriut, artikulli 10, por kur kjo tendencë shkon dhe në përqafimin e një identiteti kombëtar tjetër atëherë këtu çalon diçka,dhe duhet të fillojmë të dyshojmë nëse zgjedhja është bërë sipas kërkesës shpirtërore të pa përmbushur nga besimi i mëparshëm apo thjesht pragmatizëm në përftimin e një statusi të qytetarit të hemisferës perëndimore? Me hemisferë perëndimore nënkuptoj Perëndimin me të tërë zhvillimin e tij social, historik kulturor, përkundrejt Lindjes të përfaqësuar nga hemisfera lindore.Shqiptarët kanë patur fatin historik (mirë apo për keq, kjo mbetet ende një pyetje e hapur) tu përkasin të dyjave influencave dhe të jenë vendi ku të dyja botët janë ndeshur ashpër. Vetëm 95 vjet më parë territori ynë konsiderohej Lindja e Afërme dhe ishim pjesë e një perandorie që shtrihej nga Eufrati deri në Ballkan, kurse 95 vjet më vonë territoret tona quhen Ballkani Perëndimor dhe jemi gati të hyjmë në njësinë më të përparuar përsa i përket sot zhvillimit kulturor, social dhe ekonomik - Bashkimin Evropian.


A do të marrim me vete ndonjë gjë nga të qënit tonë si ex-Near Eastern apo do hyjmë si present-Balcan Western, që është afër për të mos thënë më mirë pro-european life style. Përgjigjen mund ta kërkojmë ta gjejmë në diasporat shqiptare në Evropë të cilat janë integruar më shpejt sesa popullsia në Shqipëri në tërësinë administrativo-ekonomikë ku ne aspirojmë të hyjmë.Fatkeqësisht, vihet re një ri-gjallërim i identitetit fetar disa herë të trashëguar disa herë të fituar në vendin pritës, dhe që shpesh herë është i shoqëruar dhe me përqafim të një identiteti tjetër kombëtar.Jemi ndoshta nga të paktat shtete në Evropë që mund të kemi probleme të vetdijes kombëtare dhe të “kacafytjes” nacionaliste për të bindur njerëz tanë, bashkëatdhetarë se na përkasin “neve” dhe jo “të tjerve”. Në fakt fenomeni nuk është i ri, pasi në asnjë komb tjetër në Evropë nuk gjendet shprehja “gjaku yne i shprishur”. Për shekuj me rradhë shqiptarët furnizuan repartet drithëruese të jeniçerve dhe shpesh herë qindra nga ata bënë një karrierë të shkëlqyer me një identitet të ri fetar dhe identitet të ri kombëtar, por çështja shtohet nëse gabuam njëherë në mugullirat tona të historisë kur nuk ishim të ndërgjegjshëm si komb a duhet të gabojmë tani sërish në prag të festimit të njëqindvjetorit të pavarësisë?


Duke qenë njëherë viktima të një inxhinirie sociale që na shkatrroi rëndë sepse kthimi jonë nga Njeriu i Ri i socializmit real në homosapiensin normal u shoqërua me trauma, efektet e të cilave i shikojmë përditë në jetën tonë të përditshme,do të jetë shumë e vështirë që të krijojmë apo të marrim hua një identitet tjetër. Nëse egzistenca dhe mbijetesa e shtetit shqiptar të vitit 1913’ ka pushuar së qeni një eksperiment sociologjik,dhe është tashmë një realitet atëherë suksesin nuk duhet ta shikojmë në tipin e këshillave koniciane për të përqasur identitete,por në diversitetin e këtyre identiteteve. Shoqëria e sotme shqiptare pas një rrugëtimi të gjatë të integrimit të kulturave, si rezultat i identiteve të ndryshme fetare është çka Evropa ka propaganduar dhe kërkuar të jetë shoqëria e saj në të ardhmen. Krisma e armës që vrau arkidukën Ferdinant në Sarajevë më 1914, prishi përgjithmonë dhe Bosnjën idilike të Ivo Andricit dhe statukuo-n fallco të harmonisë midis identiteve fetare që se ndjenin veten një komb. Fatmirësisht shqiptarët kanë zgjedhur që të ndihen si komb në fillim dhe pastaj të identifikohen si identitete fetare dhe kjo prirje moderniste e tyre ka treguar se ka qenë zgjedhja më e mirë që kanë bërë ndonjëherë.Përgjigjia proverbiale e poetit kombëtar të shqiptarve patër Gjergj Fishtës, kur një diplomat francez e pyeti sesi ka mundësi që të besosh në mbijetesën e një shteti të tillë me tre besime? ishte:“po është e vertetë zotëri se kemi tre besime, por ne nuk kemi pasur ndonjëherë Natë Shën Bartolemeu”, vazhdon të mbetet sfiduese edhe për kombe dhe shtete shumë më të zhvilluara sesa Shqipëria.